Edhe pse sot ngjan si një zgjyrë e vërtetë, Festivali i Këngës në RTSH i ka shikuesit e saj. Ndër ato është dhe Bedri Alimehmeti, gazetari i njohur tirons, i cili ruan kujtime të jashtëzakonshme nga rinia e tij, atëherë kur iu dha rasti që ndiqte të parin festival, që më pas u shndërrua në një ndër ngjarjet kryesore kulturore të vitit.
Dhe, teksa po zhvillohet i 55-ti, i cili deri më tani ka ofruar jo ndonjë këngë për t’u veçuar por stilin e (zh)veshjes së prezentatores Ledina Çelo – e kuptueshme kjo për këtë kohë të marrë që po jetojmë – Alimehmeti ofron ca kujtime të dekadave më parë ku vërtet festivali ofronte një kualitet muzikor, poetik e intepretativ, të denjë dhe për t’u krahasuar m,e botën. Tek e fundit, muzika e lehtë shqiptare ishte një ndërthyrje fantastike e motiveve popullore shqiptare dhe e ndikimeve italiane nga Sanremoja e famshme.
Bedriu ka qenë 17 vjeç kur ndoqi si spektator festivalin e parë në radio, pasi televizioni sapo kishte filluar transmetimin eksperimental. Ja ç’kujton ai….
Si u prit festivali i parë i këngës 55 vjet më parë nga Tirana e asaj kohe?
Para se t’i përgjigjem pyetjes tuaj kam mendimin se, një ekspoze e shkurtër e muzikës së asaj kohe do të ishte në interes të lexuesit. Konkretisht në ato vite çdo fund shkurti i gëzoheshim festivaleve të Sanremos, ashtu si ai i burgosuri asaj rrezes së dritës, që tek i depërton nëpërmjet hekurave të frëngjisë së qelisë i ringjall shpresë për jetën. Kështu edhe ne me veshin pas altoparlantit, zhyteshim shpesh në ëndërrime nga më fantastikët, duke kaluar edhe caqet e fantazistit më të paimagjinueshëm. Por, për t’iu rikthyer sërish këtyre përfytyrimeve them se, do të jetë me interes ekspozeja panoramike e këngës dhe e muzikës së lehtë që luhej në përgjithësi në botë, në atë këmbim dhjetëvjeçarësh, ku vendi fqinj, Italia e madje gati tërë Europa, qe pushtuar nga një këngë e bukur e Roko Granatës me titull “Marina”. Suksesi i saj qe i jashtzakonshëm çka e dëshmon edhe fakti ku pas tri dekadash, në një aranxhim të ri, kryesoi gjatë në hitit italian. Por, edhe “Marina” nuk dilte aspak jashtë kornizës së këngës tipike italiane.
Kështu e gjente muzikën italiane festivali I XI-të i San Remos më 1961. Kishte kaluar pra një dekadë që nga fillimi dhe gjatë kësaj periudhe sukseset qenë të dukshme. Ishin evidentuar talente të vërtetë këngëtarësh dhe kompozitorësh si: Fred Buskaljone një zë me të vërtetë i paharruar, që humbi jetën në një aksident automobilistik, Klaudio Vila, Luçiano Tajoli, Karlo-Alberto Rosi, Nila Pici, Umberto Bimbi, Betti Kurtis, Renato Karuzone, Domeniko Modunjo, Renato Rashel, Toni Dalara etj. E megjithatë kënga italiane kishte mbetur ende në traditën e saj karakterike; një muzikë e ëmbël, e lehtë, tepër e ndjeshme, e veshur me nota të theksuara romantike gati-gati sentimentale. Madje këtë dëshmonte edhe kënga fituese e festivalit paraardhës që nga titulli i saj “Romantica” e Renato Rashelit.
Ndërkohë edhe nëpër vendet e tjera europiane kënga kishte arritje. Në Francë kishin spikatur prej kohësh talentet e Edi Piafit, Iv Montanit, Zhuljet Griekos e Sharl Azhavurit. Në Spanjë Sara Montiel, në Angli Hengelbert Hambërding, Pol Anka etj. Kurse përtej oqeanit Atlantik ishte në lulëzim të plotë një shumëllojshmëri muzike si e ritmit Bluz, Xhaz, Folk music, Music country, Rock’n’Roll me përfaqësues të tillë të kalibrit botëror si: Djuk Elington, Mehailla Xhekson, Otis Redi, Elvis Preasly, Bill Hallej, Frenk Sinatra, Rei Çalls, Xhejms Braun, Hareta Frenklin, Gloria Gejner etj. Pas kësaj natyrshëm lind pyetja: Ku i merrnim ne këto informacione? Në ato vite të largët ushqimi jonë i pashtershëm muzikor mbetej “e dashura radio”, unë kështu do ta quaj pa ngurim. Edhe sot e kësaj dite me gjithë efikasitetin e lartë komunikativ televizionin unë nuk e vë para radios.
