Biri im! Kjo është një letër nga nëna jote e gjorë.
Më vjen turp të shkruaj, pas një pasigurie dhe pritjeje të gjatë, e mora penën disa herë, por lotët më penguan. Disa herë më janë ndalur lotët, por zemra nuk më lejoi.
O biri im! Pas një kohe të gjatë po të shoh se je rritur, je bërë i pjekur dhe mirë po i rregullon gjërat. Unë e kam një të drejtë, të paktën ta lexosh këtë letër, e pastaj, nëse do, copëtoje ashtu siç ke vepruar me zemrën time.
Biri im! Para 25 viteve për mua ishte një ditë shumë e gëzueshme, atë ditë kur mjekja më njoftoi se isha shtatzënë. Nënat e dinë mirë rëndësinë e këtyre fjalëve, është një përzierje e lumturisë dhe gëzimit me fillimin e shqetësimit dhe shumë ndryshimeve në organizëm. Pas kësaj, të kam mbajtur 9 muaj në barkun tim, me vështirësi jam ngritur, me vështirësi kam fjetur, të kam ushqyer dhe kam marrë frymë me vështirësi, dhe përkundër kësaj, asgjë nuk ma ka pakësuar dashurinë për ty. Përkundrazi, çdo ditë e më shumë ajo rritej dhe mezi kam pritur që të të shoh.
Të kam bartur, o biri im, me vështirësi pas vështirësie, me dhimbje pas dhimbjes, ju gëzohesha lëvizjeve tua (në stomak), i gëzohesha rritjes së peshës tënde, e cila për mua nuk ishte e vështirë. Ato qenë vuajtje të gjata, dhe më vonë erdhi nata kur nuk fjeta aspak, as nuk i mbylla sytë. Pata aq shumë dhimbje të mëdha, sa që asnjë penë nuk mund të shkruaj, dhe asnjë gjuhë nuk mund t’i përshkruaj. Disa herë jam përballur sy më sy me vdekjen, por pastaj u shfaqe ti, vaji yt u përzie me gëzimin tim dhe i largoi dhimbjet dhe plagët.
Biri im! Vitet kalonin, kurse unë të kam mbajtur në krahët e mi, të kam larë me duart e mia, ke fjetur në krahët e mi, të kam ushqyer me qumështin tim, unë kam mbetur pa gjumë vetëm që ti të flesh, e lodhur gjithë ditën të kam mbajtur, vetëm që ti të jesh i gëzuar, që me gëzim ta shikoj buzëqeshjen tënde, me padurim kam pritur që ti nga unë të kërkosh ndonjë gjë, e unë me gjithë zemër të ta jap, dhe kjo për mua ishte kulmi i kënaqësisë.
Ditët dhe netët po kalonin, e unë vazhdova në këtë gjendje, si një gjidhënëse e lumtur, si një shërbëtore e vlefshme dhe të uritur, për derisa u rrite dhe u bëre djalosh. Te ti filluan të paraqiten shenjat e para të pjekurisë, ndërsa unë po kërkoja në gjithë vendin për ta gjetur për ty një nuse të bukur.
Erdhi dita e dasmës, por mua mu nda zemra, më rrodhen lot gëzimi për jetën tënde të re, si dhe për ndarjen nga ty. Kaluan ditë të vështira dhe po shoh se ti nuk je ai të cilin e njoh, më ke mohuar dhe e ke harruar të drejtën time. Ditët po kalojnë, kurse unë nuk po të shoh, nuk po e dëgjoj zërin tënd. Po e urren personin i cili ndaj teje po sillet bukur.
Biri im! Unë po kërkoj vetëm pak. Më kujto mua, të paktën në nivel të shokëve tu, më vendos edhe mua në listën e obligimeve mujore, që të mund të të shoh vetëm pak!
Biri im! Jam dobësuar, më kanë lodhur vuajtjet, edhe sëmundja më ka kapluar, me vështirësi po ngrihem, po lëvizi me vështirësi dhe përsëri zemra ime po mbjell dashuri për ty. Nëse dikush një ditë të respekton, do t’i ishe mirënjohës gjithë jetën tënde, kurse nëna jote që kaq shumë të mira të ka bërë, t’i nuk po ia ven veshin asaj, ajo sillet bukur me ty, kurse ti nuk e shpërblen. Për shumë vite ka qenë shërbëtorja jote, kurse ti i ke harruar të gjitha, deri ku ka arritur arroganca jote!
Biri im! Sa herë që dëgjoj diçka të mirë për ty, edhe unë gëzohem, sepse ti je trashëgimi im, por po çuditem, a thua çfarë mëkati paskam bërë që nuk po më viziton dhe nuk po donë të më shohësh me sy. A ta kam mohuar ndonjë të drejtë tek unë?! Më vendos së paku në pozitën e një shërbëtoreje të zakonshme dhe jepja mëritën e saj. Trego pak butësi ndaj meje, ma jep shpërblimin tim dhe sillu mirë ndaj meje, sepse Allahu i do ata që janë të sjellshëm.
Biri im! Unë po dua vetëm të të shoh, nuk po dua asgjë më shumë se kaq. Më lejo që ta shoh pamjen e fytyrës tënde!
Biri im! Zemra po më qanë, kurse lotët vetë po më rrjedhin. Ti po e vazhdon jetën tënde, ndërsa njerëzit po flasin për moralin tënd të mirë dhe për respektin tënd ndaj tyre.
Biri im! A nuk ka ardhur koha që zemra jote ta mëshirojë një plakë e cila ka vuajtur dhe të cilën dëshira për ty po e mbyt duke pritur. I ke shkatërruar ndjenjat e saj, ia ke lënduar zemrën aq shumë, sa që edhe lotët në sy i janë tharë.
Unë nuk po ankohem dhe nuk po lutem kundër teje, nuk po e tregoj zemërimin tim. Nëse lutja ime i tejkalon retë dhe arrin te dyert e qiellit, atëherë do të arrijë edhe mallkimi im, pastaj mbi ty dhe familjen tënde do të derdhet fatkeqësia.
Jo, unë nuk do ta bëj atë, ti ende mbetesh shpirti im, lumturia dhe burimi i jetës sime. Të jesh i bindur, biri im. Flokët tua kanë filluat të zbardhën, do të kalojnë vitet edhe ti do të plakesh, e shpërblimi është sipas punës. Do t’i shkruash letër djalit tënd me lot në sy, ashtu siç po të shkruaj unë ty. Mos harro se te Allahu mblidhen ankesat.
O biri im! Ki frikë nga Allahu për nënën tënde, ndalja lotët e saj, gëzoje atë në fatkeqësinë e saj, e pastaj, nëse do, grise letrën e saj. Dhe mos harro, kush vepron mirë, e bën për vete, ndërsa kush sillet keq, vetveten e dëmton. (Përkthim)