Dosja e parave të lobimit në SHBA është drejt përfundimit dhe Ilir Meta bashkë me gruan e tij, por edhe me zëvendësin Petrit Vasili, si edhe Vangjel Tavon pritet që të njihen nga SPAK brenda pak javësh, për të mos thënë ditësh, me akuzat që do të rëndojnë mbi ta.
Ndihmë të madhe në këtë hetim kanë dhënë amerikanët duke plotësuar me materiale shtesë dosjen përvëluese të lobimeve. Në dosjen që ka në dorë SPAK, janë dy prova të pakundërshtueshme që pritet të shkaktojnë “tërmet” tek familja e Metës.
Kontrata me kompaninë e lobimit McKeon Group në 2017 dhe raporti financiar i dorëzuar në KQZ nxjerrin zbuluar Ilir Metën. Kontratat janë lidhur nga Meta dhe Vasili, raporti i rremë është firmosur nga Monika Kryemadhi.
Si e plotësuan me materiale shtesë dosjen amerikanët
Gazeta “SOT” e raportoi pak ditë më parë se letër-porositë që dërgoi SPAK në SHBA në lidhje me këtë aferë mbërritën në vendin tonë. Mësohet se në fund të vitit 2022 në kuadër te hetimit nisur ndaj ish presidentit Ilir Meta, SPAK kërkoi të dhëna nga departamenti FARA ku janë regjistruar kompanitë e lobimit në ministrinë e drejtësisë në SHBA.
SPAK hartoi disa pyetje të kthyera në një letër porosi nga Ministria e Drejtësisë. Përmes kësaj letër porosie SPAK mori informacion për pagesat e bëra nga Lëvizja Socialiste për Integrim për lobim në SHBA. Dërgimi letër porosisë në USA erdhi pas disa veprimeve hetimore në Shqipëri si kërkesa dërguar KQZ për të patur një kopje të formularit të dekriminalizimit të Ilir Metës po ashtu edhe të dhënat e certifikatës familje të zotit Meta.
Për këtë lobim fillimisht shkruajti revista amerikane Mother Jones. Ndërsa më 16 maj, gazeta austriake “Kronen Zeitung”publikoi një artikull sipas së cilës Ilir Meta për të siguruar një foto në ceremoninë e inaugurimit të Donald Trump pagoi 700 mijë dollarë për lobim përmes një kompanie qipriote guaskë. Vetë Ilir Meta ka hedhur poshtë akuzat për një lobim të tillë dhe premtoi dorëzimin e një padie për shpifje ndaj gazetës austriake.
Zbardhen detaje nga dosja
Por dosja është e kopsitur, pasi aty ekzistojnë dy prova që vendosin Ilir Metën me shpatulla pas muri. Në provën e parë janë faktet se Meta u ka fshehur autoriteteve shqiptare shpenzimet për të siguruar takime me para në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Raporti financiar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, për vitin 2017, dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve tregon qartë skemën mashtruese të LSI me në krye Ilir Metën. Në këtë raport, protokolluar nga KQZ, reflektohet shpenzime edhe për karrige dhe fotokopje, por jo për lobim në SHBA. Shpenzime të LSI për lobim nuk konstatohen as nga raporti i auditimit të financiar të LSI-së, për llogari të KQZ-së.
Prova e dytë
Prova e dytë është një kontratë datës 6 janar të vitit 2017, e kompanisë lobuese McKeon Group me LSI-në dhe Ilir Metën, për blerjen e takimeve dhe fotove të Ilir Metës me zyrtarë amerikanë. Kontrata ka një kohëzgjatje 6 mujore dhe vlera totale që parashikon është 90 mijë USD. Kontrata nuk do të zbulohej kurrë, por kompanitë amerikane të lobimit kanë për detyrë të deklarojnë kontratat dhe të ardhurat që përftojnë nga lobimet në website-in e FARA, e ngjashme me KQZ si dhe në Departamentin e Drejtësisë Uashington.
Ligji nr.8580, datë 17.2.2000, i ndryshuar, për partitë politike, në nenin 23, parashikon që partitë politike dorëzojnë raportet financiare një herë në vit pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të cilat duhet të përmbajnë informacion të hollësishëm për burimet e financimit
Shpenzimet. 90 mijë USD të shpenzuara për lobim, në bazë të kësaj kontrate, nuk janë deklaruar nga LSI-ja, në KQZ. LSI-ja, e drejtuar nga Ilir Meta deri në maj 2017, ka dorëzuar një raport të rremë financiar në KQZ, duke fshehur shpenzimet për lobim.
Krahas falsifikimit të formularit, SPAK ka regjistruar edhe akuzën e korrupsionit pasiv, pasi Ilir Meta i ka marrë diku paratë e lobimit, në formë të paligjshme.
Pse Meta mund të çojë në burg Kryemadhin dhe Vasilin
Meta rrezikon të çojë në burg dhe gruan e tij, por edhe deputetin Petrit Vasili, i cili u shfaq i alarmuar dje pasi SPAK e thirri që të dëshmonte për këtë dosje.
Deputeti Petrit Vasili, si përfaqësues i LSI-së, ka firmosur një nga kontratat e lobimit me kompaninë Global Security and Innovative Strategies, në 3 shkurt 2016, ku janë paguar 123 mijë USD, për t’i mundësuar takime me anëtarë të Kongresit në SHBA, takime me zyrtarë të Departamentit të Drejtësisë dhe të Departamentit të Shtetit.
Edhe ky shpenzim nuk është deklaruar në KQZ. Në burg mund të përfundojë dhe Monika Kryemadhi pasi ka firmosur raportin e rremë financiar të LSI, për vitin 2017, që ka dorëzuar në KQZ.
I rrezikuar dhe Vangjel Tavo
Kompania guaskë ‘Dorelita Limited’ e cila ka paguar paratë e lobimit që Lëvizja Socialiste për Integrim ka kryer në Shtetet e Bashkuara është regjistruar në Qipro më 14 nëntor 2013. Nga kërkimi në internet kompani rezulton të ketë status aktiv dhe drejtor i saj është shtetasi Iraklis Fidetzis.
Por informacione të tjera për kompaninë dhe përfaqësuesin e saj nuk gjendet, duke qenë se Qipro është parajsë fiskale dhe nuk jepen detaje të aktivitetit të këtyre lloj bizneseve. Ajo që dihet për Iraklis Fidetzis, sipas kallëzimit të bërë nga deputeti Halit Valteri është lidhja e tij me ish-deputetin e LSI Vangjel Tavo. Në denoncim sqarohet se ‘Dorelita Limited’ është kompania e Ilir Metës por që drejtohet nga Fidetzis./ Elmas Bogdani