Këngëtari me famë botërore Ricky Martin po mban mbrëmjen e kësaj të enjteje koncertin e shumëpritur në Tiranë. E nga sheshi “Skënderbej” ai premtoi se kjo nuk do të jetë hera e fundit që vjen në Shqipëri. Ai po ashtu shprehu falenderime për mikpritjen e ngrohtë, ndërsa për Tiranën tha se është një qytet shumë i bukur.
“Dashuria që kam marrë në këtë qytet të bukur si Tirana, është e mrekullueshme. Është shumë i mahnitshëm, shumë i ngrohtë (mikëpritje), shumë i bukur. Kjo është hera ime e parë këtu, por nuk do të jetë e fundit. Jua premtoj këtë. Duhet ta vizitoj të gjithë këtë vend. Duhet të jeni shumë krenarë për këtë vend të mrekullueshëm. Do flas për Shqipërinë nëpër botë, jua premtoj”, tha artisti, para fansave të shumtë të mbledhur në shesh.
Më herët Ricky Martin u prit nga kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili në shenjë mirëseardhje i dhuroi “Çelësin e Qytetit”.
Ricky Martin e falenderoi kryebashkiakun Veliaj për mikpritjen dhe tha se do flasë për shqiptarët dhe energjinë e tyre pozitive kudo.
“Surprizë pas surprize. Jam super falenderues për ftesën. Është suprizë e madhe t’ju takoj. U ndjeva si në shtëpi që në momentin që erdha këtu. Do e marr me vete shpirtin e shqiptarëve dhe do të flas për shqiptarët kudo që do shkoj sepse është fantastike të jesh këtu.
Sonte do ta shkëmbejmë këtë energji mes audiencës dhe asaj që ne sjellim nga Puerto Rico, që është pasion, dashuri, ndershmëri, transparencë. Do të jetë shumë speciale!”, u shpreh këngëtari Ricky Martin.