Gjykata Kushtetuese nuk ka ende një datë se kur do të shqyrtojë kërkesën e Kuvendit për shkarkimin e presidentit nga detyra. Sipas të dhënave të siguruara nga gazeta, aktiviteti i gjykatës është mbyllur tashmë dhe në shtator rinis puna me seancat gjyqësore.
Gazeta ka siguruar kalendarin e aktiviteteve të Kushtetueses dhe bëhet me dije se për muajin shtator është vendosur që në datën 28 shtator të shqyrtohet një padi e ish-kandidatit për deputet Elton Debreshi, i cili kërkon shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të pikës 1 të nenit 162 të ligjit nr.10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.
Ndërsa në datën 7 tetor do të mbahet një seancë lidhur me një padi të bërë nga Zyra Përmbarimore ARB, mbi një proces gjyqësor. Ndërsa më 14 tetor është parashikuar një seancë lidhur me një padi të bërë nga Unioni i Noterëve Shqiptarë, i cili kërkon shfuqizimin e disa neneve në ligjin për noterinë. Pra shkarkimi i presidentit nuk është futur në kalendar për shtator dhe tetor.
Strategjia
Ajo që bie në sy është se shkarkimi i presidentit mund të vendoset pasi Kushtetuesja të jetë me 9 anëtarë. Gazeta e tha një ditë më parë se gjasat që të kemi një vendim nul janë të shumta me numrat aktualë dhe për këtë arsye po punohet fort në prapaskenë që Kushtetuesja të jetë me 9 anëtarë. KED u mblodh dje dhe ka vijuar me procedurat dhe ajo që bie në sy është se ka një angazhim maksimal që puna të vijojë pa ndërprerje.
Ngërçi i vetëm është se Gjykata e Lartë nuk ka 10 anëtarë, por dhe kjo do të zhbllokohet deri në shtator dhe tetor. Pra sinjalet janë se do të kemi një Kushtetuese të plotë kur të merret vendimi për shkarkimin e presidentit. Mbetet po ashtu se çfarë do të vendosë Kushtetuesja, e cila mund edhe t’i drejtohet Komisionit të Venecias duke qenë se kemi një çështje kaq sensitive.
Raporti i Komisionit Hetimor
Kuvendi ka përgatitur një raport me 98 faqe kundër presidentit. Sipas mazhorancës, Meta ka shkelur 17 nene të Kushtetutës. Komisioni hetoi dhe shqyrtoi nëse ka pasur shkelje të nenit 86, paragrafi i parë dhe nenit 89 të Kushtetutës nga ana e Presidentit të Republikës. Më pas jepen të gjitha deklaratat e Metës, ku sipas komisionit, tregojnë se ai ishte palë me opozitën dhe kundër mazhorancës.
Sipas tyre, këto tregojnë se ai nuk përfaqëson unitetin e popullit. “Presidenti i Republikës në ushtrimin e kësaj veprimtarie duhet të jetë i vetëpërmbajtur, të mos jetë konfliktual më institucionet e tjera kushtetuese dhe ligjore; gjuha e Presidentit si një faktor ekuilibri në jetën politike të vendit dhe përfaqësues i unitetit kombëtar duhet të jetë korrekte, jodiskriminuese, të mos nxisë urrejtje, të mos krijojë përçarje dhe aq më tepër të mos nxisë dhunë.
Të gjitha këto burojnë nga detyrimet kushtetuese që parashikohen në nenin 86 dhe 88, paragrafi 3 i Kushtetutës (betimi) për të gjithë veprimtarinë e Presidentit”, thuhet në raport. Një tjetër hetim u fokusua te shkeljet lidhur me procesin zgjedhor.
Sipas komisionit, rezulton nga aktet e marra në shqyrtim nga Komisioni Hetimor, se me thirrjet drejtuar zgjedhësve në mesazhet e tij gjatë fushatës zgjedhore 2021 dhe në ditën e heshtjes zgjedhore Presidenti ka ndërhyrë në procesin zgjedhor. Raporti në fjalë po shqyrtohet nga relatori dhe tashmë në vjeshtë do shihet se kur do kemi datën e seancës së parë. /Kliti Topalli