Kuvendi pritet që të rrisë kontrollin ndaj institucioneve inteligjente në vend. Deri më sot Shërbimi Informativ i Shtetit, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat si dhe Shërbimi Informativ i Ushtrisë japin llogari një herë në vit përpara Komisionit parlamentar të Sigurisë. Ndryshe nga institucionet e tjera të pavarura, projekt rezolutat nuk miratohen në seancë plenare, ku po ashtu dhe krerët nuk mbajnë fjalim përpara deputetëve.
Por kjo mënyrë raportimi është parë me shqetësim nga kryetarja e Komisionit të Sigurisë Ermonela Felaj. Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve të datës 18 mars, Felaj ka kërkuar që të ketë më shumë llogaridhënie nga këto institucione. Sipas saj, raportimi nuk duhet të përqendrohet vetëm në Komisionin e Sigurisë, por të jepet llogari para deputetëve.
“A mendoni se ka ardhur momenti që raportet lidhur me këto institucione apo rezolutat për punën e tyre t’i miratojë vetëm Kuvendi i Shqipërisë, sepse puna është e mbyllur dhe janë vetëm anëtarët e Komisionit të Sigurisë që kuptojnë se çfarë ndodh në këto institucione, por Kuvendi nuk është i informuar? Kështu që unë besoj se duhet të ndryshojmë qasje, sepse dihet që puna e tyre lidhet me rendin, me sigurinë, me sigurinë kombëtare në veçanti, por mendoj se duhet të kemi një informacion më të përgjithshëm, natyrisht në ato linja që nuk cenojnë konfidencialitetit.
SHISH-i ka raportuar në Komisionin e Sigurisë, sot do të raportojë SHÇBA-ja. SHISH-i tha se së shpejti do të marrin miratim për raportin nga presidenti dhe kryeministri, të cilin duan ta bëjnë publik”, tha Felaj.
Reagon Hysi
Deputetja e PS Vasilika Hysi u shpreh gjatë Konferencës së Kryetarëve se institucionet e pavarura duhet të japin më shumë sqarime mbi realizimin e rezolutave që miraton kuvendi. Ajo u shpreh se komisionet parlamentare nuk kanë informacion të mjaftueshëm, duke shtuar se raportimi në Kuvend nga krerët e këtyre institucioneve duhet të jetë më i saktë. “Kuvendi ka një vakum të informacionit lidhur me zbatimin e rezolutave të Kuvendit dhe me rekomandimet që institucionet e pavarura bëjnë ndaj ministrive përkatëse.
Kjo është e detyrueshme dhe besoj se komisionet e përhershme nuk mund ta bëjnë dot detyrën dhe punën e tyre pa pasur një informacion, që duhet t’ua vënë në dispozicion shërbimeve të Kuvendit, por ata nuk kanë informacion as nga ministrat dhe as nga një pjesë e institucioneve që raportojnë në Kuvend.
Në këtë kuadër, do të ishte e domosdoshme një gjë e tillë dhe besoj se kjo mund të bëhet në këtë fazë, kur po raportohet, me qëllim që edhe rezolutat që do të miratojë Kuvendi të mos jenë përsëritje e rezolutave të mëparshme me fjalë të përgjithshme, por të jenë detyra konkrete”, tha Hysi.
Reagon Ruçi
Kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi, pas ankimeve të anëtarëve të Konferencës së Kryetarëve, paralajmëroi shkarkime për krerët e institucioneve që nuk kanë plotësuar rekomandimet, duke shtuar se çdo ministër që nuk përmbush detyrimet e tij do të përmendet me emër në raportimet që do të kryhen në Kuvend. “Në raport qoftë në takimin e radhës që do të bëjmë me institucionet e pavarura, qoftë me raportimin që do t’i bëjë Parlamentit, do të përmendet me emër dhe mbiemër çdo ministër, që nuk e përmbush misionin e tij si ministër në raport me këto institucione. Në rregull. Prandaj mos thonë si?!
Domethënë, t’ju bëhet e qartë, veçanërisht të rinjve, që janë vendosur ministra, që, në fund të fundit, ata nuk e dinë, nuk janë familjarizuar me këtë çështje, prandaj duhet ta kenë të saktë. Të mos thonë si na doli publikisht emri kështu. Prandaj, pa shkuar këtu, edhe shërbimet e Kuvendit duhet t’ua bëjnë të qartë, edhe ju si ministre që mbuloni Marrëdhëniet me Parlamentin duhet t’ua bëni të qartë, pastaj në qoftë se nuk e bën ai detyrën, atëherë do t’i dalë emri në tabelën e zezë”, tha Ruçi. /Elisjeda Kiko