Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit të Kosovës. Në fund të mbledhjes së Qeverisë ai ka bërë të ditur se ka dhënë dorëheqje të parevokueshme. Lidhur me arsyet e këtij vendimi Haradinaj tha se ka marrë thirrje për t’u marrë në pyetje nga Gjykata Speciale si i dyshuar.
I prekur e me emocione Haradinaj ka folur para mediave duke dhënë edhe arsyet. Ai tha se nuk mund të intervistohet nga Specialisja si kreu i qeverisë dhe se e ka marrë këtë vendim për të ruajtur nderin e shtetit.
“Sapo e informova qeverinë dhe pastaj do informoj dhe institucionet e tjera dhe partnerët politikë. Kam dhënë dorëheqje të parevokueshme nga funksioni i kryetarit të qeverisë. Pra, nga ky moment jemi në dorëheqje si qeveri.
Arsyeja është se jam ftuar që të intervistohem si i dyshuar nga dhomat e posaçme, pra Gjykata Speciale. Javën tjetër do të kem paraqitjen. Nuk mund të paraqitem si kryetar i qeverisë por si një qytetar, si Ramush Haradinaj për të ruajtur nderin e kryetarit të qeverisë dhe të shtetit, kam vendosur që është e drejtë të jap dorëheqjen”, deklaroi Haradinaj para mediave.
“Pas kësaj dorëheqje mandatin ia kthej popullit, ju jemi të parët që iu informoj qeveria e vendit vazhdon të kryej funksionet e veta pa krijuar vakuum, do i informojë zyrtarisht gjitha institucionet relevante do i mbes gjithnjë besnik atdheut, ishte ndër të i shërbej vendit, dorëheqja është e parevokueshme”, ka thënë ai.
“Përgjegjësia tani kalon te presidenti për të filluar konsultat për të caktuar datën e zgjedhjeve. I ofrohem prapë popullit për të marrë besimin. Nuk jam i akuzuar, por intervistohem. Garoj në zgjedhje edhe unë edhe subjekti im. Por s’kam mundur ta qoj shtetin dhe kryetarin e qeverisë sepse do t’ia rëndoja Kosovës dhe e kam marrë këtë vendim”, ka thënë Haradinaj.
“S’e kam zgjedh këtë realitet. Nuk mendoj se e meriton t’ia bëj këtë Kosovës dhe nuk e bëj”, ka shtuar ai.