Në 4 nëntor 2022, drejtësia shqiptare shpalli më në fund në kërkim bosin e Bana King, Trifon Muratajn, i cili dyshohet se mund të jetë një nga bosët më të mëdhenj të trafikut të kokainës.
Murataj, i cili gjithnjë pretendon se kokainën ia fusin fshehurazi në arkat me banane, u shpall në kërkim vetëm pas herës së katërt që në maunet e tij kapej kokainë.
Për trafikun e kokainës nga Bana King janë arrestuar mbi 25 vetë, ndërsa bosi Murataj lëviz i lirë nëpër Tiranë, me një kapele në kokë. Ai ka arritur të lirojë nga burgu edhe Marson Muratajn, menaxherin e kompanisë dhe dy shoferë, duke blerë një gjyqtar.
Trifon Murataj vijon drejtimin e kompanisë së kokainës Zico me anë të Petrit Demishajt. Ky i fundit është një nga njerëzit më të besuar të Trifon Muratajt.
Pas episodit të fundit të trafikut të kokainës, organet ligjzbatuese shqiptare kanë tentuar të marrin në pyetje Demishajn, i cili ishte larguar jashtë vendit, me sa duket nga frika e arrestimit
Ai është përgjigjur në telefon, duke pretenduar se është në SHBA. Petrit Demishajt ka pohuar se është punësuar që në vitin 2010 tek kompania Zico e Trifon Muratajt, si shef i logjistikës.
Në fakt Dermishaj është një nga personat kyç të Muratajt në kompaninë e trafikut të kokainës nga vendet e Amerikës Latine drejt Shqipërisë dhe Greqisë.
Pasi nisi të ekspozohej në tre episode të trafikut të kokainës, Trifon Murataj, në korrik të 2022, pra 6 muaj para se të shpallej në kërkim, ka caktuar pikërisht Petrit Dermishajn administrator të kompanisë Zico të Bana King.
Murataj në hije dhe Dermishaj në skenë vijojnë drejtimin e kompanisë, në bashkëpunim me Desantila Murataj, Anastas Kriqi, Mikel Selami, Ylvi Hana etj.
Murataj te kulla e Bashkim Ulajt
Prapaskena mëson se Murataj qëndron kryesisht tek kulla e Bashkim Ulajt pranë stadiumit, aty ku ka pasur zyrat Sali Berisha.
Murataj hyn dhe del i pashqetësuar tek kulla, pasi dyshohet se ka garanci policore se nuk do të arrestohet. Ka dyshime të forta se Trifon Murataj paguan segmente të policisë me qëllim që t’i shpëtojë arrestimit.
Murataj lëviz nëpër Tiranë me makina të ndryshme me xhama të zinj, por edhe në këmbë.
Murataj drejton trafikun e kokainës nga Tirana, ndërsa dyshohet se ka paguar që kompania Zico e trafiqeve të mos sekuestrohet.
DEA amerikane zbuloi trafikun
Më 31 dhjetor të vitit 2021, DEA amerikane ka informuar Policinë e Shtetit Shqiptar se Trifon Murataj bashkëpunon me Ben Qimen e Fierit në trafikun e kokainës nga Ekuatori.
Sipas informacionit, Trifon Murataj sjell kokainën kamufkuar me banane nga Amerika Latine, ndërsa Ben Qimja e ruan, e përpunon dhe më pas bëhet shpërndarja.
“Kemi gjetur këtë informacion në lidhje me ZICO SHA. Më datë 9 Nëntor 2014, Policia Kombëtarë e Ekuadorit ka sekuestruar rreth 33.55 kg kokaine. Kokaina ishte e fshehur brenda njësisë frigoriferike të kontejnerit transportues GESU9439832.
Kontejneri transportues kishte një dërgesë me banane dhe kishte destinacion Durresin/Shqipëri. Kompania marrëse ishte ZICO SHA. Në vitin 2018, një burim ka siguruar informacionin si vijon. Shtetasit shqiptarë Qime ARBEN dhe Murataj TRIFON janë të përfshirë në kontrabandimin e kokainës në Shqipëri.
Burimi ka deklaruar se TRIFON përdor një kompani importimi ne Durrës/Shqipëri me emrin ZICA SHA për të importuar me shumicë kokaine nga Ekuadori në Shqipëri. Kokaina e importuar më pas ruhet në një magazinë e kontrolluar nga ARBEN.
