Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e Sali Berishës për të shfuqizuar masën ‘arrest shtëpie’, për të cilën kryetari i PD-së qëndroi për 11 muaj dhe iu ndryshua me vendim të GJKKO-së më 27 nëntor 2024.
‘Në aspektin substancial Gjykata vlerësoi proporcionalitetin e masës së arrestit ne shtëpi në drejtim të nevojës, përshtatshmërisë dhe ashpërsisë. Gjykata bazuar në nenin 73, pika 4, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar, vendosi rrëzimin e kërkesës, për shkak të mosformimit të shumicës së nevojshme vendimmarrëse prej 5 gjyqtarësh.
Në përfundim Gjykata vendosi rrëzimin e kërkesës. Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese’, thuhet në vendim.
Masa e sigurisë ‘arrest shtëpie’ u dha Berishës nga GJKKO më 30 dhjetor 2023 po me kërkesë të SPAK, dy muaj pasi Berisha refuzonte të zbatonte ‘detyrimin me paraqitje para prokurorisë’ . Për këtë kërkesë SPAK fillimisht kërkoi autorizimin e Kuvendit.