Në Poloni janë kthyer në tifozët e parë të Shqipërisë. Duke parë situatën sesi ka shkuar grupi, ata presin që Shqipëria të fitojë kundër çekëve dhe t’ia lërë edhe një mundësi të fundit Polonisë, që në ndeshjen direkte kundër Çekisë të marrin biletën e mbetur për të shkuar në Europianin e Gjermanisë.
Kjo pasi në bazë të matematikës, edhe nëse Shqipëria humbet kundër çekëve, dy fitore me Moldavinë dhe Ishujt Faroe mjaftojnë për të kaluar më tej. Emisioni “Koha Shtesë +3” i “Sport Ekspres” ka zhvilluar një intervistë me gazetarin e njohur në Poloni, Maciek Frydrych. Ai parashikon një fitore të Shqipërisë dhe tregon se në Poloni po kryqëzojnë gishtat për Kombëtaren tonë.
E teksa e pyesim se cila Kombëtare do të mbetet pa biletë, ai na ka befasuar me përgjigjen. Megjithëse është vetë polak dhe Kombëtarja e tij ka në përbërje yje si Lewandowski apo Zielinski, Frydrych ka lënë mënjanë tifozerinë dhe ka deklaruar se Polonia do të mbetet jashtë Europianit. (Shiko videon e intervistës më poshtë).
“Besojmë se çekët do të kenë një mbrëmje shumë të vështirë në Air Albania. Ata janë një ekip shumë i fortë, por unë besoj se Shqipëria fiton 1-0 kundër tyre. Po kryqëzojmë gishtat dhe presim të jetë Ernest Muçi vendimtar, pasi është lojtari ynë te Legia. Muçi është një yll i madh, por i mungon vazhdimësia. Pasi shënoi 2 gola kundër Aston Villa, zhvilloi 2-3 ndeshje të dobëta. Është pikërisht ajo që i mungon.
Ju keni fituar me meritë kundër nesh, ne e prisnim që ndeshja në Tiranë të ishte e vështirë, por unë jam befasuar shumë nga mënyra e lojës së Shqipërisë së Silvinjos. Duket që keni shumë ndryshime, na befason fakti se Shqipëria po kryeson grupin. Unë mendoj se do të jetë Çekia dhe Shqipëria që do të kalojnë në Europian”, tha Frydryck.