Edhe pse u shpall ‘non grata’ nga SHBA për kryerjen e akteve korruptive dhe abuzimit me postin qeveritar, Berisha duket se i ka ‘harruar’ pasi shprehet se do të punojë me të gjithë forcën e tij, që marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA të konsolidohen akoma edhe më shumë.
“Edhe sot që jam shpallur non grata nga SHBA, do punoj më gjithë mundësitë e mia që marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA të konsolidohen gjithmonë e më shumë”, tha Berisha.
Berisha ka bërë një deklaratë të papritur ku ka thënë se mund të rikthehet sërish në krye të PD.
“Kurrë, mos thuaj kurrë” ka thënë ai duke shtuar se “Nuk përjashtoj asnjë të drejtë time kushtetuese, kategorikisht”.
Kjo deklaratë e tij të bën të mendosh e në fakt Berisha nuk është larguar kurrë nga PD edhe pse në krye të saj që prej 2013 kur dha dorëheqjen qëndron Lulzim Basha.
Dy ditë më parë, në 8 qershor 2021, Presidenti amerikan Joe Biden nxori një urdhër të ri ekzekutiv, për bllokimin e pasurive të zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve shqiptarë të përfshirë në afera korruptive dhe që janë angazhuar për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor. Urdhri konsiderohet si një tjetër goditje për Sali Berishën, pasi është rrjedhojë e njoftimit të DASH të datës 19 maj për ta përfshirë në listën e zezë si dhe e memorandumit të datës 3 qershor për t’i shpallur luftë korrupsionit edhe jashtë Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Të jesh përgjegjës ose bashkëpunëtor, ose të përfshihesh drejtpërdrejt ose indirekt në korrupsionin në lidhje me Ballkanin Perëndimor, përfshirë korrupsionin nga, në emër të, ose të lidhur ndryshe me një qeveri në Ballkanin Perëndimor, ose një zyrtar aktual ose ish-zyrtar i qeverisë në çdo nivel të qeverisjes në Ballkanin Perëndimor, të tilla si keqpërdorimi i pasurive publike, shpronësimi i pasurive private për përfitime personale ose qëllime politike, ose ryshfet;”, thuhet në pikën 5 të urdhrit.
Kjo pikë e urdhrit të Joe Biden përputhet me njoftimin e DASH të datës 19 maji 2021, për të përfshirë Sali Berishën dhe Familjen e tij në listën e zezë për korrupsion. Urdhri është një mesazh i dyfishtë për Sali Berishën. Së pari, Berisha është subjekt i urdhrit, pasi është shpallur nga DASH non grata si i korruptuar. Së dyti, urdhri hedh poshtë propagandën e Berishës së përfshirja e tij në listën e zezë është një vendim individual i Antony Blinken dhe i diktuar nga Soros.
Ish-kryeministri Sali Berisha deklaron se mund edhe të rikthehet në krye të PD. I pyetur nëse vazhdon me qëndrimin për të mos iu kthyer angazhimit në drejtim të PD, ai u përgjigj “Kurrë, mos thuaj kurrë”, duke e lënë të hapur si mundësi. Kjo duket si një paralajmërim për të gjithë demokratët dhe për të treguar se nuk ka hequr dorë nga PD.
“Kurrë mos thuaj kurrë! Never say never. E kam përdorur me Ramiz Alinë dhe e përdor prapë pasi sot kam ndërruar rugë dhe po i heq të gjitha pengesat e mua. Nuk përjashtoj asnjë të drejtë timen kushtetuese më”, thotë Berisha.