Nga Pirro PRIFTI
Në historinë e luftës politike njihet fare mirë përdorimi i mediave të shkruara dhe atyre televizive dhe radiove për t’u përpjekur për të përmbysur kundërshtarin politik që u ka marrë `bukën nga dora`. Rasti më i qartë është lufta politike në SHBA, në të cilën humbja papritur e demokratëve shkaktoi një valë reaksioni të paparë në përplasjen midis dy partive drejtuese politike. Elementi i ri që doli në këtë luftë ishte lufta mediatike e paparë, duke përdorur një armë të re të dënueshme ligjërisht, por që mesa duket vështirë për t’u dënuar – Lajmet e rreme ose `fake news`.
Kjo armë e re në ditët e sotme e përdorur gjerësisht ka marrë përdorim tashmë jo vetëm në SHBA, por dhe në BE e në çdo cep të botës, ku sistemet demokratike si ato të konsoliduara ashtu dhe ato të sapo krijuara në luftën për të marrë pushtetin me mjete demokratike, krahas parave të cilat janë një armë e vjetër, po përdorin me sukses armën e re- Fake Neës ose siç i themi ne në Shqipëri – Shpifjet. Njihet kontagioziteti i shpifjeve apo i thashethemeve të ngritura që nga tryezat e zakonshme e deri tek skutat plot shkëlqim të rremë të partive e të institucioneve drejtuese, qofshin ato mazhoritare ashtu dhe ato opozitare.
Përdorimi gjerësisht i kësaj arme të re tregon se demokracia perëndimore është në krizë pikërisht për shkak se liritë që duhej të kishte populli (demos), keqpërdoren nga të zgjedhurit e tij, të cilët në fakt me kalimin e kohërave janë si të thuash të zgjedhur me detyrim.
Mirë në vendet perëndimore të zhvilluara, po në Shqipëri përse po ndodh ky fenomen kaq gjerësisht? Cilët janë faktorët dhe kush po shtyn që kjo armë e re nuk po përdoret vetëm për të rrëzuar një qeverisje, por e keqja më e madhe që po shihet është se kjo armë po godet dhe po dëmton rëndë jo vetëm pushtetin (qëllimi për të cilën përdoret sot kjo armë si në SHBA ashtu dhe në BE, por edhe në çdo vend të botës), por po dëmton vetë shtetin shqiptar, duke nxirë realitetin dhe emrin e vendit tonë.
Kjo është për mendimin tim e papranueshme dhe po të ishte mundësia, individët dhe mediat që po nxijnë vendin tonë do të duhej të përgjigjeshin përpara ligjit për këto `fake news-e`. Këta njerëz njihen mirë në opinionin publik shqiptar. Ç’po ndodh? Përse shumë media të shkruara që lexohen nga i nderuari Bashkim, disa portale që unë do t’i quaja antishqiptare, dhe disa media tv nxijnë realitetin shqiptar? A është kjo një mënyrë për të bërë zhurmuesin me qëllim që të largohet vëmendja nga rreziku i Reformës në Drejtësi -Vettingu- që mund të pësojnë disa drejtues të opozitës dhe bashkëpunëtorët e tyre, të cilët kanë shkatërruar Shqipërinë këto 28 vite, apo këtu kjo frymë është e qëllimtë dhe e nxitur nga qarqet ekstremiste fqinjë? Apo nga të dy këta faktorë?
Me sa duket ekzistojnë të dy këta faktorë për vetë shpjegimin e thjeshtë se ata që nxijnë realitetin në Shqipëri nuk e kanë problem që të shesin veten e tyre tek qarqet ekstremiste fqinje vetëm e vetëm që të mos përfundojnë burg apo që të marrin pushtetin me mënyra ligjore. Kjo mbetet një nga rrezikshmëritë më të mëdha që po kalon Shqipëria pas vitit të zi 1997-1998, vit i cili ka lënë gjurmë po aq negative në popull, sa ka lënë dhe fushata `dum babën` e injorantit Haxhi Qamili, kundër vendosjes së një përfaqësuesi Europian si Princi Wied me pretekstin se Shqipëria ishte e Turqisë dhe se populli kërkonte një princ turk ose që do Turqinë.
Koha ka kaluar, por dy realitetet e atëhershme janë konvertuar sot në brezat e mëpastajmë identikisht si atëherë, duke bërë që një pjesë e përfaqësuesve të sotëm opozitarë të jetë rezistentë ndaj integrimit në BE, pavarësisht se qëllimet për të mos u futur janë pak të ndryshme me ato të 103 viteve më parë, kur Haxhi Qamili njëlloj si Enver Hoxha e donte Shqipërinë të izoluar dhe jashtë Perëndimit. Mesa duket kokat e antishqiptarizmës gjenden në drejtimin e opozitës dhe kjo ka përfshirë dhe mediat vizive dhe disa nga ato të shkruara, të cilat paguhen për të nxirë vendin. Çdo ditë e çdo orë, këto media paturpësisht shtrembërojnë fakte, histori, ngjarje e realitete për të cilat janë vetë përgjegjëse të shkatërrimit afro 30 vjeçar të Shqipërisë.
