Zyrtarët ukrainas dhe ata rusë janë shprehur optimistë për bisedimet që po zhvillojnë për luftën në Ukrainë, duke sugjeruar se mund të ketë rezultate pozitive brenda ditësh.
Ukraina tha se është e gatshme për negociata, por nuk do të pranojë asnjë ultimatum.
“Në parim, ne nuk do të pranojmë asnjë lëvizje qëndrimi. Rusia tashmë e kupton këtë. Rusia veçse ka nisur të bisedojë në mënyrë konstruktive”, tha negaciatori ukrainas, njëherësh këshilltar i Presidencës, Mykhailo Podolyak.
“Mendoj se do të arrijmë disa rezultate brenda ditësh”, tha ai përmes një video-mesazhi.
Ndërkaq, agjencia e lajmeve ruse RIA, ka cituar zyrtarin e delegacionit rus, Leonid Slutsky, të ketë thënë se në bisedime është arritur përparim substancial.
“Sipas pritjeve të mia personale, ky përparim mund të rritet në ditët e ardhshme dhe të arrihet deri te një qëndrim i përbashkët i të dy delegacioneve, duke nënshkruar edhe dokumente”, tha Slutsky.
Asnjëra palë nuk ka treguar se për çfarë marrëveshje bëhet fjalë.
Podolyaka tha se Rusia po dëgjon me kujdes propozimet e Ukrainës.
“Kërkesat tona janë: dhënia fund e luftës dhe tërheqja e trupave ruse. E shoh se ata po e kuptojnë këtë dhe ky është dialogu2, tha ai.
Ukraina dhe Rusia kanë zhvilluar tri runde bisedimesh në Bjellorusi. Kryediplomatët e të dy shteteve janë takuar po ashtu në Antali të Turqisë.
Palët po bisedojnë edhe përmes platformave online, kanë bërë të ditur më 12 mars zyrtarët ukrainas.
Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt. Për shkak të agresionit rus ndaj Kievit, shtetet perëndimore kanë vendosur sanksione të ashpra ndaj Moskës.