Nga Fatos Tarifa
Në katër numra të shkuar të gazetës DITA kam botuar disa fragmente nga libri im Afrimi i Madh, i cili pritet të botohet në pranverën e vitit që vjen.
Ky vëllim përmban kujtimet e mia nga koha e shërbimit si ambasador i Shqipërisë pranë Oborrit të Mbretëreshës Beatrix në Mbretërinë e Hollandës (1998-2001), por kryesisht ato kujtime që lidhen me periudhën e shërbimit tim si ambasador në Shtetet e Bashkuara (prill 2001-maj 2005).
Një ndër arritjet kryesore të kësaj veprimtarie diplomatike në Uashington ka qenë hartimi dhe nënshkrimi i Kartës së Adriatikut mes qeverisë amerikane dhe qeverive të Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë. Nënshkrimi i atij dokumenti të rëndësishëm, siç kam përshkruar në detaje në kujtimet e botuara këtë javë, u bë në Tiranë nga Sekretari amerikan i Shtetit, i ndjeri Colin Powell, i cili u nda nga jeta pesë ditë më parë, dhe nga ministrat e jashtëm të të tre vendeve të sipërpërmendur.
Tre diplomatë, tre miq së bashku për një qëllim
Në mbyllje të këtij cikli kujtimesh mbi vizitën e Sekretarit Powell në Tiranë dhe nënshkrimin e Kartës së Adriatikut në kryeqytetin e vendit tonë, dua të vë në dukje se veprimtaria ime si ambasador në Uashington ka qenë e lidhur në një bashkëpunim të ngushtë diplomatik dhe miqësor me atë të dy ambasadorëve të tjerë, ambasadorit Ivan Grdesic të Kroacisë dhe ambasadorit Nikola Dimitrov të Maqedonisë.
Kurdoherë që na duhej të mbronim kauzën e përbashkët të vendeve tanë për t’u anëtarësuar në NATO, ne ishim kudo bashkë dhe kjo, siç kam vënë në dukje në kujtimet e mia, pëlqehej në Uashington, aq sa Zëvendëssekretari i Shtetit në atë kohë, Richard Armitage, na kish pagëzuar me emrin kolektiv “Tre musketierë”.
Në respekt të dy kolegëve dhe miqve të mi ambasadorë, Ivan Grdesic dhe Nikola Dimitrov, shkruaj sa këto radhë.
Në vitin 2004, kur sapo kishte lënë detyrën e ambasadorit të Kroacisë në Uashington, kolegu dhe miku im shumë i respektuar Ivan Grdesic ishte i pari ndër ne, ambasadorët e tre vendeve tanë, që i artikuloi publikisht pikëpamjet e tij mbi përmbajtjen dhe rëndësinë e Kartës së Adriatikut.
Në atë kohë, ai botoi në anglisht, në revistën Politička misao (Mendimi politik), revistë e Shoqatës kroate të Shkencave Politike, një artikull titulluar “US-Adriatic Charter of Partnership: Securing the NATO Open Door Policy”. Në atë artikull, Grdesic me të drejtë e vlerësonte Kartën e Adriatikut si “një shembull të një bashkëkunimi të suksesshëm mes shteteve të vegjël që kanë interesa të përbashkëta”.
Grdesic kishte një PhD në shkencat politike dhe, pas Uashingtonit, ai u kthye në Universitetin e Zagrebit derisa, disa vite më vonë, qeveria kroate e emëroi ambasador në Mbretërinë e Bashkuar.
Pas Londrës Ivan iu rikthye jetës akademike në kryeqytetin kroat. Ai dhe unë rivendosëm lidhjet tona miqësore, siç bëmë edhe me kolegun dhe mikun tonë maqedonas Nikola Dimitrov.
Ky i fundit e mbajti detyrën e ambasadorit në Uashington edhe një vit pas meje dhe, në vitet 2009-2013 shërbeu si ambasador i Maqedonisë në Mbretërinë e Hollandës, ku kishte qenë posti im i parë diplomatic dhe ku u takuam së bashku për herë të parë pas sozhurnit tonë amerikan.
