Përcillet për në banesën e fundit Muhamet Liko, humoristi vlonjat që ndërroi jetë pak ditë më parë në Itali në moshën 64-vjeçare si pasojë e një ataku kardiak. Mesditën e sotme në teatrin “Petro Marko” u zhvilluan homazhet ku miq, të afërm, familjarë, por edhe shumë personalitete mes tyre artistë i dhanë lamtumirën e fundit parodistit të njohur.
Pa dyshim që dhimbja ishte e madhe edhe për dy parodistët e tjerë Agron Hamo dhe Afrim Agalliu që sot i dhanë lamtumirën mikut të tyre. “Është një moment shumë i vështirë jo vetëm për familjen, por edhe për ne që punuam një jetë të tërë bashkë, 42 vite. Kjo është dhimbje e madhe për të gjithë artdashësit shqiptarë dhe këtë e kemi ndier këto ditë që Metin që nuk e kemi.
Meti do të mbetet një nga figurat më të shquara të humorit shqiptar, ai nuk i përkiste vetëm Vlorës, por humorit shqiptar. Metin nuk do ta kemi fizikisht, por do ta kemi në mendjen dhe zemrën tonë. Lamtumirë Meti i dashur. Meti e kishte emrin Muhamed dhe e iku natën e Kadrit dhe sot ditën e Bajramit e përcjellim. Dheu qoftë i lehtë” tha Afrim Agalliu.
Ndërsa Agron Hamo u shpreh se Meti i përket të gjithë Shqipërisë më atë që ka bërë. “Ishte lezeti, kripa, njeri i mirë, familjar model. Nuk kanë të shteruar fjalët. Ky është Meti, kanë ardhur nga e gjithë Shqipëria. Është shumë e vështirë ti thuash lamtumirë”.
Agron Llakaj u shpreh se në memorien e shqiptarëve do të mbetet përgjithmonë ajo që Muhamet Liko ka lënë mbrapa. “Vërtetë largohet Meti, por nuk largohet gjithçka që ai ka lënë mbrapa, për mua ata janë katër musketjerët dhe kështu do të mbeten në memorien e shqiptarëve dhe të humorit shqiptar. Ne si kolegë të tij e përjetojmë ndryshe nga të tjerët. Kemi pasur fatin të kalonim një rrugëtim të bukur. Ishte një njeri i mrekullueshëm. Është një humbje e madhe për të gjithë Shqipërinë. Nuk e dija që kjo do të ishte shfaqja e fundit….” tha ai.
“Dhimbje e madhe. Shpirti m’u vra kur e mora vesh. Mbushi me gaz gjithë këtë komb të mërzitur me halle. Na fiku. Meti do të mbesë në zemrat tona” tha aktori i njohur shkodran Zef Deda. Ndërsa Mirush Kabashi u shpreh se “Meti kishte vlerë të jashtëzakonshme, na kanë dhënë kënaqësi të madhe. Kam bindjen që edhe këta të dy që kanë mbetur do ta vazhdojnë këtë traditë. Ata të katërt qëndruan me miqësi jo vetëm artistike, por edhe familje duke dhënë shembullin e qytetarisë, janë të rrallë.
Është një dhimbje e madhe për qytetarët dhe për kombin, pasi kishte moshë për të na gëzuar dhe për të na bërë që ti vendosim gishtin kokës për problematikat që kemi. Ishte aktor i madh i jashtëzakonshëm. Ata janë monumentet që kanë ngritur vlerat e Vlorës”.
Për Luftar Pajën ai ishte gur xhevahiri. “Meti ishte një gur xhevahiri që i kanë dhënë bukuri dhe lezet të gjithë Shqipërisë. Më vjen keq nga ajo katërshe që u shkëputën disa kokrra si Meti, por këta njerëz kanë lënë një pasuri kaq të madhe sa do të mbeten të pavdekshëm. Meti e bëri detyrën më së miri”. Muhamet Liko vuante prej kohësh nga sëmundja e zemrës, ndërsa ishte për kurim në Itali. Pas kontrollit shëndetësor ai pësoi një atak kardiak që i mori jetën. Liko numëron qindra role në skenën e humorit me një aktivitet 41- vjecar në skenë.
Ai mban shumë tituj dhe çmime për artin që ka transmetuar tek njerëzit, ndërsa së fundmi ishte vlerësuar nga Presidenti i Republikës me titullin “Mjeshtër i madh”. Lika la pas dy fëmijë dhe gruan e tij. Ndarja nga jeta e Muhamet Likës është një humbje e madhe për artin dhe kulturën shqiptare. Katër paraodistët Afrim Agalliu, Agron Hamo, Mane Lumani dhe Muhamet Liko u shfaqën së bashku për herë të fundit vetëm disa ditë më parë në skenën e teatrit ‘Petro Marko”. Liko duartrokiti parodistët e rinj të estradës së re në Vlorë dhe më pas u nis për kontrollin në Itali por nuk ia doli dot.