Sead Sllezoviq, i plagosuri nga atentati që një ditë më parë u bë ndaj dy shtetasve të Maqedonisë së Veriut që ndodheshin në Greqi është jashtë rrezikut për jetën.
Ministria e Punëve të Jashtme në Shkup nuk jep shumë detaje konkrete në komunikatën e sotme, por nga ky dikaster thonë vetëm se institucionet janë në komunikim të vazhdueshëm.
Autoritetet greke vazhdojnë hetimet për gjetjen e autorëve të vrasjes. Pas ngjarjes së një dite më parë policia greke ka intensifikuar kontrollet në të gjitha pikat kufitare.
Në disa media qarkullojnë informacione se policë, identiteti i të cilëve mbetet anonim, kanë thënë për Associated Press se besojnë se bëhet fjalë për vrasje me porosi.
Sipas informacioneve, të pa konfirmuara nga autoritetet, të cilat po dalin në dritë thuhet se sulmi është kryer në oborrin e vilës ky qëndronte viktima Orhan Bajrami i njohur si “Oki” dhe shoku i tij Sead Slezoviq.
Ndër të tjerat thuhet se në oborrin e vilës në kohën e sulmit kanë qenë të pranishëm edhe dy burra dhe një grua, të cilët nuk janë lënduar nga sulmi.
Në shumë media në vend qarkullojnë informacione se në rrjetet sociale janë publikuar materiale ku paralajmërohej eliminimi i Orhan Bajramit, por më pas këto materiale janë fshirë.
Jo zyrtarisht, dyshimet e para janë se vrasjet e ndodhura së fundmi, përfshirë edhe atë të një ditë më parë janë pastrim hesapesh mes klaneve që kontrollojnë “nëntokën” në kryeqytet.
Pothuajse të gjitha versionet që qarkullojnë në media dhe ato në Greqi e lidhin rastin e djeshëm me vrasjet e viteve të fundit, duke i kategorizuar si hakmarrje mes grupeve kriminale. /Alsat.mk