Rreth Berishës, më në fund vetëm katër patkonj do të gjenden; sa mjaftojnë këta për gjithë atë milet ‘demokratikas’ që po pret të përfitojë…
Fjala vjen nga një frazeologjizëm i shpeshtë i gjuhës shqipe, por nuk është se vërtet e kemi fjalën për një kalë. Jo, as formulimi popullor në rastin kur vdes një gjë, nuk do të thotë se po e quan kalë, as gomar, as buburrecë atë gjënë e ngordhur.
…Më duket se prapë po krijohet një konfuzion dhe mund ta marrin për ‘fyerje’. Sapo përdora emrin e insektit ‘buburrecë’, në këtë rast mund të më akuzojnë sepse në Tropojën e Berishës ka shumë emra burrash që quhen ‘Bubrrec’, për shembull kam njohur një familje me kryetar Bubrrec Buçpapa.
Po kjo është në traditën pagane…
Atëherë kthehemi te patkonjtë e Berishës:
Realisht po ndiej njëfarë keqardhjeje pse po e rrënojnë ‘Babën” ato buburreca që i rrinin në gjithë trupin e shtrembëruar kohët e fundit, që nga gishtat e këmbës të lodhur në këpucë mitingjesh e deri në veshët që tani dëgjojnë me vështirësi. Deri pardje këta ishin në garën kush i rri më afër kokës së kalit, jo këmbëve të pasme.
Këta që po japin dorëheqjen dhe njëkohësisht po kërkojnë dorëheqjen e Berishës, këta kanë mbetur në shekullin kur ‘njeriu i PD ishte i ndershëm’. Këta po bëjnë atë që ka bërë edhe vetë Demokracia para-politike e shqiptarëve, largohen.
Vetë populli, kjo qenie e fuqishme që edhe pse vuajti nën këmbët e Berishës, nuk bëri asgjë të padenjë…, populli thjesht e hodhi poshtë mbetjen e tij dhe po merret me veten.
Pse i duan patkonjtë e Berishës, duke nisur që nga Duma, Alibeaj, Landi, Elezi, e qindra që ishin po aty në të njëjtën ‘sallë’? Të presim këto ditë sa shumë do të ngrihen nga Tirana e do të vijnë nga rrethet për një patkua.
Thjesht ndodh si me çdo fund:
Disa duan të marrin flamur se ‘fundin atij ia solla unë’. Këta kanë mbijetuar nëpër partitë e nëpër pritat e ulëta, që nga Partia Komuniste, te Balli, te Legaliteti… Në fakt, fatkeqësisht, kush ka paraqitur një patkua si relike, ai ka marrë grada dhe pasuri me kalin që vjen. Edhe ‘mizat’ e kalit të tanishëm që po i kërkojnë patkonjtë, pikërisht kështu ka mbijetuar në atë politikë balte që ka bërë.
Disa të tjerë kanë në kokë ‘magjinë e zezë’ dhe sipas mendjes së tyre, nëse marrin një qime nga kali i ngordhur, do ta përdorin për të prishur mendjen edhe kalit të ri. Këta kanë sukses në disa operacione politike, por jo aq shumë kohë. U tha publikisht se Monda shifte filxhanin dhe shkonte derë më derë ku kishte magji të zezë, por nuk i bëri mirë magjia. Monda dhe i shoqi janë kali tjetër i ngordhur.
Dhe të tjerët kanë nuhatur se si Meta e Berisha do të jenë shpejt para Drejtësisë. Me këtë rast këta shpejtojnë e u drejtohen patkonjve, besojnë se dikush do të vijë nga Amerika e të hapin garën: ‘Kush ka një patkua’ ka fatin me vete. Vetë Alibeaj, Tabaku e Bardhi, që nuk e tundën këmbën për Amerikën deri tani, kanë nisur të thonë se ‘jemi pro- amerikanë’, dhe se ‘nuk e duan Berishën’.
Rreth Berishës, më në fund vetëm katër patkonj do të gjenden; sa mjaftojnë këta për gjithë atë milet ‘demokratikas’ që po pret të përfitojë. / Pamfleti