Gazetari investigativ Artan Hoxha raporton se ish-drejtori i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, u lirua gjatë ditës së sotme nga qelitë e burgut të Fierit dhe u kthye pranë familjes së tij.
Gjykata e rrethit gjyqësor Fier, e miratoi kërkesën e Çelës, për të përfituar lirimin me kusht nga burgu, pasi kishte vuajtur me shume se 2/3 e dënimit.
Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e dënoi Çelen, me vendim të formës së prerë me datë 4 shkurt 2022 së bashku me ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.
Artan Hoxha thotë se kolegji i Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi, lënien në fuqi të Vendimit nr. 60, datë 19.09.2019 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, ku Jaeld Çela u dënua me 3 vite e 4 muaj burg, për akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Prokuroria e Krimeve te Renda lëshoi një urdhër-arresti për ish drejtorin e policisë së Vlorës me datë 22 nëntor 2017.
Policia nuk mundi ta arrestonte Çelen, pasi ai nuk u gjet në banesë, ndërsa u tha se ishte larguar jashtë vendit. Çela, ju shmang drejtesisë për më shumë se dy vite e gjysmë. Gjatë kësaj kohe, çdo përpjekje për arrestimin e tij, dështoi.
Ish-drejtuesi i policisë së Vlorës vendosi të dorëzohej vullnetarisht në drejtorinë e policisë së Tiranës me 16 maj 2020. Nga ajo dite, Çela ka qëndruar në burg, deri mesditën e sotme, kur u lirua me kusht pas një vendimi te gjykatës së Fierit.
Drejtuesi i lartë i policisë, ishte duke vuajtur dënimin në burgun e Fierit, së bashku me ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.
Për këtë shkak, lirimi i tij u gjykua nga gjykata e Fierit, nën juridiksionin e secilës është burgu i këtij qyteti.
Gjykata speciale e kishte dënuar Çelen me 40 muaj burg. Por duke përfituar nga masa e sigurisë me burg, ku gjate paraburgimit një ditë qëndrimi në izolim, llogaritet si një ditë e gjysmë burg, rezultoi se ai i kishte kryer tashme 2/3 e dënimit dhe mund të përfitonte liri me kusht.
Aktualisht Çela kishte kryer 30 muaj burg dhe i kishin mbetur ende 10 muaj të tjerë izolim.
Por për shkak te sjelljes korrekte ne burg dhe vuajtjes te me shume se 2/3 e dënimit, gjykata vlerësoi se Jaeld Çela duhet te kthehet pranë familjes, ndërkohë që do te mbikëqyret nga drejtoria e Shërbimit të Provës.