Mynyr Koni dhe Dhori Kule janë dy protagonistë të patrazuar të arsimit të lartë shqiptar të 15 vjetëve të fundit. I pari rektor i Universitetit të Tiranës, i dyti ish-aleat i Konit dhe ish rektor i të njëtit universit. Sot dekan i fakultetit të ekonomisë. Gjithashtu, edhe një ish-socialdemokrat i konvertuar në demokrat të flaktë. Pra, një mishmash karrierash, flirtesh politike e akademike dhe mbi të gjitha, një dyshe që sot e përfaqëson më së miri katrahurën e institucioneve që drejtojnë.
Në një kontroll të Ministrisë së Arsimit në Universitetin e Tiranës, në muajin shkurt-mars të këtij viti, u gjetën shkelje të rënda nga rektori Koni. Raporti që u publikua në media ishte një akuzë e gjatë për Mynyr Konin, por që si shumë herë të tjera më parë, nuk solli asnjë pasojë për të. Ajo që u konstatua, e krahasuar me atë që (s)ndodhi, përbën shpjegimin më klasik të kapjes që oligarkia e arsimit të lartë i ka bërë të gjithë sistemit.
Koni-Kule nuk janë dukur askund këto orë që Tirana oshëtin nga protestat e atyre që ata i drejtojnë në cilësinë e zyrtarëve të lartë të arsimit shqiptar. Studentët protestojnë, shefat e tyre fshihen. Këtë kanë bërë gjithë jetën, këtë kanë bërë me të gjitha qeveritë. Nëse qeveria Rama ka një përgjegjësi të madhe në lidhje me krizën e arsimit të lartë, është që nuk ka goditur fort dhe ndëshkuar rëndë kastën e shpifur të drejtuesve të arsimit të lartë. Një kastë që ka trafikuar pafund interesa financiare, politike e partiake.
Mynyr Koni dhe Dhori Kule duhet të flasin tani! T’u flasin atyre që i kanë pasur në auditore dhe që tani kanë marrë rrugët e Tiranës. Kjo dyshe është protagonistja e munguar e një proteste, e cila s’mund të “kryqëzojë” Lindita Nikollën, pa u marrë pak edhe me krerët e përjetshëm të Arsimit të Lartë shqiptar. Të atyre që s’i hyri kurrë gjemb në këmbë!