Ditën e sotme ish-deputeti i PS, Jurgis Çyrbja është arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Përveç Çyrbjas është vënë në pranga edhe Ahmet Masha i njohur si “Meçe”.
Ai është një emër i njohur për drejtësinë dhe Policinë, për disa vepra penale të mëparshme dhe i hetuar. Gjithashtu rezulton se Masha është njëkohësisht edhe kunati i vëllait të ish-deputetit Çyrbja.
Në dhjetor të vitit 2013 rezulton se ai ka pasur një çështje penale në ngarkim për kontrabandë nafte, bashkë me 8 persona të tjerë. Ahmet Masha, atëkohë 30 vjeç, sipas dosjes hetimore, akuzohej se ka qenë i përfshirë në kontrabandën e naftës me 3 anije, njëra prej të cilave ishte në pronësi të babait të tij, “Rovato”.
Sektori Kundër Krimit Ekonomik Durrës zbuloi asokohe aktivitetin që kryhej nga tre pronarët e peshkarexhave duke u finalizuar me sekuestrimin e 11 automjeteve, 3 mijë litrave naftë, 10 cisternave plastike, si dhe 110 arkave me verë. Gjatë periudhës së hetimit është provuar se janë kontrabanduar rreth 80 mijë litra naftë. Nga grupi hetimor mësohet se nafta sigurohej në portet e Malit të Zi nga tre peshkarexha, të cilat mbushnin në kapacitet maksimal depozitat e tyre, 20 mijë litra naftë secila.
Pas kësaj anijet ankoroheshin në Portin e Durrësit dhe gjatë ditëve që qëndronin aty nafta nxirrej në sasi të vogla nëpërmjet automjeteve të ndryshme, të përshtatura me cisterna dhe depozita në brendësi të tyre, me qëllim shmangien e detyrimit doganor. Më pas karburanti i blerë në Malin e Zi trafikohej në pikat e vogla të shitjes së karburantit në Shijak dhe Durrës.