Në vitin 2017 Dimitrov u bë ministër i Jashtëm i Maqedonisë në kabintetin e Kryeministrit Zoran Zajev. Në atë cilësi, më 17 qershor 2018, ai dhe ministri i Jashtëm grek në atë kohë Nikos Kotzias firmosëm Marrëveshjen e Prespës, me anë të së cilës, pas një konflikti që zgjati një çerek shekulli, u zgjidh çështja e emrit zyrtar të Maqedonisë, e cila.
Që nga ajo kohë ky vend quhet zyrtarisht Republika e Maqedonisë së Veriut dhe me këtë iu hap rruga anëtarësimit në NATO për t’iu bashkuar, më 27 mars 2020, plot 11 vite më vonë, partnerëve të saj të Kartës së Adriatikut—Shqipërisë dhe Kroacisë—në këtë organizatë.
Aktualisht, Ivan Grdesic është Profesor i Shkencës Politike në Universitetin e Zagrebit, unë jam Profesor i Sociologjisë dhe i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin European të Tiranës, ndërsa Nikola Dimitrov, i cili nuk kishte një background akademik, është zëvendëskryeministër dhe ministër për Integrimin European i Maqedoninë së Veriut.
Refleksione teorike
Në vjeshtën e vitit 2005, një vit pas botimit të artikullit të sipërpërmendur të kolegut tim Ivan Grdesic, kur edhe unë kisha lënë detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Uashington dhe jetoja në Minneapolis, para se të filloja punë në Universitetin e Miçiganit Lindor, publikova në Mediterranean Quarterly (A Journal of Global Issues), një revistë që botohet nga Duke University Press, një artikull titulluar “The Adriatic Europe: Albania, Croatia, and Macedonia”.
Në atë artikull vija në dukje se pranimi i Shqipërisë dhe i dy vendeve partnerë të saj të Kartës së Adriatikut në NATO nuk ishte thjesht një çështje reformash ushtarake. Anëtarësimi në këtë organizatë kërkonte realizimin e një vargu reformash komplekse e të vështira në shumë fusha. Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia do të vlerësoheshin nga Uashingtoni dhe aleatët e tij në NATO në tërësinë e zhvillimeve të tyre.
Unë argumentoja se, në këtë proces, asnjë “pjesë” nuk kishte më shumë rëndësi sesa “pjesët” e tjera dhe se “asnjë pjesë” nuk mund të veçohej si “pjesa decisive”. Ndryshe nga fizika njutoniane, në një proces të tillë, si integrimi i një vendi në NATO, çdo veprim krijon një reagim, i cili shpesh është i pabarabartë dhe disproporcional. Sikurse kishin vepruar edhe në dy raundet e mëparshëm të zgjerimit të NATO-s me ish-vendet komunistë të Europës Lindore—më 1999 dhe më 2004—Shtetet e Bashkuara i shihnin dhe i vlerësonin “pjesët” si të pandara, sepse ato të gjitha kanë rëndësi.
Procesi i anëtarësimit në NATO ka provuar se është pothuaj unik në kohët moderne për aplikimin kritik të metaforës se të gjitha pjesët duhet të lëvizin përpara në radhë dhe të koordinuara njëra me tjetrën. Dhe kjo mund të thuhej, gjithashtu, edhe për ata që na vështronin ne duke ndërtuar, qofshin këta inspektorë të ndërtimit apo blerësit e ardhshëm.
Disa do të fokusoheshin nga afër dhe vetëm në pjesë specifike të punës, të tjerë do ta vlerësonin atë si një të tërë.
