Nga Ilir Yzeiri
Nëse do të ishim një vend normal, me dinjitet dhe me institucione të konsoliduara, me një shoqëri civile që ruan kufijtë moralë dhe ligjorë të një vendi, me një media të vërtetë, sot Ilir Meta duhet të kishte dhënë dorëheqjen. Atentati që ai i ka bërë Republikës së Shqipërisë është shumë i rëndë dhe mund të krahasohet gati me një përdhosje kufijsh.
Nëse patriotët e akshamit apo ata që vënë kujën për detin, flasin qesim dhe lëshojnë dokrra në hava, nuk e di pse nuk i shohim të thonë gjysmë fjale për këtë skandal të presidentit me pasaportat.
Shqipëria është e ndarë në dysh ashtu siç e pat përcaktuar Sejfulla Malëshova tipin historik shqiptar që u ngjiz në memorien historike me dy figura të kundërta : Skënderbeu nga njëra anë dhe Ballaban Pasha apo Mojsiu nga ana tjetër. Ky vend duket se është mallkuar që në ngjizje të tij dhe nuk është i unifikuar në përkufizimin e atdheut, në kuptimin për të dhe në paraqitjen e tij si një entitet të pacënueshëm.
Shihni se çfarë bëhet sot me problemin e detit. Sali Berisha, Ilir Meta, Lulëzim Basha dhe gjithë zhgani i tyre që, siç u vërtetua nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, kishin nënshkruar një amrrëveshje të padrejtë në rastin më të mirë dhe në dëm të Shqipërisë në rastin më të keq, sot, sjelljen e tyre antishqiptare, e shesin si patriotizëm dhe fajësojnë Ramën e qeverinë e tij që, në mënyrë dinjitoze, e shpëtuan këtë qasje poshtëruese dhe i dhanë një zgjidhje këtij problemi.
Nuk ka vend tjetër në Ballkan që për çëshjte thelbësore që kanë të bëjne me tërësinë territoriale të vendit, me kufijtë dhe problemet e tjera kombëtare, të ketë dy linja : njëra kombëtare dhe tjetra antikombëtare, si te ne.
Kësaj ndarjeje i shtohet tash në fund edhe Ilir Meta me atë që në media ka hyrë si skandali i pasaportave.
Pasporta apo letërnjoftimi është shenja më dinjitoze e një vendi. Në atë dokument është përmbledhur historia, kultura, vendi që zemë ne në botë, vlerat tona dhe gjithçka që e bën të shenjtë vendin tonë. Ne, natyrisht, nuk e kemi lavdinë e vendeve të tjera më të mëdha dhe me më shumë histori se ne, por kemi dinjitetin tonë të patjetërsueshëm.
Ndërkaq, sot, ndërrimi i identitetit kombëtar është një e drejtë legjitime dhe secili ka të drejtë që të përfitojë nga kjo e drejtë e sanksionuar në konventa ndërkombëtare, duke respektuar rigozorisht disa rregulla. Bota po i kapëcen kufijtë e ndarjeve etnike, racore apo gjinore. Globalizmi ka sjellë një realitet tjetër. Mirëpo gjithë ky proces është po ashtu një rrugë e gjatë dhe e sanksionuar në ligje.
Për ne, shqiptarët, është krenari nëse vendi ynë bëhet tërheqës për të huajt dhe ata vendosin të jetojnë, të punojnë dhe të bëhen shqiptarë. Kështu, Shqipëria do të bëhet shumë shpejt një vend i mbarë edhe për të huajt që do të vijnë të kërkojnë këtu te ne një jetë më të mirë. Dhe ne kemi treguar se jemi një vend i hapur dhe pa asnjë kompleks.
Mirëpo, çfarë ka ndodhur konkretisht ? Pikërisht këtë të drejtë të ligjshme të njohur ndërkombëtarisht, Ilir Meta, presidenti ynë aksidental e ka përdhosur. Për mua është e pakuptueshme se përse vijon ta ketë ky institucion këtë të drejtë. Në çdo vend të botës, janë agjencitë e specializuara të emigracionit të kontrolluara rreptësisht nga organet e inteligjencies dhe ato ligjzbatuese që realizojnë këtë prerogativë.
