Largimet nga Lëvizja Socialiste për Integrim dhe zvarritja e strategjisë së zgjedhjeve nga kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha duket se kanë shkaktuar një tërmet të vërtetë në Presidencë.
Qysh kur erdhi në krye të këtij institucioni, presidenti Ilir Meta e ka kthyer Presidencën e Shqipërisë në një zyrë të LSI, ndërkohë që gjithashtu ai është zhveshur nga kostumi i kreut të shtetit dhe ka përveshur mëngët për t’i dhënë ndihmë kësaj partie, për të parandaluar sa mundet shkrirjen e saj.
Por zhvillimet e ditëve të fundit dhe koordinimi mes kryeministrit Edi Rama dhe kryedemokratit Lulzim Basha, tregojnë qartë se Partia Socialiste dhe PD po shkojnë drejt skenarëve të vitit 2017, pasi janë bërë bashkë kundër LSI. Kjo strategji ka trembur tejmase presidentin Ilir Meta, i cili mësohet se po lëviz të gjithë gurët për të ndaluar “vrasjen” e ish-partisë së tij.
Largimet nga LSI dhe zvarritja e strategjisë nga Basha
Kështu burime të sigurta nga Presidenca i pohuan gazetës se ky institucion së fundmi është kthyer në një zyrë dhe po shtab elektoral i Lëvizjes Socialiste për Integrim, ku të gjitha vendimet dhe strategjitë i ka marrë në dorë vetë zoti Meta.
Mësohet se ky i fundit është alarmuar tej mase, për shkak se afati i regjistrimit të koalicioneve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve po afron, Lulzim Basha ende nuk ka një marrëveshje me LSI sa u takon listave, duke e lënë këtë parti në ankth. Nga kjo pikëpamje sipas informacioneve, mësohet se këtë zvarritje kreu i shtetit po e shikon si të qëllimshme nga ana e liderit demokrat, në mënyrë që të dëmtojë sa mundet atë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, pasi çdo kohë e humbur është në dëm të partisë së Kryemadhit.
Kjo do të thotë se kjo skemë është e njëjtë si ajo e 17 majit të katër viteve më parë, kur Basha dhe Rama i kapën në befasi, ndërsa hynë në zgjedhje pa koalicione, ku për pasojë Lëvizja Socialiste për Integrim ishte partia më e dëmtuar. Pra edhe tani shefi i selisë blu po aplikon të njëjtën strategji për të dëmtuar LSI-në, ndërkohë që kjo e fundit e ka nuhatur këtë gjë dhe ka nisur të prezantojë kandidatët për deputet, pa pritur përgjigje nga Basha, se me sa lista do të hyjë opozita në zgjedhjet e 25 prillit.
Ndërkohë një tregues që tregon se Rama dhe Basha janë bërë bashkë kundër dyshes Meta-Kryemadhi, është Kodi i ri Zgjedhor që i hapi rrugë heqjes së koalicioneve zgjedhore, pasi vetëm LSI dhe kreu i shtetit i kundërshtuan fort këto ndryshime. Por teksa PD me heshtjen dhe mosreagimin e saj po dëmton LSI-në, kjo parti është përfshirë edhe nga një fushatë e madhe largimesh, ku shumë figura dhe eksponentë të saj kanë ikur apo i janë bashkuar PS-së.
Kështu që në kushtet kur LSI rrezikon tatëpjetën, Meta ka vendosur të zbresë vetë në fushën e betejës, duke u investuar me të gjitha forcat në ndihmë të saj, me shpresë për të parandaluar një 17 maj të dytë mes Ramës dhe Bashës. Mirëpo këto nuk janë të vetmet që kanë tmerruar Metën, sepse mësohet se ai është alarmuar edhe nga roli i ndërkombëtarëve.
Këta të fundit e kanë braktisur kreun e shtetit dhe kreun e LSI, duke mos i takuar, ndërkohë që me Bashën dhe Ramën kanë zhvilluar herë pas here takime, madje ka zëra se ata mbështesin në prapavijë edhe një bashkëqeverisje PD-PS pas 25 prillit. Kështu që referuar edhe majit të 2017, ku “kumbarë” të paktit mes Bashës dhe Ramës, ishin ndërkombëtarët, Meta edhe këtë herë i druhet një “Deja Vu” dhe po përpiqet me çdo kusht ta ndalojë një gjë të tillë, duke i bërë presion dhe çuar mesazhe të koduara liderit demokrat.