Me gjithë tentativat e Partisë së Lirisë për të mohuar lajmin për një vendimmarrje të Partive Socialiste Evropiane që e përjashton Ilir Metën nga pjesëmarrja nga Kongresi i radhës i PES në Berlin, lajmi është i konfirmuar.
Në email-in që qarkulloi në media aleanca me Sali Berishën i shpallur “non grata” nga amerikanet dhe se fundmi nga britanikët listohej si arsye kryesore se pse drejtuesit te Partisë së Lirisë ishte i padëshiruar në Kongresin e Partive Eurosocialiste Europiane që do mbahet në datat 14-15 tetor në Berlin.
Anulimi i ftesës u mësua se ishte dërguar në tre adresa elektronike, të Lëvizjes Socialiste për Integrim sot Parti e Lirisë, e-mail-in që mbante emrin e Monika Kryemadhit dhe Ralf Gjonit ish zyrtar i LSI.
Gjatë fjalimit që mbajti sot në Mbledhjen e Komitetit Organizator të partisë Meta nuk komentoi përmbajtjen e mesazhit, por foli për lajm të fabrikuar nga selia roze.
“Dje rilindja ndau një lajm se gjoja një shoku i Taulantit më kishte anuluar mua një vizitë në Gjermani që nuk ekzistonte dhe kishte dërguar këtë letër një ish sekretari të LSI që ka qenë para 7 vitesh.
Natyrisht që kjo bëhet për të shmangur vëmendjen nga një sihariq që rilindja i jepte gjithë bandës se inceneratorëve duke inskenuar lirimin e njërit prej të dënuarve në këtë aferë me një arsyetim absurd, pavarësisht se mund të jetë i vërtetë në rastin konkret për çështjen e mbajtjes së fëmijëve”, tha Meta.