Natyrisht, ne nuk e kishim menduar që në krye të presidencës do të vinte një person si Ilir Meta që e koncepton veten si të jetë një nëpunës banal i gjendjes civile, por, megjithatë, duhet të kishim marrë modelet e vendeve të tjera dhe ta kishim futur këtë proces në hullitë normale të institucioneve të duhura.
Po ashtu, është e paimagjinueshme se si vijon të mbahet ende procedura e dhënies së shtetësisë personave që kanë kontribute të veçanta apo që nuk e di si është formuluar. Unë e respektoj luftën e UÇK-së po ç’lidhje logjike ka heroizimi i tyre me pasaportën shqiptare. Nuk mund ta kuptoj se çfarë ndihmese i kanë dhënë këtij vendi ata personalitete që presidenti i përzgjedh si ata që kanë ndihmuar çështjen shqiptare apo ku di unë tjetër.
Cilët janë këta heronj ? Nuk mendoj se vlerësimi i tyre mund të bëhet me letërnjoftim. Ka mënyra të tjera, ka medalje, nderime dhe tituj apo shpërblime por ç’punë ka pasaporta ? E trajtuar kështu, kjo klauzolë e ligjit ka shërbyer në shumë raste për t’u dhënë pasaportën tonë njerzëve me emër nga Italia, fjala vjen, për të shmagur sistemin e taksave të atij vendi.
Shkurt, letërnjoftimi ynë është bërë një monedhë e shëmtuar shkëmbimi me ndere që nuk përfaqësojnë dinjitetin tonë, por që e përdhosin atë. Aq më tepër ne, shqiptarët, që kemi një histori të dhimbshme me bashkëpatriotët tanë emigrantë nëpër Europë, të cilët jo vetëm që nuk mund ta përfitojnë me aq lehtësi një letërnjoftim në vendet ku jetojnë, por masakrohen me lloj-lloj dokumentesh e kërkesash për të përfituar një leje qëndimi. Ndërsa ne, me Ilir Metën, e kemi bërë pasaportën shqiptare një leckë pa vlerë që e përdorim si ato medaljet e Bashkimeve Profesionale.
Kjo është ana e ulët që na e ka çuar dinjitetin në fund. Ana tjetër më serioze është vullneti i Ilir Metës për t’i bërë atentat Republikës dhe për ta përdorur dinjitetin tonë si një monedhë që ai e shkëmben me këdo që i del përpara. Rasti i dhënies së pasportës për 8 orë fubollistit ganez të Tiranës është skandal që sot duhet ta kishte detyruar Ilir Metën të kishte dhënë dorëheqjen.
Mirëpo, shikoni sa mediokër dhe naiv shfaqet Ilir Meta : ai deklaroi se dokumenti që ka motivuar atë për t’i dhënë shtetësinë shqiptare futbollistit ganez të Tiranës është sekret. « O tempora o mores !» Tani, e kuptoni se çfarë kuptimi ka ky njeri për sekretin shtetëror ? Aq sekret qënka ai dokument sa ne të gjithë duhet të mendojmë se futbollisti ganez është një i ardhur nga një planet tjetër dhe jo njeri që për faj të tij ka falsifikuar dokumentet e lejë qëndrimit.
Në çdo vend tjetër ai do të ishte i detyruar ta lëshonte vendin tonë me ceremoni. Mirëpo ne jemi një vend qesharak sepse presidenti ynë na mallëngjen me sekrete dhe i jep shtetësinë për 8 orë një qytetari të një vendi tjetër që ka një proces gjyqësor për falsifikim.
Po mirë a është edhe presidenti i Republikës i barabartë para ligjit ? Apo ky president është ajo ana e errët e historisë sonë që tradicionalisht e kanë parë këtë vend si një mundësi për ta shkëmbyer për interesa vetjake të ulëta.