Nga Pëllumb Kulla
Mero, mik i shtrenjtë! Jam larg, shumë larg dhe nuk rrij dot pa ndjekur me vëmendje jetën dhe zhurmërimet politike në atdhe. Dhe nganjëherë brengosem aq shumë, po ama aq shumë, sa do të desha të isha edhe tri herë më larg se kaq. Por dje duke e menduar përsënjëzaj, si të kisha një glob përpara, nisa të qeshja se forma e rruzullit tokësor bën që edhe tri herë më larg më takon të jem bash në mes të atyre viseve të dashura.
Pra nuk ka distancë që të më kursejë vuajtjen dhe fyerjen e përditshme që marr më së shumti nëpërmjet gazetës tënde dhe rrugëve të tjera të informacionit.
Mik i vjetër, ti e di se sa i çmoj shkrimet e tua, analizat e qëlluara, rrokjen që u bën ti problemeve dhe jam i bindur që do të ma kuptosh thelbin e kësaj qarje. Dhe më shumë akoma do të më kuptosh se të konsideroj një autoritet të lartë, të cilit ke besim t’i drejtohesh. Mbetesh i tillë edhe pse nga ty i pari do të kërkoja të kthjellohesh dhe të më jepje një përgjigje shterruese për një problem që ti ditëpërditë dhe unë tek tuk, e prekim nëpër shkrimet tona.
Është fjala përsëri, për reformën në drejtësi.
More Mero djali, presim me padurim frutet e ndërmarrjes historike të kësaj reforme dhe pavarësisht dyshimeve në suksesin e saj, a nuk do të jesh në një mendje me mua se ajo nuk po ngrihet në boshllëk total, dhe ne i kemi kthyer kurrizin padrejtësisht sistemit ekzistues të drejtësisë?
Po shtjelloj vetëm një element, një plaçkë që ka shumë kohë që rri e patrazuar në syrin e kësaj drejtësie.
Qeveria shqiptare nënshkroi një marrëveshje me patrtneren greke në lidhje me kufirin detar. Gjykata Kushtetuese e konsideroi të papranueshëm akordin mes dy qeverive dhe gjithëcka po rinegociohet nga një qeveri e re. Qeveria e mëparshme është e pakënaqur me vendimin e Kushtetueses dhe kryeministri i saj, qysh prej gjashtë-shtatë vjetësh ka deklaruar disa herë publikisht se ky vendim është blerë nga palë të interesuara. Për të arritur atë bllokim anëtarët e Gjykatës Kushtetuese janë paguar! Dhe nënkupton që janë paguar që të gjithë, derisa ata burra me toga të kuqe morën një vendim të njëzëshëm.
Kjo është akuza e rëndë plumb, ky është denoncimi i çmuar historik, ose kjo mund të jetë shpifja më e turpshmë që meriton ndëshkimin më të ashpër.
U bënë mbi gjashtë vjet që kjo akuzë qëndron e varur. Asnjë nga anëtarët e asaj gjykate madhore nuk ka lëvizur gishtin. Shtatë anëtarët e saj nuk janë dëbuar e mallkuar, prangosur dhe lidhur në shtyllën e turpit dhe, ndërkohë, ai që e bëri denoncimin dhe po e përsërit nuk u thirr ta vërtetojë që të marrë mirënjohjen e merituar, ose e gjetur si shpifje, nuk i solli shpifësit as edhe një pështymë në surrat!
Sado çalamane të ketë qenë deri tani drejtësia shqiptare kësaj kryeakuze duhet t’i dilte për zot dhe të thoshte se si qëndron e vërteta. Si mundet një shoqëri njerëzore të rrojë në të tilla mjegullnaja?! A nuk është e turpshme që në kohët moderne, në një vend europian, vetëm në një ditë, të mbijnë, të rriten dhe të lulëzojnë kaq shumë akuza dhe kundërkauza mostruoze, shpifje dhe denoncime dhe jeta vazhdon sikur nuk ka ndodhur asgjë?! Si mundet të aklimatizohet një vend me këtë trubullirë?!
Po le t’i lemë thashethemet, kusaritë, tradhëtitë bashkëshortore, fyerjet banale dhe le të ndalemi tek ky shqetësim që unë po sjell tek ty:
Kur në mjedisin e njërës nga gjykatat më të rëndësishme të vendit, anëtarët e saj, në uniforma pompoze dekorative, akuzohen për korrupsion, si nuk japin masivisht dorëheqjen, apo si nuk dërgojnë prapa hekurave një njeri që po pështyn mbi atë dekor që duhet të qe i shenjtë?! Si mund të mos i vihet ngojëza një individi mostruoz, që avash-avash, po bëhen 30 vjet që kulturën e shpifjes e institucionalizoi?!
Është llahtarisht e turpshme! Ligjet janë, kodi penal është, gjykatat kanë qenë dhe janë, opinioni publik është, burgjet janë. Dikush duhet ndëshkuar, edhe pa pritur Premtimin e Madh, që gjithnjë e më shumë rrezikon të bëhet qesharak.
Dëmi më i madh është atmosfera mbytëse, kaosi logjik, por sinqerisht unë nuk rri dot pa u brengosur dhe dënoj me përbuzje situata të tilla që fyejnë inteligjencën e shqiptarëve, që duken si miliona spektatorë të ulur të shohin makroteatrin më të shëmtuar të tëra kohërave! Dhe të ve në pjatë vetëm këtë rast duke lënë mënjanë qindra e qindra të tjerë. Por ky është mjaft për të vërtetuar shprehjen e mënçur popullore që unë e marr shpesh hua:
Nuk është e mundur të ndodhë që edhe ujqërit të ngopen dhe delet të mos pësojnë gjë! Ndodh ose njëra, ose tjetra!
Do ta çmoja shumë të më jepje një përgjigje. Të përqafoj.