Ministria e Arsimit vazhdon t’i qëndrojë vendimit që universitetet do të zhvillojnë mësimin online për të paktën një muaj. Me urdhrin e publikuar pak ditë më parë nga Ministria e Shëndetësisë universitetet kanë filluar dje online vitin e ri akademik. Por një pjesë e studentëve kanë dalë në protesta për të kundërshtuar këtë vendim.
Sakaq, në përgjigje të kërkesave të studentëve ka reaguar ministrja e Arsimit, Evis Kushi, e cila tha se ky vendim duhet marrë si mënyra më e mirë për të përballuar pandeminë, ndaj duhet respektuar edhe pse është e vështirë si për studentët dhe për pedagogët.
Sipas saj universitetet kanë siguruar çdo gjë që edhe ky vit akademik të përfundojë me sukses. “Ky fillim viti akademik është tejet i pazakontë, sfidues si asnjë vit tjetër më parë.
Për shkak të rrethanave të paqarta të pandemisë në gjithë globin. Dhe nuk është aspak e këndshme të uroj vitin e ri akademik me auditorë të zbrazët. Janë rrethana që s’mund t’i shmangim, por t’i përballojmë, me sa më shumë qetësi, vendosmëri e kurajë.
Jam e vetëdijshme për vështirësitë. Sfidat aktuale i shoh jo vetëm si pengesa, por dhe ura që na orientojnë drejt urave të reja. Mendoj që kjo është e vetmja mënyrë për t’ia dalë, për përballimin dhe parandalimin që mund të na vijnë nga të panjohura më të mëdha si Covid-19.
Vendimi i Komitetit të Ekspertëve, nuk është aspak i lehtë. Është shumë e vështirë të menaxhojmë situatën duke ndjekur dhe metodat specifike. Jam informuar se janë marrë të gjitha masat për nisje dhe vazhdim të mbarë të vitit akademik”, deklaroi ajo. Si për të theksuar edhe njëherë që ky vendim do vazhdojë të jetë në fuqi, Kushi u shpreh se kjo situatë nuk mund të shmanget, por do të përballohet me sukses nga pedagogët dhe ministria.
Sakaq ajo vuri dhe njëherë në dukje që studentët duhet të tregohen të kujdesshëm. “Janë rrethana që s’mund t’i shmangim, por t’i përballojmë, me sa më shumë qetësi, vendosmëri e kurajë. Jam e vetëdijshme për vështirësitë. Mendoj që kjo është e vetmja mënyrë për t’ia dalë, për përballimin dhe parandalimin që mund të na vijnë nga të panjohura më të mëdha si COVID-19. Dua t’ju kujtoj se për asnjë moment mos neglizhojmë rregullat. Me shpresë në momentin më të parë t’i kthehemi normalitetit, jo vetëm në universitete, por në jetë. E di që së bashku do bëjmë më të mirë, do kapërcejmë sfidat, do ia dalim”, tha Kushi.