Në atë artikull argumentoja, gjithashtu, se bashkëpunimi me administratën amerikane dhe me agjensitë e ndryshme federale të Shteteve të Bashkuara për anëtarësim e vendit tonë në NATO nuk ishte thjesht një çështje “të influencuari” apo “lobimi”, por kishte të bënte me përmbushjen e objektivave të caktuar. Në këtë çështje nuk mund të kishte anashkalim, buzëqeshje hipokrite apo maskime kozmetike.
Retorika politike nuk mjaftonte. Kërkoheshin veprime që të rezultonin në arritje të dukshme. Shqipëria duhej të vinte të gjitha “pikat mbi çdo i” në procesin MAP (Membership Action Plan). Ky do të ishte treguesi më i qartë i besimit që Shqipëria kërkonte të fitonte te Shtetet e Bashkuara dhe te partnerët e saj europianë, si dhe i vendosmërisë së saj për t’iu bashkuara Aleancës së Atlantikut Verior.
Më tej argumentoja se, edhe po të përmbusheshin të gjitha kërkesat e MAP, të cilat, me dy fjalë, mund të përmblidheshin në “interoperabilitet” dhe “kapacitete niche”, kjo nuk do të mjaftonte për të marë ftesën për anëtarësimin në NATO. Përmbushja e kritereve të MAP ishte vetëm një ndër kushtet që duheshin përmbushur dhe një prej vështirësive që duheshin përballuar në procesin e anëtarësimit.
Edhe pse MAP ishte një prag—kryesisht teknik—që duhej kapërcyer, ai ishte, gjithësesi, një predikat i domosdoshëm që do të çonte në një vendim politik pozitiv mbi pranimin e vendit tonë në NATO.
Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO kushtëzohej nga një seri faktorësh, të cilët dëshmonin se sa me maturi vepronte vendi ynë si një demokraci dhe si një ekonomi e lirë tregu. Ishin progresi i gjithanshëm i vendit dhe angazhimi i vendosur i qeverisë shqiptare për të bërë përpara ato që, në vitin 2005, e bënë Shqipërinë një kandidat optimist për anëtarësim në NATO në një periudhë të afërt.
Në artikullin e sipërpërmendur, unë e zhvilloja më tej arsyetimin e kolegut tim akademik dhe diplomat Ivan Grdesic, duke vënë në dukje se filozofia e Kartës së Adriatikut ishte kjo: Kur disa vende bashkëpunojnë me njëri-tjetrin, ata të gjithë fitojnë; kur një problem e ndeshin edhe vende të tjerë, ai zgjidhet më mirë së bashku me ta.
Me kolegët e mi ambasadorë të Kroacisë dhe Maqedonisë në Uashington, Ivan Grdesic dhe Nikola Dimitrov, ne kishin kuptuar qartë qysh në fillim mësimin që ofronte përvoja e tre vendeve balltike (Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë)—dhe jo vetëm ajo—se, ashtu si fuqia e tre vendeve tanë bashkë ishte tre herë sa fuqia e çdo vendi të vetëm, ashtu edhe përpjekjet tona të bashkuara si ambasadorë në Uashington për të mirën e vendeve tanë mund të prodhonin—dhe në fakt prodhuan—një rezultat që ishte tre herë më të madh, më i rëndësishëm dhe më i dukshëm sesa do të kishin qenë përpjekjet e veçuara të secilit prej nesh.
Analiza ime në atë artikull më orientoi drejt përfundimit se Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia do të merrnin nga NATO ftesën për t’u pranuar në këtë organizatë në samitin e saj të ardhshëm, i cili mund të mbahej në fund të vitit 2006, për t’u bërë “full members” më 2008.
Amerika, NATO dhe Shqipëria
Nga perspektiva dhe përvoja ime në Uashington, ky ishte një objektiv realist dhe nuk vinte në konflikt as me kalendarin e NATO-s, as me dinamikën e zgjerimit të saj të mëtejshëm. Në fakt, dy samitet e fundit të NATO-s (Samiti i Pragës në nëntor 2002 dhe ai i Stamblollit në qershor 2004) kishin qenë vendimtarë në përcaktimin e raundit të ardhshëm të ftesave për anëtarësim në këtë organizatë, çka unë, në verën e vitit 2005, kur u largova nga Uashingtoni, besoja se do të ndodhte në samitin e ardhshëm të NATO-s, që do të mbahej në Riga, në nëntor të vitit 2006.
