Për herë të parë Kuvendi i Shqipërisë do të mbetet me më pak se 140 deputetë që janë parashikuar në Kushtetutë.
Kuvendi regjistron sot 122 deputetë, duke lënë kështu 18 vende bosh. 18 deputetë që mungojnë i përkasin Partisë Demokratike, lista e së cilës tashmë ka shteruar. Nga PD janë plotësuar 23 vende dhe lista e kandidatëve është shteruar e gjitha.
Ndërsa karriget e LSI-së në Kuvend janë plotësuar 100% nga deputetët e listës së Lëvizjes; pikërisht sot mori mandatin edhe i fundit, i 17-i deputet i LSI, Ramazan Gjuzi i Tiranës.
Por për ish-kreun e KQZ, Kristaq Kume, karriget e mbetura bosh në kuvend, nuk cënojnë punën e këtij institucioni.
“Kuvendi i Shqipërisë mund të vazhdojë punë, i ka të gjitha kapacitetet ligjore për të marrë vendime dhe për të realizuar reforma, sepse ka më shumë se 84 veta, për të realizuar dhe reforma kushtetuese sepse ka më shumë se 93 veta,” tha Kume.
Sipas ish kreut të KQZ, zgjidhje nuk është as shpërndarja e parlamentit nga presidenti, sepse presidenti nuk e ka tagrin për këtë gjë, është parlamenti që mund ta shkarkoi presidentin, në tre raste në shkelje të Kushtetutës.
Kume: Precedenti që do të prodhojë do të jetë i padëshirueshëm. Nëse ndodh një gjë e tillë atëhere ne mund të ndodhemi teorikisht përpara situatave kur zgjedhjet të bëhen në mënyrë të vazhdueshme dhe asnjëherë mos të kemi kuvend që të mblidhet si i tillë.
Kume thotë se këto karrige do të mbeten bosh, ndërsa theksoi se kriza politike nuk mund të zgjidhet në zgjedhje, por në tryezën e dialogut.