“The enemy inside” – Armiku brenda – një makth i vjetër i Pentagonit – është një kërcënim i paparashikueshëm, i njëjti që ka frymëzuar serialin televiziv Homeland.
E mbani mend? Protagonisti ishte një sergent i marinsave, i konvertuar në Islam gjatë robërisë në Afganistan, që synonte të vriste presidentin amerikan.
Për strategët e Xhihadit, të kesh ushtarë me uniformë amerikane ka qenë gjithmonë një prioritet.
Baza në Fort Bragg, e sapoemërtuar Fort Liberty për të fshirë kujtimet e së kaluarës, me 50 mijë ushtarë, është tepër e madhe për të treguar një marrëdhënie të drejtpërdrejtë mes atentatorit të New Orleans-it dhe atij të Las Vegas-it, por aty ka nisur aktiviteti i rekrutimit nga Al-Qaida.
Në vitet ’90, aty ka qenë instruktor Ali Abdelsaoud Mohamed, ish-kapiten egjiptian që u bë konsulent i CIA-s dhe oficer në Ushtrinë Amerikane, duke u mësuar Beretave të Gjelbra për Lindjen e Mesme.
Vetëm në vitin 1998, pas masakrave në ambasadat afrikane, u zbulua se ai ishte bashkëpunëtor i ngushtë i Al Zawahiri-t, zëvendësi i Osama Bin Ladenit.
Masakrat ndaj bashkëluftëtarëve
Kanë ndodhur dy sulme të bujshme.
Në vitin 2003, sergenti Hasan Karim Akbar, u quajt Mark Fidel Kools pas konvertimit, hodhi granata në çadrat e kolegëve të tij në Kuvajt, në prag të ofensivës kundër Irakut, duke vrarë dy persona dhe plagosur trembëdhjetë të tjerë.
Gjashtë vjet më vonë, majori Nidal Malik Hasan, me origjinë palestineze, hapi zjarr në bazën Fort Hood, duke vrarë trembëdhjetë ushtarë dhe plagosur tridhjetë.
Të dyja herët, sulmuesit bërtitën “Allah Akbar”, por, pavarësisht kërkesave të akuzës, nuk u njohën si terroristë.
Gjithsesi, ata u dënuan me vdekje për vrasje të paramenduar dhe presin ekzekutimin në “korridorin e vdekjes”.
Shumë sinjale në sjelljen e tyre u shpëtuan hetuesve – Hasan, për shembull, ishte në kontakt me një imam radikal.
Në vitin 2010, ushtari i ri Jonathan Melaku, qytetar amerikan i lindur në Etiopi, kaloi javë të tëra duke qëlluar me armën e tij zyrtare drejt ndërtesave publike në Washington, madje edhe drejt Shtëpisë së Bardhë.
Fushata e parandalimit
Një vit më pas, një komision hetimor zbuloi njëmbëdhjetë përpjekje për të rekrutuar veteranë dhe ushtarë.
Që nga ajo kohë, kontrollet janë intensifikuar.
Në vitin 2018, FBI-ja identifikoi Shivam Patel, i cili ishte kthyer nga Jordania për t’u rekrutuar dhe për të nisur “luftën e shenjtë” nga brenda.
Në vitin 2020, agjentët federalë kapën në një bisedë një ushtar që ishte gati të jepte informacione për ISIS-in mbi aktivitetet e repartit të tij në Lindjen e Mesme.
Rasti më shqetësues ndodhi në vitin 2019 në Itali, mes parashutistëve në Vicenza: Ethan Phellan Melzer, një djalosh njëzetvjeçar, planifikoi një pritë ndaj kompanisë së tij në kufirin mes Turqisë dhe Sirisë.
Ai e kishte veshur uniformën sipas urdhrave të një grupi supremacist, i njohur si “O9A” ose “RapeWaffen Division”.
Kjo organizatë, që glorifikon njëkohësisht Hitlerin dhe Osama Bin Ladenin, mori informacione të detajuara nga Melzer për të orkestruar një sulm islamist që do të detyronte Amerikën të hynte në luftë. Ai u arrestua dhe u dënua me 45 vjet burg.
Zona gri e provokatorëve
Këtu futemi në një zonë gri, ku pretendimet e vërteta xhihadiste dhe provokimet supremaciste bëhen të paqarta.
Edhe në Evropë ka pasur alarm.
Në Gjermani, një oficer neonazist i Bundeswehr-it, i cili kishte krijuar identitetin e një refugjati sirian, u akuzua se donte të vriste një politikan gjerman për t’ia veshur fajin refugjatëve myslimanë.
Në Francë, gjatë një kursi në akademinë Saint Cyr, ai kishte paraqitur një tezë me përmbajtje raciste dhe antisemitiste, por nuk ishte përjashtuar.
Në SHBA, hetimi mbi grupin neonazist Atomwaffe në vitin 2017 vuri nën akuzë gjashtë veteranë, dy prej të cilëve ende ishin në shërbim.
Rasti i fundit, ai i Matthew Livelsberger, ishte veçanërisht shqetësues.
Ai, një lider i forcave speciale dhe ekspert i inteligjencës, supozohej të ishte pjesë e një programi sekret, por shkaqet e veprimit të tij dhe detajet mbeten të paqarta.
Hetimet vazhdojnë.