Nga Adriatik Doçi
Shfletova me një kureshtje të ndezur librin e Liri Berishës. Për disa orë kërkova me dëshpërim nëpër rreshta për të gjetur një fjalë për krimet e burrit dhe birit të saj, Sali dhe Shkëlzen Berishës.
Jo ndjesë. As reflektim dhe pendesë në këtë moshë të thyer dhe të mbushur me kujtime krimesh të tmerrshme dhe të pandëshkuara, por të paktën një fjalë për viktimat e dy burrave më të afërt dhe të rëndësishëm në jetën e saj.
250 faqe libër flet për krimet e të tjerëve, për Nexhmijen dhe Enverin, për dhimbje, lot, izolim, ndarje, të fshehta, letra, besimin, komunizmin, censurën, vuajtjet njerëzore dhe sigurisht për Nënë Terezen, me të cilën është e mërzitur se pse vendosi lule tek varri i Enverit.
Vetëm për bëmat e Saliut dhe Shkëlzenit, asgjë.
Asnjë fjalë për rrëmbimin, torturimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës, pasi pa diçka të ndaluar; takimin e fshehtë të Berishës me Millosheviçin në Shën Naum.
Asnjë fjalë për 27 viktimat e biznesit të Zenit dhe korrupsionit të Berishës në Gërdec.
As për burrin e motrës që humbi jetën në Gërdec dhe për të cilin tha: E zeza unë si nuk i thash (Saliut) që ka një baxhanak!
Asnjë fjalë për urdhërimin e 4 vrasjeve të 21 Janarit në mbrojtje të korrupsionit të Ilir Metës.
Asnjë fjalë për nxitjen e vëllavrasjes në Tropojë që hapi mbi 150 varre, që të gjithë për djem të rinj.
Për urdhrat për pushtimin dhe bombardimin e Jugut, nxitjen e konfliktit të armatosur veri-jug, hapjen e depove të armëve dhe për pragluftën civile të ’97, me mijëra viktima.
Asnjë fjalë për dhunimin dhe përndjekjen e gazetarëve, djegien dhe shkatërrimin e redaksive të gazetave.
Asnjë fjalë për përndjekjen e luftëtarëve të UÇK-së, spiunimin në Beograd, pritat, prerjen në besë dhe godtjen pas shpine të majorëve të UÇK-së.
Për luftën kundër pavarësisë së Kosovës, Rambujesë dhe furnizimin me naftë të Millosheviçit.
Asnjë fjalë për flirtet e burrit me iranianët, celulat terroriste, me Millosheviçin, Arkanin, regjimin e Fidel Kastros, me kinezët, shitjen e detit Greqisë dhe shpalljen ‘non grata’ të të gjithë ambasadorëve të SHBA nga viti 1996 deri më sot.
Asnjë fjalë për zhvatjen e biznesmenëve nga i biri, e bija dhe dhëndri, si taksë familjare, për t’u hapur dyert e qeverisë me në krye Berishën, për leje, koncensione, tendera, përvetësim dhe shfrytëzim të pasurive publike.
Për rrëmbimin e pronave publike dhe private nga dhëndri dhe e bija nga jugu në Tiranë, kalimin në pronësi të të tretëve apo në pronësi të tyre, si dhe për ngritjen e kullave me para të pista.
Asnjë fjalë për financimin nga ish bosi i naftës, Rezart Taçi, me qindra mijëra euro, ndoshta miliona, para këto të fituara nga evazioni fiskal, mashtrimi, shmangia e taksave dhe shfrytëzimi abuziv i pasurive publike nën mbrojtjen e pushtetit të burrit të saj.
Asnjë fjalë për ‘bombardimin’ amerikan të 19 majit 2021 dhe damkosjen si familje e korruptuar.
Sigurisht, asnjë fjalë për Luzim Bashën, tradhtarin e radhës, por jo të fundit. (Shqiptarja.com)