Pasditen e 5 tetorit u nda nga jeta në moshën 94-vjeçare Sulejman Maliqati, “Nderi i Kombit”.
Ai njihej si “macja e zezë” e portës shqiptare dhe u kthye në legjendë në vitet ’50-’60.
Megjithë përkujdesjen e mjekëve, gjatë ditëve të fundit, pas dëmtimeve të pësuara nga një rrëzim, ai u nda nga jeta duke lënë pas trishtim e dhembje.
Maliqati ka hyrë në librin e artë të futbollit tonë, si portieri fluturues, mbrojtësi i shkëlqyer i portës, pjesë e ekipeve të Besës së Kavajës, Partizanit, Lokomotivës dhe ekipit kombëtar.
Tre vite më parë, Top Channel i kushtoi një kronikë një nga portierëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave në futbollin shqiptar.
Mosha nuk e pengoi aspak Maliqati të ishte aktiv e të gëzonte çdo moment vëmendjen e të afërmve dhe dashamirësve të futbollit. Ai shprehej se është ndjerë i vlerësuar nga të dyja regjimet, para dhe pas ’90-s, pasi profesionalizmi i tij ishte i padiskutueshëm.
“Më kanë dashur shumë. Edhe atëherë, edhe tani. Në fillim kam luajtur 5 vjet në Kavajë. Që nga viti 1949 kam luajtur me kombëtaren. Kam qenë së bashku me shokun tim Qemal Vogli. Për herë të parë luajtëm në Hungari. Isha 19 vjeç. Në kombëtaren hungareze luanin emra të mëdhenj, si Pushkash, Hidegkuti etj. Ne patëm ca fatkeqësi. Disa lojtarë i lamë këtu. Buthe Vathi e Bahri Kavaja u arratisën, u hodhën nga anija në Dardanele. Kur shkuam ishim portierë Qemal Vogli dhe unë, po skuadrës i mungonin lojtarë të mirë dhe ishte si të mos luaje fare. Përballë ishte Hungaria që kishte rrahur thellë Anglinë dhe Italinë. Në pjesën e parë ishte Qemali dhe pësoi 8 gola. Në pjesën e dytë hyra unë. Në Çeki humbëm 3-0 dhe në Rumani u rrahëm 6-0. Nuk pati shumë rezultat se u shpërbë ekipi”- u shpreh portieri para tre vitesh për Top Channel.
Karriera e tij nisi në vitin 1949 për të vijuar në dy dekada si karrierë e një portieri idhull, që mund të luante në ligat më të forta të Europës. Po ishin kohë të tjera dhe merkatot e futbollit në kampin lindor as nuk mendoheshin, ndërsa ai vetë u shpreh se as nuk e kishte kaluar nëpër mend arratisjen.
“Kam qenë i varfër te familja ime, 11 fëmijë, dhe mua më dhanë sytë, shpirtin. Më bënë portier dhe u bëra mësues. Nuk kisha pse të arratisesha. Është ajo fjala popullore që thotë: Guri i rëndë në vend të vet”, u shpreh ai më tej.
Maliqati shkëlqeu në 16 sezone me Partizanin, duke u bërë një ndër pikat më të forta të skuadrës që kishte në gjirin e saj dhe futbollistë të tjerë kalibri si Papadhopulli, Pano, Resmja, Ndini, etj. Me të kuqtë u shpall 8 herë kampion i Shqipërisë nga viti 1949 deri në 1964, ndërsa shijoi dhe fitoren e 5 kupave të Shqipërisë, si dhe pjesëmarrjen në ndeshjet e kombëtares shqiptare jashtë vendit.