Ilir Meta ka vendosur që të mos zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019. Më 4 nëntor, Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën për të shpallur të pavlefshme zgjedhjet, por ka afro 2 muajsh që nuk ka asnjë sinjal për të shpallur zgjedhje të parakohshme në 6 bashkitë në vend që janë pa kryetar.
Për shkak të dekriminalizimit dhe dorëheqjeve janë krijuar vende vakante në 6 bashki, ndërsa Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë kërkuar që të ketë një datë për zgjedhjet vendore për zgjedhjen e kryetarëve të këtyre bashkive që janë pa kryetar.
Ndërkohë, pak ditë më parë, Presidenca reagoi në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë për rrëzimin e kërkesës për shpalljen antikushtetuese të zgjedhjeve vendore. Ishte Bledar Dervishaj, këshilltari për çështjet ligjore i presidentit Ilir Meta, ai i cili bëri publik qëndrimin e Metës, ku u shpreh se Gjykata Kushtetuese, me vendimmarrjen e saj për të deklaruar mungesën e juridiksionit kushtetues, faktikisht e la çështjen pa zgjidhje përfundimtare.
“Gjykata Kushtetuese, për interesa që nuk përkojnë me ato të popullit shqiptar, me këtë vendim hoqi dorë nga ushtrimi i funksionit të saj sublim dhe e shpalli veten jo kompetente, për të mbrojtur të drejtat dhe liritë themelore të shqiptarëve, parimeve dhe vlerave më të larta tona shoqërore e morale mbi të cilat ne si shqiptarë kemi vendosur të ndërtojmë jetën tonë, në një shoqëri me demokraci funksionale”, tha Dervishaj.
Ndërkohë, lideri demokrat Lulzim Basha i pyetur pak javë më parë, nëse PD do të futet në zgjedhjet e pjesshme lokale, ai tha se zgjedhjet e 30 qershorit ishin pjesë e skemës së shkatërrimit të demokracisë nga regjimi në fuqi dhe objektivi kryesor i Partisë Demokratike është të rikthejë Shqipërinë në një vend demokratik nga një regjim autokratik në të cilin është kthyer nën sundimin e Edi Ramës.
6 bashkitë që janë pa kryetar
Ndërkohë, kujtojmë se 6 janë bashkitë pa kryetar në vend. 6 nga 61 bashki, aktualisht drejtohen nga kryetarë të emëruar dhe jo të dalë nga zgjedhjet vendore. Në këtë bashki bëjnë pjesë Shkodra, Durrësi, Vora, Rrogozhina , Dibra dhe Lushnja.
Kështu, në qytetin e Shkodrës, kryebashkiakja Voltana Ademi edhe pse nuk kandidoi në zgjedhje është duke mbyllur mandatin e dytë në krye të kësaj bashkie. Në Durrës, Valbona Sako dha dorëheqjen dhe u zëvendësuar në detyrë nga Emirjana Sako. Po ashtu, edhe Vora po drejtohet nga një kryetar i pazgjedhur me votë, pas largimit të ish-kryebashkiaku Agim Kajmaku.
Ndërkohë, kryetari i Bashkisë Rrogozhinë, Haxhi Memolla u nda nga jeta dhe kjo solli një tjetër bashki që drejtohet nga kryetar i zgjedhur pa votë. Sa i përket Dibrës, kryebashkiaku Dionis Imeraj dha dorëheqjen për të kandiduar për deputet në zgjedhjet e 25 prillit. Ndërsa për lidhur me bashkinë e Lushnjës, ish-kryebashkiaku Fatos Tushe u arrestua nga policia për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh.