Është liruar nga qelia mbrëmjen e së shtunës i dënuari me burgim të përjetshëm Gert Gjinarari, i njohur si “Gjenerali”.
45-vjeçari u la i lirë pas një vendimi të Gjykatës së Korçës, të zbuluar ekskluzivisht nga Report Tv disa ditë më parë, që i pranonte atij gjykimin e shkurtuar. Vendimi u ekzekutua të shtunën, pasi Gjinarari përfitoi liri me kusht më 14 Shkurt, duke lënë kështu qelinë e burgut të Drenovës në Korçë.
Gjinarari ishte dënuar me burgim të përjetshëm, për një vrasjen e të konsideruarit i forti i Tiranës, Naim Zyberit, në vitin 1997 në Itali.
Po ashtu në vendim theksohet që Gjinarari gjatë kohës së provës nuk duhet të shoqërohet me persona të dënuar, dhe as mos të mbajë me vete asnjë lloj arme.
Në vendimin e Gjykatës së Korçës thuhej se Gjinarari është plotësisht i rehabilituar dhe i gatshëm për tu riintegruar në shoqëri, duke argumentuar se një nga arsyet e dhënies së lirisë me kusht është edhe sjella e mirë që i dënuari ka pasur në burg, “shembullore”, – theksohet në vendim.
“I dënuari paraqitet me normalizim të plotë të marrëdhënieve me trashëgimtarët e viktimave nga vepra penale”, thuhet në vendim.