Dokument zyrtar, nga fondacioni “Fëmijët shqiptarë”, që mblidhte miliona Euro për fëmijët e Sali Berishës dhe familjen e Valbona Sokol Hoxhës, duke zhvatur me listë bizneset “VIP” dhe sidomos kompaninë “ARMO”, pasi ia shitën formalisht Rezart Taçit
Fotografia e Sali Berishës, ku ai duket tepër i lumtur gjatë një ceremonie konfidenciale në familjen e Enver Hoxhës dhe pranë tij, konfirmoi se ka qenë i “preferuar” në familjen e diktatorit, ku nuk futeshe dot pa kaluar në shumë filtra biografikë, besnikërie e kontributesh bindëse ndaj kupolës së regjimit.
Në çdo intervistë, Sali Berisha e ka mohuar lidhjen me familjen e diktatorit, ndërsa pasi iu publikuan fotografitë me fëmijët e Enver Hoxhës, në varkën dhe pranë oxhakut të vilës, ai e ka quajtur “ftesë rastësore” nga Liljana Hoxha, kur ishte me pushime në Pogradec.
Ndërsa vetë Liljana Hoxha, për të mbrojtur “pastërtinë” e mikut të saj të preferuar, ka deklaruar disa herë në media, se pas vitit 1990 ata i kanë shkëputur lidhjet familjare me Sali Berishën, madje ajo e ka quajtur “diktator të demokracisë”.
Por një fakt tjetër që po publikon “Pamfleti”, dëshmon se familja “non- grata” e Sali Berishës, jo vetëm nuk i ka shkëputur lidhjet me familjen e ish-diktatorit Enver Hoxha, por i ka fuqizuar ato dhe në biznese që maskohen me logo fondacionesh.
Sipas dokumentit zyrtar, rezulton se në fondacionin “Fëmijët Shqiptarë”, Liri Berisha është ortake me Genc Bogën, bashkëshorti i Valbona Hoxhës, vajza e Sokol e Liljana Hoxhës, që gjatë dy pushteteve të PD kanë përfituar qetësi e pasuri.
Ortake me dyshen Liri Berisha e Genc Boga në këtë fondacion, është dhe Argita Berisha, por e maskuar pas Flutura Kolës, mikeshës, koleges në Fakultetin Juridik e ortakes së saj në studion ligjore “Malltezi&Kola”, me të cilën kanë bërë gjithë transaksionet e Damir Fazlliç.
Familja “non- grata” e Sali Berishës e ka maskuar këtë ortakëri me letra formale, sikur gjoja dhëndri i djalit të Enver Hoxhës, është anëtar honorifik në bordin e fondacionit “Fëmijët Shqiptarë”, por në fakt është ortak në të ardhurat tatimore prej donacioneve dhe aktivitetet gjoja bamirëse në 8 vite të pushtetit “Berisha”.
Po kështu, gjatë pushtetit 2005-2013, ai figuron si konsulent i jashtëm juridik i kryeministrit Sali Berisha për investimet e huaja, por dhe si avokat e konsulent juridik, në shumë transaksione financiare e pronësore të bizneseve dhe qeverisë, si përfaqësues dhe bashkëpunëtor i Argita Berishës në studion e saj ligjore.
Madje, nëpërmjet kompaninë “ACS” në pronësi të familjeve Berisha-Basha, dhëndri Genc Boga i familjes së diktatorit Enver Hoxha, ka qenë bashkë-autor në dokumentarin filmik “Kohën e bëjnë njerëzit”, ku denoncohen dhe dënohen krimet e 45 viteve të diktaturës komuniste. Komentet janë të tepërta./Pamflet