Zonjat në kabinetin qeveritar rezultojnë me më pak të ardhura krahasuar me ministrat. Kryeministri Edi Rama kur mori qeverinë vendosi që të bënte një ndarje të barabartë duke emëruar 7 femra dhe 7 meshkuj.
Në deklaratat e pasurisë të dorëzuara për vitin 2017 pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, zonjat rezultojnë me pasuri disi më të ulët se kolegët e tyre.
Ministrja e Brendshme, Olta Xhaçka është ajo që ka deklaruar pagën e saj, pagën e bashkëshortit dhe të ardhura nga qeratë.
“Paga si ministre e MMSR, 259.300 lekë; Paga si Ministre e Mbrojtjes, 437.994 lekë; Të ardhura si deputetë, 575.436 lekë Honorare nga komisionet, 20.910 lekë; Kredi 1824.07 euro; Bashkëshorti të ardhura nga qeraja e dyqanit, 1.601.320 lekë; Bashkëshorti vijon pagesën e kredisë me vlerë 2301.56 euro për blerje automjeti”, është pasuria e deklaruar nga Xhaçka. Krahasuar me vitin 2016 ajo ka një rritje. Xhaçka ka deklaruar në 2016: Të ardhura nga paga dhe dieta si deputete, 2 528 836 lekë;
Në proces marrje kredie për shlyerjen e detyrimeve sipas kontratës së blerjes së një apartament banimi 2+1 në Tiranë, për të cilën ka parapaguar 19 000 euro në vitin 2012.
Pasuria e Nikollës
Një tjetër ministre që nuk renditet mes më të pasurve është ajo e Arsimit, Lindita Nikolla. Gjatë vitit 2017 ajo ka deklaruar: Të ardhura nga paga, 1.015.567 lekë; Të ardhura nga dietat, 22.500 lekë; Të ardhura kalimtare pas largimit nga funksioni, 524.280 lekë; Bashkëshorti nga paga si dekan, 109.000 lekë; Bashkëshorti honorare anëtar Senati UPT, 215.825 lekë dhe paga e vajzës në BSH, 85.314 lekë. Nëse bëjmë një krahasim me vitin 2016 situata është në të njëjtat nivele, pasi dhe një vit më parë të ardhurat e vetme të Nikollës ishin paga e saj, e bashkëshortit dhe e vajzës.
Pasuria e Sonila Qatos
Krahasuar me Nikollën dhe Xhaçkën, Sonila Qato është një ministre me shumë të ardhura. Ministrja për Mbrojtjen e Sipërmarrjes rezulton me 6 llogari bankare. Po ashtu ka të ardhura nga qeraja e një apartamenti në Tiranë. Ajo që bie në sy është se gjatë vitit 2017 bashkëshorti i saj është marrë me tregti automjetesh. Ai ka blerë makina në Gjermani dhe më pas i ka shitur në Shqipëri.
Parashikimet në ligj
Në ligjin për deklarimin e pasurisë janë përcaktuar dhe kategoritë e të ardhurave dhe shpenzimeve që duhen deklaruar. Sipas ligjit, çdo zyrtar deri më 31 mars duhet të deklarojë për vitin që la pas: pasuritë e paluajtshme dhe të drejtat reale mbi to; pasuritë e luajtshme, të regjistrueshme në regjistrat publikë, dhe të drejtat reale; sendet me vlerë të veçantë mbi 300 000 lekë; vlerën e aksioneve, të letrave me vlerë dhe pjesët e kapitalit në zotërim; vlerën e likuiditeteve, gjendje në cash jashtë sistemit bankar, në llogari rrjedhëse, në depozitë, në bono thesari dhe në huadhënie, në lekë ose në valutë të huaj; detyrimet financiare ndaj personave juridikë dhe fizikë, të shprehura në lekë ose në valutë të huaj; të ardhurat personale për vitin, nga paga ose pjesëmarrja në borde, komisione ose çdo veprimtari tjetër që sjell të ardhura personale; licencat dhe patentat që sjellin të ardhura. dhuratat dhe trajtimet preferenciale, përfshirë identitetin e personit fizik ose juridik, prej nga vijnë apo krijohen dhuratat a trajtimet preferenciale; angazhime në veprimtari private me qëllim fitimi dhe çdo shpenzim i deklarueshëm, me vlerë mbi 300 000 lekë, i kryer gjatë vitit të deklarimit/ Sot