Lewis Hamilton nuk është aspak optimist për garën që do të zhvillohet nesër në mëngjes në Kinë, gara e tretë sezonale e Botërorit të Formula 1. Ashtu si një javë më parë në Bahrein, piloti britanik u klasifikua i katërti në përfundim të provave zyrtare, ndërkohë që të premten dha kohën më të mirë në provat e lira. “Të premten gjërat shkuan më mirë. Ndërsa gjatë provave zyrtare temperaturat ishin më të ulta dhe nuk arritëm që t’i përshtasim ashtu si duhet me gomat”, u shpreh Hamilton.
Britaniku do ta nisë garën nesër nga vija e dytë e startit, me shpresën që të rikuperojë sa më shumë pozicione në start dhe më pas gjatë garës. Por Hamilton është gjithashtu i vetëdijshëm se Ferrari po bën një paraqitje të mirë. “Ferrari është më superiore se Mercedes, po na jep leksione në pistë në çdo garë. Momentalisht është e shpejtë. Por ne duhet të vazhdojmë të punojmë fort, siç kemi bërë gjithnjë. Në garë do të jetë më vapë dhe mund të përfitojmë nga situatat që krijohen”, tha Hamilton.