Në një analizë të gjatë, Afrim Krasniqi ka sqaruar me detaje arsyen pse kërkon që shteti shqiptar ta marrë me seriozitet këtë çështje.
Pasi kur kërkon në “Google” për figurën e Skënderbeut, shfaqen vetëm informacione të ndryshme rreth akuzave për trukim kundrejt klubit të futbollit shqiptar që mban këtë emër.
Madje ai nuk kursehet edhe me presidentin e këtij ekipi ndërsa e cilëson përgjegjës për dëmtimin e emrit të Skënderbeut.
“Le ta quajnë FK Takaj apo FK Bode, FK Zeqo apo FK Filo, le të sheshin e të blejnë gola e birra, redbull apo kasa fiskale, apartamente në bregdet apo vila turistike, siç kanë bëre e vijojnë të bëjnë edhe shumica e ekipeve të “suksesshme” të tranzicionit në Shqipëri; le të organizojnë festa e mitingje në rrugë; le ta përdorin si të duan, por as ata dhe askush nuk ka të drejtë të përdorë emrin e simbolit kombëtar për asnjë formë trafikimi, fitimi, abuzimi dhe krimi”- shkruan më tej Krasniqi.
Postimi i Afrim Kransiqit
Shqipëria zyrtarisht është ende “në vitin e Skënderbeut”. Bëhet fjalë për Gjergj Kastriotin e viteve 1405-1468 që ne kemi simbol i shoqëri, shtet e komb, – arbrin e famshëm për të cilin ka më shumë studime e botime të huaja sesa për çdo shqiptar tjetër në histori, – për simbolin e krijimit të shtetit, identitetit dhe orientimit evropian të shqiptarëve, – për njeriun që nderohet sot me buste, sheshe e monumente në 29 shtete të ndryshme të botës. Ky pra është Gjergj Kastrioti – Skënderbeu ynë që duhet të nderonim, dhe përmes nderimit, duhej të tregonim se e meritojmë kujtimin e trashëgiminë e tij.
Duke hulumtuar raportimet 2017-2018 në mediet ndërkombëtare mbi figurën e Skënderbeut, gjen të papriturën dhe turpin e madh që të gjithë e kemi parasysh dhe nuk e shohim, nuk e ndjejmë dhe për të cilin as nuk mund të flasim. Lajm dominues mbetet vendimi i UEFA për dënimin e Klubit të Futbollit “Skënderbeu” (http://ëëë.insideëorldfootball.com/2018/06/15/matchfixing-skenderbeu-lose-first-round-cas-appeal-european-ban-stayed/), lajm që gjendet në çdo media të rëndësishme perëndimore e rajonale. Çfarë lidhje ka Skënderbeu i madh i Kuvendit të Lezhës me Skënderbeun e llotove dhe oligarkëve të tjerë të biznesit sportiv në Shqipëri? Asnjë. Përse duhet që emri i madh të baltoset kaq shumë dhe kaq banalisht nga matrapazët e sportit? Përse qytetarët e Korçës, këshilli bashkiak, FSHF dhe edhe Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë duhet të mbyllin sy e veshë duke toleruar një poshtërim kaq banal të simbolit, emrit dhe domethënies që ka për ne Gjergj – Kastrioti (Skënderbeu) i pafajshëm?
Zgjidhja është dhe mbetet vetëm një: në momentin kur çështja mori trajtim institucional, do të duhej që adhuruesit e shtetit, ligjit, moralit, historisë dhe identitetit, – të ngrinin zërin dhe të bënin ndarjen e menjëhershme zyrtare dhe publike të Skënderbeut nga ekipi i 20 -30 punëtorëve të topit të krijuar nga koalicioni korruptiv i pushtetit të djeshëm dhe të sotëm politik e financiar. Le ta quajnë FK Takaj apo FK Bode, FK Zeqo apo FK Filo, le të shesin e të blejnë gola e birra, redbull apo kasa fiskale, apartamente në bregdet apo vila turistike, siç kanë bëre e vijojnë të bëjnë edhe shumica e ekipeve të “suksesshme” të tranzicionit në Shqipëri; le të organizojnë festa e mitingje në rrugë; le ta përdorin si të duan, por as ata dhe askush nuk ka të drejtë të përdorë emrin e simbolit kombëtar për asnjë formë trafikimi, fitimi, abuzimi dhe krimi.
Kjo aventurë duhet të marrë përgjigje zyrtare dhe të ndalet sa më parë. Me forcën e ligjit, moralit, qytetarisë dhe sensin e shtetit. Sa më parë, aq më shpejt. Për këtë ia vlen edhe një ligj në parlament, edhe një vendim konsensual në këshillin bashkiak Korçë, edhe një akt normativ i qeverisë, edhe shumë më tepër sesa kaq. Nëse nuk jemi të aftë ta nderojmë sa e si duhet, të paktën brezat e sotëm kanë detyrimin të mos e dëmtojmë imazhin dhe emrin e tij, të mos e baltosim me gabimet e fajet tona të vjetra e të reja, – ta “çlirojmë” Gjergjin nga turpi dhe denigrimi që i kemi bërë indirekt në raportimet e në mediet perëndimore, – pra minimalisht të mos sillemi me të njësoj si Sulltanët pushtues / asimilues që pasuan ndarjen e tij nga jeta.