Adriatik Cama, Prokurori i Tiranës, i cili prej vitesh ushtron detyrën e tij në këtë institucion do të dal sot para KPK-së për t’u njohur me gjetjet që janë kryer nga ky komision gjatë hetimit të tyre për veprimtarinë profesionale, morale dhe pasurinë e këtij prokurori. Ai ka qenë pjesë e disa dosjeve të dështuara, si ajo e 21 janarit, mosdënimi i Mark Frrokut dhe disa çështjeve të tjera hetimore.
Nëpërmjet një përgjigje drejtuar redaksisë së “Shqiptarja.com”, Drejtori i Inspektimit dhe Burimeve Njerëzore në Prokurorinë e Përgjithshme Sokol Stojani shprehet se: ’’Nga të dhënat e sektorit të burimeve njerëzore pranë prokurorisë së Përgjithshme, rezulton që prokurori Adriatik Cama, është ulur në detyrë vetëm një vit, duke kryer detyrën e hetuesit në Prokurorinë e Hasit gjatë periudhës nga 1 korriku 1994 deri në 30 gusht 1995…”.
Po ashtu është kërkuar nga kjo media që të njihet me vendimin e uljes në detyrë të këtij prokurori, vendim që në atë periudhë është marrë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, por në përgjigjen e saj Prokuroria e Përgjithshme theksoi se: ‘’Procedimet disiplinore për prokurorët, ashtu sikurse edhe emërimet, transferimet, komandimet e tyre etj, deri në vitin 1998, periudhë kjo kur u miratuan Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë janë kryer nga KLD. Prokuroria e Përgjithshme si organ, thjesht njoftohej prej saj me listë, lidhur me masat disiplinore të marra apo akteve të tjera, ndaj prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore, por jo gjithmonë janë shoqëruar vendimet respektive…”.
Nga ana tjetër Këshilli i Lartë i Drejtësisë justifikohet duke thënë se nuk mund të japin asnjë dokument, pasi nuk ekziston arkivë për periudhën e viteve 1994-1995. Në dokumentacionin që ndodhet pranë institucionit tonë, nuk disponohet asnjë dokument lidhur me ndonjë kërkesë apo masë disiplinore të dhënë nga KLD për prokurorin Adriatik Cama.
Ndërsa pranë sektorit të burimeve njerëzore disponohen vendimet e procedimeve disiplinore për gjyqtarët nga shtatori i vitit 1997, e në vijim. Ndërsa sektori i protokollit dhe arkivës disponon informacion nga viti 1998 e në vijim…”-thotë Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Pritet që ditën e sotme Komisioni i Posaçëm i Kualifikimit ti bëjë një skaner anës profesionale dhe pasurore të prokurorit Cama, ku më tej do marë vendimin nëse do e konfirmojë në detyrë apo të shkarkojë prokurorin.