Instagrami është një ndër rrjetet sociale që është kthyer në trend dhe po përdoret gjithnjë e më shumë si një mjet përfitimi nga të famshmit. Personazhet e njohur që kanë më shumë ndjekës në Instagram, janë ata që përfitojnë më shumë dhe që paguhen për çdo postim-reklamë.
Në listën botërore të “Pasanikëve të Instagramit” përfshihen një sërë të famshmish që kanë miliona ndjekës si Selena Gomez, Kim Kardashian apo Ronaldo, postimet teke të së cilëve kapin shifrën e 550,000 dollarëve. Por nëse po vrisni mendjen sesa paguhen personazhet e njohur të ekranit shqiptar, “iconstyle.al” sjell një listë me të famshmit që kanë zbuluar shifrat.
Moderatorja Roza Lati ka qenë ndër të parat që ka folur troç se Instagramin e përdor edhe për qëllime fitimi. Në një intervistë në 2017-n, Roza ka treguar se merr 500 -600 euro vetëm me një postim, por mund të ketë edhe pagesë mujore. Mirëpo e ftuar dje në emisionin e pasditës “Rudina”, Roza ka treguar se është paguar edhe 1000 euro për një postim.
Arjon Muça – 44 mijë ndjekës
Arjon Muça ka zbuluar gjithashtu shumën e madhe që ka marrë për një postim në Instagram. I ftuar në “Pop Culture”, ish-banori i BB, ka ndarë disa sekrete nga jeta e tij private, mes të cilave edhe se është paguar 1000 euro për një publikim.
Olti Curri- 155 mijë ndjekës
Një interes të madh ka pasur edhe për shifrën e Olti Currit, i cili nuk ka ngurruar të thotë se pagesa e tij është e lartë, pikërisht falë reklamave që bën në faqet e tij në Instagram dhe Facebook.
“Është pyetje çik e sikletshme, megjithatë pagesa ime aktualisht vjen nga reklamat që bëj në Instagram dhe Facebook dhe dua të them se në muaj shkon sa dyfishi i rrogës zyrtare të kryeministrit shqiptar”, ka thënë Olti.
Nuk e dimë nëse Olti e ka pasur seriozisht duke qenë se rroga e deklaruar e kryeministrit për 2017-n ishte 228 mijë lekë të rinj. Kjo e bën Oltin personazhin e njohur shqiptar më të paguar deri më tani.
Ilda Bejleri – 333 mijë ndjekës
Burimë për “iconstyle.al” kanë treguar se moderatorja simpatike paguhet afërsisht 500 euro për 5 postime, që i bie minimalisht 100 euro për një postim.
Rashel Kolaneci – 338 mijë ndjekës
Edhe pse e shkëputur tashmë nga ekrani, Rashel ka arritur të ketë 338 mijë ndjekës. Sipas një burimi për “iconstyle.al”, paga minimale që merr ajo për një postim në Instagram është 300 euro. Megjithatë rikthimi i saj në ekranin e televizionit “Klan” si konkurrente e “Dance With me”, pritet që të jetë një sukses i madh për ish-velinën edhe në këtë drejtim.
Sonny K Elson – 92,5 mijë ndjekës
Ai njihet për numrin e madh të ndjekësve, kryesisht modele dhe modelë. Por përpos faktit që ka një profil personal me një numër ndjekësish të përzgjedhur, fotografi i njohur Sonny K. Elson ka dhe një profil profesional me një numër të madh ndjekësish. Ai ka treguar për “iconstyle.al” se paguhet minimalisht 100 euro për një postim.