ARBEN më pas bën përzierjen për të krijuar sasi më të mëdha”, thuhet në shkresën e DEA-s.
Pjesë e grupit dyshohet se është edhe doktori Olti Peçini, pronar i Spitalit Salus, i cili ka 49 % të aksioneve të kompanisë që bën skanimin e kontenjerëve.
Ngarkesa e radhës me kokainë është nisur më 20 shtator 2022 nga Porti “Puerto Bolivar” i Ekuador, 10 ditë më pas është ndalur në Panama. Destinacioni i radhës ka qenë Porti ‘Gioia Tauro’ në Itali ku anija ka qëndruar në këtë Port deri më 21 tetor.
Në Portin e Durrësit ngarkesa mbërriti më 28 tetor, e ndërsa kontrolli i saj me qen antidrogë u bë në 3 nëntor.
Droga kaloi pa problem në skaner. Operatori i skanerit Alban Naziraj dhe imazheristi Artur Sevdaraj u arrestuan për falsifikim të kompiuterit. Kjo pasi kontenieri me drogë u skanua dhe dyshohet se të arrestuarit manipuluan pamjet për të dalë të pastra.
Po a mundet që Trifon Murataj të ketë blerë punonjësit e skanerit pa një bashkëpunim me pronarët e kompanisë?
Dyshimet thellohen në kushtet kur doktori Peçini bleu aksionet për 5 mijë lekë, kur vlera e tyre ishte 200 milionë euro.
Duket e çuditshme se si ky transaksion paradoksal nuk ka vënë në lëvizje organet ligjzbatuese shqiptare.
Olti Peçini, i lakuar për lidhje me pushtetarë dhe ish pushtetarë, është drejtueses dhe pronar i spitalit privat Salus, me mbi 80 % të aksioneve. Ai u bleu dy italianëve 56 % të aksioneve të Spitalit Salus për 1.1 milionë euro.
Pjesën tjetër të aksioneve i ka vëllai Anastas Peçini, gjithashtu pronar i kompanisë Medi-Tel, e lakuar për tendera problematikë në shëndetësi.
Anastas dhe Olti Peçini janë prej vitesh sipërmarrës në tregun e shërbimeve të lidhura me shëndetësinë, si tregtimi i barnave dhe pajisjeve mjekësore, asgjësimi i mbetjeve spitalore.
Sidomos Olti Peçini ka një rrjet kompanish, në fushën e shëndetësisë.
Vite më parë, dentisti Olti Peçini mbante fjalime nëpër universitetet private të kolegëve të tij mbi Buxhetin e Shëndetësisë në vend duke qenë një prej shteruesve të tij familjarisht.
Olti u tërhoq shumë shpejt nga fjalimet, duke bërë një jetë të kamufluar, ku vështirë të gjenden foto të tij, një tipar ky i ngjashëm me bosët e drogës.
Trafik sistematik kokaine
Rasti më flagrant ishte në 30 dhjetor të vitit të shkuar ku vetë pronari I kompanisë Trifon Murataj kontaktoi 10 orë me vonesë policinë e shtetit se kontejneri me banane ishte sulmuar në Romanat nga persona të armatosur të cilët u larguan pa marrë asgjë nga ngarkesa.
Nga kontrolli i kryer në magazinën e kompanisë në Vaqarr policia sekuestroi 119 kg kokainë dhe vuri në pranga administratorin e firmës Marson Murataj, nipi i Trifon Muratajt dhe dy shoferët e kamionit Gëzim Kalaja dhe Hasan Salihu.
Një rast i dyshuar për trafik të lëndëve narkotike u shënua në korrik të vitit 2022 ku nga kontejnerët e Banaking u vodhën rreth 49 arka,renda të cilave dyshohet se kishte kokainë.
Lidhur me këtë rast, policia e Durrësit ka arrestuar shoferi i kompanisë Nazmi Algjata dhe agjentin e shitjeve të kësaj kompanie Altin Muhametaj.
Njëherësh policia arrestoi dhe 20 punonjës të doganës në Portin e Durrësit, të cilët u akuzuan për shpërdorim detyre.