Në fund të muajit gusht 2024, kreu i grupit Parlamentar i PD, Gazment Bardhi mblodhi deputetët e PD, ku mes të tjera u ra dakord për të kërkuar një interpelancë urgjente me Kryeministrin Edi Rama sa i takon fakteve të bëra publike për transportin e paligjshëm të mbetjeve të rrezikshme drejt Kinës dhe Tajlandës. Lajmi u publikua në të gjitha mediat. Ndërkaq, deputetja e Partisë Demokratike Zheni Gjergji ishte ndër zërat e rrallë opozitarë, që denoncoi skandalin e Kurum me mbetjet e rrezikshme.
Disa ditë pas mbledhjes së Gaz Bardhit, Kurum angazhoi një sekser të famshëm, i cili kontaktoi me njerëzit e Shkëlzen Berishës, pronarit real të Syri Tv. Nuk kemi fakte për shifrat e pazarit. Por, është fakt që televizioni i Familjes Berisha, Syri Tv, ka nisur të reklamojë aktivitetin kriminal të kompanisë Kurum, ashtu siç reklamon Abi Bank, për të cilën Berisha ka deklaruar se është banka e Edi Ramës, apo kompaninë e trafikut të kokainës Bana King.
Deputetja e Partisë Demokratike Zheni Gjergji jo vetëm që mbylli gojën për Kurum, por si ndëshkim, ajo nuk ftohet më as në banakun e Syri Tv. Ndërkaq, Gaz Bardhi u tërhoq gradualisht nga kërkesa për intepelancë me kryeministrin Edi Rama për mbetjet e rrezikshme. Që kur Kurum arriti pazarin me Familjen Berisha, PD nuk e përmendi më kërkesën për interpelancë me kryeministrin për aktivitetin kriminal të Kurum dhe rolin e qeverisë.
Aktiviteti kriminal i kompanisë Kurum është gati i pabesueshëm. Prapaskena ka parë dokumente, që konfirmojnë se Kurum është përfshirë në evazion fiskal me vlerë qindra milionë euro, me tregtarët e vegjël të skrapit, përmes skemës së TVSH.
Kurum dyshohet se është një biznes i kamufluar i Familjes Berisha me mashtruesin turk Hasmet Kurum. Në vitin 2013, para se të largohej nga pushteti, Sali Berisha i dha Kurumit të portit të kontejnerëve në Durrës. Qeveria Rama ia hoqi këtë koncension në vitin 2017 pasi për shkak se Kurum kishte shkelur kontratën dhe e fitoi një kompani malteze. Tre vjet më parë, Gazmend Bardhi bëri një padi ndaj qeverisë, pse i ka prishur kontratën Kurum-it dhe ja ka dhënë kompanisë malteze.
Disa javë para zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit 2013, Berisha i dha Kurumit, HEC-et Ulëz, Shkopet, Bistrica 1 dhe Bistrica 2, në kundërshtim flagrant me ligjin dhe në mënyrë korruptive, duke shkaktuar një dëm me vlerë 232 milionë euro.
Kush është Hasmet Kurum i mafies Kurum?
Hasmet Kurum, pronari i Kurumit, është i njëjti person, Haşmet Kürüm, të cilin turqit e kanë akuzuar për grabitje gjigante financiare, ndërsa shqiptarët e shohin KURUMIN dhe helmet toksike të prodhuara në Elbasan si biznes të ndershëm. Së fundi, kamionat e Kurumit që mbushën dhjetra kontenierë me këto mbetje, ata i pane tek shkojnë sa në Durrës, Kinë dhe prapë mbrapsht në Durrës.
Në vitin 2020, kryeprokurori Publik i Stambollit e akuzoi Hasmet Kurumin për një operacion financiar të padëgjuar në Turqi. Prokurori e quajti Hasmetin “grabitës bankash”. Hasmet Kurumi, një prej ish-pronarëve të klubit “Beşiktaş”, u akuzua për mashtrimin më të madh bankar të 10 viteve të fundit në Turqi. Ai mori kredi rreth 100 milionë euro nga 14 banka në Turqi dhe 19 banka jashtë vendit dhe nuk bëri asnjë pagesë. Hasmet Kurumi falsifikoi dokumentet e pronave të kompanive të tij, ose i transferoi pasuritë tek njerëzit dhe farefisi i afërt para se t’i regjistronte banka për veprime.
Hasmeti ia transferoi pronat dhe pasuritë gruas Hatixhesë (Hatice Melek Kürüm) e cila është edhe aksionere e vetme e “KURUM INTERNATIONAL” në Shqipëri, kushërinjve dhe disa punonjësve të tij të besuar, njëri prej tyre Erdal Demir, administrator KURUM.
