Lëvizja Socialiste për Integrim po shkon çdo ditë e më shumë drejt tkurrjes, teksa goditja më e madhe ka ardhur nga Devolli. Kryetari i këshillit bashkiak të Devollit, Albert Lilo nga radhët e LSI, dhe tre këshilltarë të kësaj force politike kanë braktisur partinë e tyre dhe i janë bashkuar Partisë Socialiste.
Përveç kryetarit Lilo, janë larguar nga LSI edhe anëtarët e këshillit Perlat Xhaçi, Aldo Shpuza dhe Enver Manoku. Kjo është goditja më e madhe ndaj LSI, pasi nëse deri më tani kësaj force politike i janë larguar këshilltarë, nga kjo bashki vjen dhe largimi i kryetarit të këshillit.
Kjo sjell dhe krisjen më të madhe të kësaj force politike në këshillat bashkiakë. Albert Lilo dhe tre këshilltarët e tjerë janë bashkuar me grupin e këshilltarëve të PS, që tashmë numëron 8 mandate, duke kontrolluar këshillin prej 21 këshilltarësh.
Hemorragjia në LSI ka vijuar prej disa javësh, teksa në total janë 32 këshilltarë bashkiakë në të gjithë vendin, që kanë braktisur LSI dhe i janë bashkuar PS.