Një nga futbollistët e rinj më të mirë të Shqipërisë, Armando Broja, u dëmtua në një ndeshje miqësore të Çelsit dhe dëmtimi ka qenë në një shkallë të tillë që e ka penalizuar së tepërmi dhe mediat sportive angleze flasin për mbylljen e sezonit për lojtarin shqiptar.
Në fakt, që në ditën që ndodhi dëmtimi në fushë, vetë stafi i Çelsit kishte paralajmëruar më të keqen, përfshi dhe trajnerin, i cili dukshëm ishte shqetësuar për situatën që preku lojtarin e tyre dhe të Kombëtares Shqiptare. “Sezoni i Armando Brojës mund të cilësohet i mbyllur”, kështu e nisin shkrimin e tyre mediat britanike të lidhura me Çelsin.
Është pikërisht kjo që aludohet në mediat sportive britanike sa i përket dëmtimit të tij në miqësoren mes Çelsit dhe Aston Vilës dy ditë më parë. Futbollisti shqiptar ra në dorë duke shtrënguar gjurin dhe u largua me barelë mes dhimbjeve. Ai u dërgua për teste specifike dhe sipas “The Evening Standard”, rezultatet e tyre nuk kanë qenë shpresëdhënëse për një rikuperim të shpejtë.
Ndërsa pritet konfirmimi i Çelsit, ky burim sqaron se Broja ka këputje të ligamentit të gjurit ndaj do të duhet medoemos të operohet. Një gjë e tillë do të thotë rreth 6 muaj larg fushave të lojës, ndaj Broja nuk pritet të jetë aktiv në pjesën e mbetur të sezonit, me rifillimin e atij të ardhshëm si momentin kur do ta rishohim përsëri në fushën e lojës.
Nëse konfirmohet ky variant, sulmuesi pritet të humbasë edhe ndeshjet e përfaqësueses kuqezi në eliminatoret e Euro 2024 duke filluar nga ajo e marsit ndaj Polonisë, për të vazhduar me ato të qershorit ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe. Mungesa e tij do të ndihet në Kombëtare por edhe tek Çelsi për pjesën e dytë të sezonit në Premier League angleze, ku ai kishte projektuar shumë ëndrra.