Tani BE dhe SHBA, këta dy aleatë të mëdhenj të cilët përkrahin fuqimisht qeverisjen e sotme kërkojnë të realizohen me sukses dy elementë kryesorë të ecjes përpara të Shqipërisë: zbatimin e ligjit dhe rritjen ekonomike. Është hera e parë pas 20 e kusur vitesh që këto janë realizuar ose janë duke u realizuar, por individët që duhet të ishin përballur me ligjin që e kanë shkelur sa herë që kanë qenë në pushtet, për të shmangur përballjen me ligjin, po ndërmarrin sulme të njëpasnjëshme kundër qeverisjes, qoftë nëpërmjet aktivizimit të bandave kriminale, qoftë nëpërmjet armës së re dhe pjesërisht të efektshme, atë të shpifjeve në çdo rast dhe të zbatimit të fjalës së urtë popullore: `Hajduti thërret kapeni hajdutin`, janë përpjekur jo pa sukses të frikësojnë popullatën e cila sidoqoftë është indiferente ndaj përplasjeve politike në parlament dhe në shtypin e shkruar të paguar, i cili nuk le gjë pa thënë e pa bërë për të shtrembëruar realitetin.
Disa liderë të opozitës, të cilët i kanë shpëtuar ligjit për shkak se e kanë shkelur atë kur ishin në drejtim zbatojnë atë frazën e mësipërme popullore, duke i atribuar qeverisjes shkeljet tyre, duke i bërë sikur janë të kësaj qeverisjeje, por si i thonë “populli nuk ha…më bar”. Populli i ka kthyer shpinën. Sikur të mos mjaftonin këto armë të luftës politike, arma më e ndyrë, të cilën nuk do të mund ta përdorte asnjë qytetar i asnjë shteti demokratik perëndimor është arma e sharjes dhe nxirjes së vendit për të shpëtuar fund-kurrizin e tyre.
Por kjo po ndodh. Më të kënaqur për këtë risi të opozitës janë spiunët dhe dashakeqët e Republikës së Shqipërisë, pikërisht disa politikanë të opozitës, madje dhe ndonjë i mazhorancës që qesh nën hundë. Kjo nxirje e realitetit shqiptar, ka ndodhur disa herë këto vite pas 2013 sidomos nga Basha, Berisha dhe disa servilë të tyre përfshi edhe b..lëpirës të fqinjëve, duke i bërë dëm kauzës së tyre. Sidoqoftë, BE dhe SHBA e kanë kuptuar fare mirë se përse është fjala dhe në këtë mënyrë ua kanë përplasur dyert në fytyrë këtyre liderëve antishqiptarë. Dihet që Shqipëria mbetet një vend i varfër, por ekonomia këto vite ka ecur përpara.
Vettingu sado me ngadalë po ecën, po përparon, dhe dita kur Shqipëria do të integrohet në BE po vjen shpejt. Populli po ndjen këtë. Dashakeqët përpiqen të bëjnë negativ edhe fenomenin e globalizmit, në të cilin popullsia lëviz edhe jashtë vendit të saj për të gjetur punë, rrogë më të mirë, etj., dhe ky fenomen është i spikatur në të gjitha vendet e vogla, përfshi edhe Ballkanin. Por, çfarë bëjnë këta antishqiptarë? Mediat e blera të tyre mbetën duke shpifur që po zbrazet Shqipëria nga rinia. Në fakt, problem është se drejtuesve të këtyre mediave shpifarake po u zbrazet sofra e paligjshmërisë.
Nuk është e rastit që edhe ndonjë fondacion apo ndonjë europiano-perëndimor i hedh ndonjë bidon benzine zjarrit të politikës shqiptare, duke përmendur këtë fenomen të largimit të një pjese të rinisë, e cila në fakt edhe kthehet përsëri. Nuk është e rastit kur ndonjë politikan gjerman bën hipokritin, kur thotë se po zbrazet Shqipëria nga rinia, dhe vjen këtu për të nxitur largimin e të rinjve në Gjermani, sepse Gjermania kërkon punëtorë të rinj.
Atëhere lind pyetja: Përse ky politikan i djathtë i thirrur për të nxitur konfliktin politik në Shqipëri- nuk i kërkon qeverisë gjermane që të investojë në Shqipëri për të mos u larguar rinia, por derdh lot krokodili këtu i ftuar nga opozita, duke i `ardhur keq` për largimin e rinisë, në një kohë që kërkon dhe nxit rininë të shkojë të punojë në Gjermani?! Një bizarre politike e sajuar dhe aspak normale e ndonjë individi të paguar për të përkrahur opozitën shqiptare të degraduar, cila flet me gjuhën e rrugaçit, apo më mirë me gjuhën e të akuzuarit (i cili mbrohet duke gënjyer) në Parlament.
Pavarësisht problemeve të shumta që ka Shqipëria, nismat e qeverisjes janë për t’u përshëndetur dhe do të ishte shumë më mirë që edhe opozita të ndihmonte, por këta e kanë mendjen që të nxijnë Shqipërinë, duke u mbrojtur në këtë mënyrë para përballjes me ligjin. Megjithatë, çdo gjë ka kufij dhe Vettingu do të realizojë atë që nuk është bërë deri tani: Përballjen me ligjin e atyre që e kanë shkelur atë, por edhe ata që përkrahin antiligjin nëpërmjet shkrimeve “fake news” do ngelen duar bosh dhe të turpëruar.