Bashkëkryetari i Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri ka reaguar pasi Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi me shumicë votash marrëveshjen e 5 qershorit për amendimet e Kodit Zgjedhor.
Në një shënim në facebook, Gjiknuri teksa falënderon kolegët dhe ndërkombëtarët, shprehet se miratimi i amendimeve është një kontribut i çmuar që klasa politike jep në procesin e integrimit dhe realizimit të konferencës së parë mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian në kuadër të negociatave të anëtarësimit.
“Komisioni Parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut sapo miratoi me shumicë votash amendimet e Kodit Zgjedhor, produkt që u arrit në sajë të punës së bërë fillimisht në Komisionin Parlamentar për Reformën Zgjedhore e më pas edhe negociatave të zhvilluara në kuadër të Këshillit Politik.
Gjej rastin të shpreh falenderimin tim për kolegët deputetë që dhanë votën e tyre në mbështetje të këtij projektligji.
Gjithashtu falenderoj kolegët me të cilët prej shumë muajsh punuam dhe kthyem në projektligj marrëveshjet politike të arritura.
Vlerësim për ekspertët vendas e të huaj që ishin pjesë e këtij procesi dhe mirënjohje pafund për të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë që na mbështetën vijimësisht.
Miratimi i amendimeve në Kodin Zgjedhor është një kontribut i çmuar që klasa politike jep në procesin e integrimit dhe realizimit të konferencës së parë mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian në kuadër të negociatave të anëtarësimit”– shkruan Gjiknuri.