Në akuzën e prokurorisë së Stambollit përmendet edhe Shqipëria, ku Hasmet Kurum dyshohet se në operacionin e grabitjes së bankave, përdori kushëririn Serafettin Kirpikli, të cilit i kishte dhënë prokurë të transferonte asetet e Kurumit. Kirpikli krijoi kompani në SHBA, që më pas t’ia shiste aksionet kompanive të Hasmetit në Shqipëri, ku ishin Hatixheja gruaja e tij që ndërkohë ishte bërë shtetase shqipatre, kushëriri Erdal Demir bashkë me familjarët, Melis, Yusuf dhe Selin Kurum.
Kurum akuzohet për mijëra transaksione fiktive në Turqi, Angli, SHBA dhe vende të tjera. Vetëm në Shqipëri nuk është merakosur askush për mashtruesin Hasmet Kurum dhe njerëzit e tij. Të dhënat e fundit mediatike japin shifrën 250 milionë euro kredi të marra nëpër bankat shqiptare nga KURUM.
Në vitin 2016 për shkak të borxheve të mëdha, keqmenexhimit dhe vjedhjeve KURUM përfundoi në gjykatë duke kërkuar shpalljen e falimentimit. Me makinacione në gjykatë, KURUM arriti të shpëtonte miliona euro vjedhje, pasi u lejua të sajonte një plan riorganizimi që të paguante borxhet por të vazhdonte punën pa falimentuar. “Falimentimi i kontrolluar” u ndihmua nga qeveria shqiptare që shpiku një ligj për proceset e falimentimit në Shqipëri. Ky ligj u bë fiks për KURUM, për të organizuar shpëtimin e tij. Kështu mashtruesi Hasmet Kurum vazhdoi të bënte biznes në Shqipëri pa i hyrë gjëmb në këmbë, duke shitur e bërë para me ‘helmet’ për të cilat hetohet sot në Portin e Durrësit.
Tashmë është bërë e modës të dëgjojmë se mashtruesit jashtë Shqipërie janë të akuzuar, brenda saj janë të nderuar. Kujtojmë këtu IUTE GROUP e mashtruesve Tarmo Sild dhe Allar Niinepuu nga Letonia që u përzunë me ceremoni nga Kosova, por që IUTE ALBANIA po lulëzon në Shqipëri.
KURUM po “helmon” me mbetje toksike prej vitesh dhe askush nuk e ndaloi. Më e keqja është se hobi i pronarit të KURUM është t’ua “fusi” bankave. Në Shqipëri thuhet se ai ka zhytur dorën dhe bankat në një shumë 250 milion euro.
A do t’i paguajë këto kredi Hasmet Kurum, apo ndonjë ditë SPAK do të shkojë për hetim dhe do të gjejë Metalurgjikun e boshatisur dhe Bistricën e tharë nga uji?!
Grupi kriminal Kurum-Sokolaj
Në 4 korrik 2024 dy anijet “Compton” dhe “Candor”, të ngarkuara me 102 kontenierë me mbetje të rrezikshme toksike, u nisën nga porti i Durrësit për në Tajlandë.
Operacioni i ngarkimit të tyre drejtohej nga dy gra të reja rreth të dyzetave, Gjovana dhe Olizana.
Ngarkimin e mbetjeve nëpër anije dhe sigurimin e gjithë lëvizjes së mallit e bënin vëllezërit dhe kushërinjtë e tyre, Armando, Frangu, Andrea, etj., një grup i ngushtë burrash, të gjithë të një linje gjaku.
Kol dhe Age Pemati nga Iballa e Pukës lindën shumë fëmijë, por më të shkathët u bënë dy vajzat e tyre.
Gjovana u martua me pinjollin e familjes së Gjelosh Sokolajt nga e njëjta zonë, të persekutuar nga regjimi komunist dhe të arratisur herët në ish-Jugosllavi.
Doni Sokolaj, i lindur në Rijeka të Kroacisë u martua me Gjovanën me të cilën kanë dy fëmijë.
Mundësia për biznesin e “mbetjeve” filloi të ravijëzohej në minierat e rrethit të Pukës në bisedat me turqit, njohja me Serdar Can Hakliol, takimet në Rijeka me bisnesmenë dhe më pas shtrirja e një linje trafiku ndërkombëtar që u pikas së fundmi nga organizata “Basel Action Network”.
Gjovana dhe Doni Sokolaj, burrë e grua, luajtën me shtetësinë kroate që është vend e BE-së dhe atë shqiptare.
Krijuan dy kompani: “GSS Mineral DOO” në Kroaci dhe “Sokolaj shpk” në Shqipëri.
Prokuroria e Durrësit përvç kontrabandës me mbetjet ka nisur edhe një hetim pasuror për “kroaten” Gjovana (Pemati) Sokolaj, duke qenë se ajo drejton dy shoqëri në dy shtete të cilat bënin transaksione me njëra-tjetrën, ku administratorja shfaqej një herë kroate dhe një herë shqiptare.
