Lëkunden pozitat e kreut demokrat Lulzim Basha. Skandali me lobimet në SHBA gjatë vitit 2017 mund t’i kushtojë shtrenjtë liderit të opozitës, pasi prokuroria ka siguruar prova shumë të forta për këtë çështje. Pak ditë më parë gazeta tregoi se si Drejtoria e Pastrimit të Parave ka dorëzuar një raport me detaje mbi të gjitha transaksionet e PD, por tani prokuroria ka në dorë dhe fakte konkrete mbi lidhjet e disa kompanive të përfshira në lobim. Për këtë arsye prokurori Gjergj Tako ka firmosur 3 fletëthirrje në adresë të SHQUP.
Ai ka kërkuar që të enjten e 21 marsit të paraqitet në ambientet e prokurorisë kreu demokrat Lulzim Basha, ku do të dëshmojë për të gjitha lidhjet që ka pasur me “Biniatta Trade”, Nicola Muzin dhe sa para ka paguar realisht për lobimet. Po ashtu janë thirrur dhe Arben Ristani dhe financieri i PD, Ilir Dervishi. Një shkresë i ka shkuar dhe Sekretarit të Përgjithshëm, Gazmend Bardhi, i cili duhet të paraqitet për tu njohur me aktet e prokurorisë. Pra sinjalet janë se prokuroria e ka kopsitur dosjen e lobimeve dhe pasi të merren dëshmitë e emrave të mësipërm, gjithçka mund të mbyllet dhe të shkojë në gjykatë për gjykim.
Gazeta ka mësuar se prokuroria falë dosjeve që kanë ardhur nga SHBA, ka prova të forta kundër liderit demokrat, pasi është zbardhur e gjithë skema e lobimeve dhe sa para ka paguar realisht PD. Lulzim Basha u vendos nën hetim nga prokuroria, pas një investigimi të bërë nga mediat shqiptare dhe ato amerikane, mbi shpenzimet që janë bërë për lobime në SHBA. PD ka deklaruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve rreth 160 mijë dollarë shpenzime, por në të vërtetë ka rezultuar se ka pasur një kontratë me vlerë 675 mijë dollarë me kompaninë “Biniatta Trade LP”.
Në dosjen nga SHBA, ku jepen fakte mbi shpenzimet reale të deklaruar në Departamentin e Drejtësisë nga kompania lobuese “Biniatta Trade”. Por një dosje për këtë kompani ka ardhur dhe nga Skocia, pasi atje ajo ka selinë dhe po hetohet për pastrim parash. Përmes kësaj dosje prokuroria ka në dorë fakte që tregojnë se pas kësaj kompanie fshihen biznesmenët rusë, Evgeny Sheremetyev dhe Kostantin Ferulev, si dhe persona të tjerë që nuk dihen publikisht. Po ashtu, jepet një skemë e qartë se si “Biniatta Trade” ka bashkëpunuar me kompani guaskë dhe të lidhura me Moskën në emër të PD.
Kontratat e Bashës
Në prag të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit 2017, Partia Demokratike e udhëhequr nga Lulzim Basha lidhi dy kontrata me kompaninë, “Stonington Strategies”, në mënyrë që të siguronte takime të nivelit të lartë me administratën e Presidentit Donald Trump. Të dhënat e publikuara nga Departamenti i Drejtësisë tregojnë se pagesat për kompaninë e lobimit u bënë nëpërmjet dy kontratave të lidhura në fund të marsit nga Partia Demokratike dhe kompania guaskë e regjistruar në Skoci me emrin “Biniatta Trade LP”, të cilat kapin një vlerë totale prej 675 mijë USD dhe ku përfshihen tarifat mujore të firmës si dhe pagesat për shpenzimet e saj.
Kontrata e drejtpërdrejtë e PD-së me “Stonington Strategies” është raportuar në Departamentin e Drejtësisë në SHBA që në muajin mars, ndërsa kontrata me “Biniatta Trade LP” është mbajtur e fshehur për disa muaj dhe është raportuar në mesin e muajit nëntor. Më 14 nëntor 2017, “Stonington Strategies” raportoi në Departamentin e Drejtësisë se ka marrë dy pagesa nga Partia Demokratike me vlerë totale 525 mijë USD dhe një pagesë të tretë nga “Biniatta Trade LP” në vlerën e 150 mijë USD.
Asnjëra prej këtyre pagesave nuk rezulton e deklaruar në raportin financiar të dorëzuar nga PD në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet e 25 qershorit, çka ngre dyshime serioze për origjinën e parave. Mosdeklarimi i të dhënave është shkelje ligjore dhe për këtë arsye prokuroria po heton. Por sipas një investigimi të revistës “Mother Jones” këto para janë arkëtuar nga rusët në mbështetje të PD. Megjithatë prokuroria pritet që shumë shpejt të vendosë fatin e PD dhe liderit të saj. /Kliti Topalli