Meta pritet që deri në dhjetor të mos e hedhë shortin, por nëse ndodh kjo KED mund të mos funksionojë dhe për rreth gati një vit. Në dhjetor emrat e rinj do futen në veting dhe procesi do zgjasë. Por nëse ata zgjidhen tani, deri në dhjetor vetingu ka mbarur dhe KED merr vendimet e para. Pra duket se kemi një skenar të menduar mira nga presidenti e opozita. PD e LSI nuk pranojnë të votojnë ligjet që zhbllokojnë ngërçin, siç është ai për magjistratë, ndërsa Presidenti mban të bllokuar KED dhe thellon kaosin.
Pyetja që shtrohet është se çfarë i kushton presidentit të hedhë shortin për vendet vakante? Dyshimet janë nëse bëhet fjalë për një lojë të fortë politike që drejtësia të qëndrojë në kolaps dhe kjo të rrisë kostot e mazhorancës. Sa më gjatë e mban Meta të bllokuar KED, aq më shumë thellohet kriza në kushtetuese.
Por nga ana tjetër, kreu i shtetit bllokon dhe inspektimin në gjykata. Detyra parësore e KED është që të përzgjedhë kandidatët për në Kushtetuese. Pasi Kuvendi, Presidenca dhe Gjykata e Lartë i dërgojnë listën e aplikantëve, KED bën një renditje nga më të mirët te më të dobëtit dhe 3 institucionet duhet të zgjedhin 1 mes 3 të parëve.
Por një detyrë tjetër të rëndësishme ka dhe për emërimin e Inspektorit të Drejtësisë. Deri në vitin 2016 inspektimet në gjykata bëheshin nga Ministria e Drejtësisë dhe Inspektorati i KLD. Por prej dy vitesh nuk bëhet asnjë inspektim. KLD që drejtohet po nga Meta ka pezulluar kontrollet e gjyqtarëve, edhe pse ka shumë ankesa për abuzime me vendimet e tyre.
Argumentet e tyre janë se Kushtetuta ja ka kaluar këtë kompetencë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Por sipas Kushtetutës, është KED që rendit kandidatët për Inspektor. Për sa kohë Meta e mban të bllokuar Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, aq më shumë gjykatat vijojnë të jenë jashtë kontrollit, pasi askush nuk i kontrollon./Kliti TOPALLI