Në maj 2013 del në skenë turku Serdar Can Hakliol, i cili i futi motrat Pemati në rrugën e trafikimit të mineraleve nga minierat e Pukës dhe Bulqizës dhe më pas tek bashkëpunimi me “Kurum”.
Gjovana dhe Olizana u zhvendosën në Durrës, aty krijuan rezidencën dhe më pas një perandori të padukshme të trafikut ndërkombëtar të mbetjeve toksike.
Linja Kroaci-Durrës, nëpërmjet GSS Mineral DOO-Sokolaj, ka funksionuar për së paku 5 vitet e fundit. Procesi i blerjes së mbetjeve nga “Kurum”, transporti dhe kalimi në port, bëhej i gjithë nga burrat e familjes Pemati, të komanduar nga dy motrat Gjovana dhe Olizana.
Olizana Pemati, në vitin 2020 futet edhe në strukturat e ASHK Kavajë, me qëllim sistemimin nga brenda të transaksioneve me pronat që dy motrat do fitonin nga biznesi fitimprurës i “mbetjeve”.
Duke u futur thellë në botën e trafikut të mbetjeve, me pasjen në dorë të lidhjes së marrëveshjeve dhe kontratave me kontrabandistët ndërkombëtarë, motrat Pemati filluan të komandojnë një lojë shumë më të madhe se sa fillesat e një biznesi të thjeshtë me “goma makinash”.
Në kulmin e hetimeve dhe vëmendjes ndërkombëtare për atë që do të ndodhë me dy anijet në Tajlandë, motrat Pemati krijojnë më 26 gusht kompaninë “GG & OV” me NIPT M42026502M.
Lehtësia që të ofron legjislacioni shqiptar për regjistrimin e kompanive bën që Olizana Pemati, vetëm me 100 mijë lekë të vjetra të krijojë një kompani për “grumbullim, depozitim të mineraleve të kromit, bakrit dhe transportit tek të tretët me logjistikë” vetëm me 100 euro, ndërkohë që synimi është fitimi i 100 milion eurove.
Në këtë kohë me rrezik të plotë nga hetimet kombëtare dhe ndërkombëtare, motrat Pemati ndërmarrin një aventurë për të hapur një shoqëri të re për të vazhduar kontratat dhe trafikun e vjetër, meqenëse kompania “Sokolaj shpk” është bllokuar nga hetimet.
Lëvizja me “GG & OV Shpk” duket si një lëvizje e detyruar e dy “mbretëreshave” pukiane të trafikut të mbetjeve toksike.Kush po i detyron?
Mafia KurumHatice Melek Kürüm është pronarja në letra e Kurum, ndërsa e besuara e saj si administratore është Lindita Kikino. Dora e punëve të zeza te Kurum konsiderohet edhe Erdal Demir.
Dy anijet me mbetjet toksike janë në pronësi të kompanisë Maersk. Por, transporti i mbetjeve toksike të Kurum bëhet zakonisht nga kompania Sokolaj, me pronare në letra zonjën Gjovana Sokolaj.
Pluhuri i furrës është një produkt mbetjesh i rrezikshëm që zakonisht vjen nga riciklimi i skrapit të çelikut dhe përmban okside metalike toksike si kadmiumi dhe kromi, që janë të dëmshëm për shëndetin dhe mjedisin.
Ky lloj pluhuri kërkon trajtim të kushtueshëm, ndërsa Tajlanda vitet e fundit është parë si një venddepozitimi të ngarkesave të ngjashme nga shumë vende më të zhvilluara.
Kompania e transportit Maersk ka thënë se nuk ishte në dijeni se çfarë ngarkëse kishin brenda kontenierëve në Durrës.
As qeveria tajlandeze nuk ishte informuar për llojin ngarkesën që mbartnin dy anijet. Sapo u njoftuan, autoritetet tajlandeze ndaluan futjen e anijeve.
Ka dyshime të forta se zhdukja e mbetjeve është planifikuar në bashkëpunim nga kompania Kurum dhe kompania Sokolaj, ndoshta në bashkëpunim me kompaninë Maersk.
Dy anijet e ngarkuara me mbetje të dëmshme, janë ngarkuar njëra me 60 kontenierë, tjetra me 40 kontenierë. Anija që udhëheq quhet Maersk Campton dhe ishte e ngarkuar me 40 kontenierë.
Ajo mbërriti e para në Singapor dhe i shkarkoi kontenierët në datën 18 gusht.
40 kontenierët do të ngarkohen në anijen me emrin MARIA SAVERA që do t’i transportojë drejt Italisë. Më pas një anije tjetër do t’i kthejë në Durrës.
Anija e dytë me 60 kontenierë, e quajtur Maersk CANDOR ka rezultuar jashtë radarëve që nga data 9 Gusht, një kohë relativisht e gjatë dhe pritet të mbërrijë në Singapor në datën 24 Gusht. (Prapaskena.com)