Në Samitin e Rigës, temë qendrore e disktutimeve u bë lufta në Afganistan por, sidoqoftë, Aleanca u angazhua që në samitin e ardhshëm të saj, i cili do të mbahej në Bukuresht, në prillin e vitit 2008, tre vendet partnerë të Kartës së Adriatikut të merrnin zyrtarisht ftesën për t’u bërë anëtarë të saj, siç edhe ndodhi. Një vit më vonë, siç dihet, Shqipëria dhe Kroacia iu bashkuan Aleancës së Atlantikut Verior.
Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia, ashtu si dhe vendet e tjerë të Europës Lindore, nuk do të kishin mundur të anëtarësoheshin në NATO pa mbështetja e fuqishme e Shteteve të Bashkuara dhe pa atë vizion largpamës të presidentëve Bill Clinton (demokrat) dhe George W. Bush (republikan).
Qëndrimi i administratës amerikane dhe i Kongresit amerikan ka qenë vendimtar në përcaktimin e strategjisë për zgjerimin e NATO-s dhe në tërë procesin e realizimit të saj.
Këtu dua të ve në dukje se, çdo pretendim i Sali Berishës, ose i drejtuesve të tjerë Partisë Demokratike, në të kaluarën dhe sot, se merita për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO i përket kësaj partie, është një mashtrim i madh.
Anëtarësimi i Shqipërisë në këtë organizatë ndodhi vërtetë në një kohë (më 2009), kur qeverinë shqiptare e drejtonte Partia Demokratike dhe kur në krye të saj ishte Sali Berisha, por ky vendim i madh historik për vendin tonë nuk u mor nga Shtetet e Bashkuara dhe nga vendet e tjerë anetarë te NATO-s as për meritat e Partisë Demokratike apo për sentimentet proamerikanë të saj, dhe as pasi kjo parti fitoi në zgjedhjet parlamentare të viti 2005 në Shqipëri.
Procesi i anëtarësimit të vendit tonë në NATO, kishte nisur dhjetë vite më parë, në Samitin e kësaj organizate që u mbajt në Uashington, në majin e vitit 1999, në të cilin NATO adoptoi politikën e saj të “dyerve të hapura”, inicioi Planin e Veprimit për Anëtarësim dhe e përfshiu Shqipërinë ndër nëntë vendet që do të ishin palë në atë proces. Në atë kohë dhe për gjashtë vite me radhë—deri në mesin e vitit 2005, kur unë u largova nga Uashingtoni—Shqipërinë e kanë drejtuar gjashtë qeveri socialiste, edhe pse, si në një “revolving door”, në krye të tyre kanë ardhur të njëjtët njerëz, në këtë rend kronologjik: Nano, Majko, Meta, Meta, Majko, Nano.
Ishte pikërisht gjatë asaj periudhe kur u hodhën hapat vendimtarë për anëtarësimin e vendit tonë në NATO dhe, në atë proces të gjatë e të vështirë, partneriteti i vendit tonë me vendet e grupit “Vilnius 10” por, sidomos, bashkëpunimi i ngushtë me Shtetet e Bashkuara, me Kroacinë dhe me Maqedoninë në kuadër të Kartës së Adriatikut (2003), jo vetëm e mundësuan, por edhe e përshpejtuan anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
Pa këtë partneritet të ngushtë me Shtetet e Bashkuara, Shqipërisë do i ishte dashur një kohë shumë më e gjatë për t’u anëtarësuar në këtë organizatë. Shkurt, është Amerika ajo, së cilës duhet t’i jemi mirënjohës që sot vendi ynë është anëtar i Aleancës Transatlantike.