Pavarësisht kundërshtive të deputetëve Spartak Braho, Bashkim Fino dhe Erjon Braçe, Arben Shehu duket se do të jetë pasardhësi i Bujar Leskajt në krye të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Pak ditë më parë Komisioni i Ekonomisë mes debateve me 5 vota pro, 1 abstenim dhe 2 kundër miratoi propozimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta për Arben Shehun në krye të KLSH.
Ndërkohë që ditën e sotme zoti Shehu pritet të marrë votëbesimin në seancën plenare. Gazeta ka siguruar rendin e ditës që pritet të diskutohet sot, ku mes shumë çështjeve është edhe votimi i dekretit të kreut të shtetit për Kontroll të Lartë të Shtetit. “Dekreti i Presidentit të Republikës nr. 11.498, date 04.06.2020, “Për propozimin e Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit””, thuhet në njoftim.
Deputetët e PS pritet të votojnë pro Shehut
Por duke qenë se në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste pati debate për shkak se deputetët Fino, Braho dhe Braçe shprehën pakënaqësi ndaj kandidaturës së Arben Shehut, socialistët morën vendim për ta votuar në seancën e sotme të Parlamentit.
Deputetët e PS pritet të votojnë pro Shehut sot duke e mandatuar si kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit, pasi janë porositur dje që vendimi është politik dhe se të gjithë duhet ta respektojnë atë. Por ata theksuan se vendimi është marrë qysh në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar socialist dhe se do të votohet pro propozimit të presidentit Ilir Meta për kryetar të KLSH.
Sidoqoftë, mbetet të shihet sot se çfarë do të ndodhë më konkretisht. Ndërkohë, në rendin e ditës së seancës së sotme plenare është parashikuar që të votohet, pra të rrëzohet edhe dekreti i presidentit Meta për ligjin për përmirësimin e zonave të biznesit, i cili u kthye për rishqyrtim nga kreu i shtetit. “Dekret i Presidentit të Republikës 11.505, date 08.06.2020 “Për kthimin në Kuvend të ligjit nr. 63/2020 “Për përmirësimin e zonave të biznesit (BID)””, thuhet në njoftim.
Drafti anti-KÇK për sekuestrimin e pronave k.riminale
Po ashtu me interes sot pritet edhe se si do të votohet sa i takon draftit anti-KÇK për sekuestrimin e pronave kriminale. Ky projektligj mori dritën jeshile në komisionet parlamentare, ndonëse ndryshimet e propozuara në lidhje me Agjencinë e Konfiskimit të Pasurive u bënë shkak i një debati mes deputetëve socialistë dhe ministrit Lleshaj në Komisionin e Ligjeve. Socialistët kundërshtuan menaxhimin 100 për qind të parave të krimit nga Agjencia e Konfiskimit të Pasurive.
Ndërkohë që sot ky projektligj do të votohet në seancën plenare. “Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.10.192, date 3.12.2009, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, të ndryshuar””, thuhet në njoftimin e Kuvendit. Më herët gjatë raportimit në Komisionin e Ligjeve, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj u shpreh se paratë e sekuestruara nga krimi i organizuar do të përdoren për të luftuar krimin.
Madje, zoti Lleshaj kërkoi që një përqindje të shkojë si shpërblim edhe për punonjësit që do të përfshihen në luftën kundër krimit të organizuar. “Është vendosur një limit, një fond që shkon deri në një masë 5%, i cili do të përdoret për të motivuar punonjësit që janë përfshirë dhe që kanë arritur rezultate konkrete në këtë proces të rëndësishëm”, deklaroi pak ditë më parë ministri Lleshaj.