Stacionet italiane ishin nga më të dëgjuarit ndër ne, krahas stacioneve të rinj e të fuqishëm, që nisën jetën e tyre në ato vite, siç qe radio Monte-Karlo apo famozi “Llaks”, kështu i thonin, stacionit radiofonik Radio Luksemburg London W.I. Por ndërkohë nuk duhet të harrojmë Radio Tiranën, emisionet muzikore të së cilës në ato vite ndiqeshin me shumë interes. Por për festival këngësh nuk bëhej fjalë. Këngët e reja promovoheshin nëpërmjet emisioneve të radios dhe nëpër skenat e estradave, pa thënë që në ato skena kishte vërtet interpretues dinjitoz të këngës së muzikës së lehtë të vendit por edhe nga vende të ndryshëm.
Si siguruat hyrjen në festivalin e parë të këngës?
Për sigurimin e një bilete nuk qe aspak e lehtë, ngaqë ato ju shpërndanë me ftesa personave të caktuar dhe nëpër dikasteret. Me një ftesë të tillë paraqiteshe në sportelin e teatrit të Operas e Baletit, që në atë kohë ishte te salla e Universitetit të Arteve dhe siguroje biletën hyrse. Për fat në ato vite përgjegjës i fonotekës në Radio Tirana ishte babai i një shokut tim të ngushtë, njeri me kulturë të gjërë. Duke na njohur si admirues të muzikës, ai na surprizoi të dyve duke na siguruar ftesa për në festival.
Si mund ta përshkruani atë koncert në kujtimet e juaja?
Faktikisht në ato vite u tha fillimisht se bëhej fjalë për koncert me këngë të muzikës së lehtë nga kompozitorë shqiptarë. Kështu u tha, ndoshta mund të ketë qenë edhe si kamuflim, sa për të marrë miratimin dhe më pas ai koncert u shndërrua në Festivalin e Këngës në radio. Në vitin 1962 nuk bëhej fjalë për televizion, programi eksperimental i të cilit kishte nisur vetëm pak kohë më parë, ekzaktësisht më 29 prill 1960. Ndërkohë duhet thënë se për festivalin thuajse nuk u bë reklamë fare. Në podiumin prej dërrasash qe ekzistonte në ato vite në sheshin “Skënderbej”, u vendos vetëm një afishe e zbehtë disi, pa ngjyra evidentuese, që i bie të ketë qenë thuajse përballë xhamisë sot. Aty lajmërohej për festivalin që do të ngrinte siparin më 21 dhjetor, ditë e premte dhe do vijonte tri netë deri të dielën më 23 dhjetor 1962. Në atë afishe ishin emrat e këngëtarëve pjesëmarrës dhe dirigjentëve Kristo Kote dhe Agim Krajka, që do drejtonin i pari orkestrën e radios dhe i dyti kompleksin instrumental.
Si e kujtoni hapjen e këtij festivali?
Prezantues të festivalit ishin aktorja Margarita Xhepa, që kishte korrur sukses në atë kohë me rolet e Ofelisë në tragjedinë “Hamleti” të Shekspirit e Kleas në dramën “Dhelpra dhe rrushtë” të Figuerolës. Partner i saj qe Luigj Gurakuqi, në atë kohë regjisor në teatrin e Operas e Baletit. Këngëve në festival nuk u bëhej e ditur as kompozitori edhe as autori i tekstit. Praktikë kjo vërtet origjinale për ti vlerësuar ato me objektivitet. Vetëm pasi u shpallën fituesit u mësuan autorët e vërtetë të këngëve, ndonëse jo pak prej tyre edhe kishin dekonspiruar. Festivalin e hapi me një fjalë përshëndetëse përgjegjësi i redaksisë së muzikës në radio Tirana, kompozitori Abdulla Grimci, i cili në fund të fjalës iu lut të pranishmëve që të mos reagonin gjatë interpretimit të këngëve, ngaqë ato do të regjistroheshin dhe në orën 20:30 të po asaj nate festivali do transmetohej në Radio Tirana.
Kënga e parë që u këndua në festival ishte ajo me titull “Këndoj” interpretuar nga Avni Mula, për të cilin vetëm në natën e tretë u mësua që ishte faktikisht autori i saj kënge me autor teksti nga ana tjetër të madhin Ismail Kadare. Këngët interpretoheshin nga dy këngëtarë nën ekzekutimin e dy orkestrave. Kështu kënga në fjalë më pas u këndua nga e paharruar Vaçe Zela shoqëruar nga kompleksi instrumental nën drejtimin e fizarmoniçistit Agim Krajka, i cili kishte në përbërje të tij instrumentistë të njohur si kitaristët Alfons Balliçi e Pirro Miso, në saks Platon Mezini dhe në bateri Genc Cara. Nëpërmjet fletëpalosjeve të cilat iu dhanë të gjithë shikuesve krijohej mundësia që në fund të votonin edhe ata duke i hedhur mendimet e tyre për këngët në dy kuti të mëdha, që ishin vendosur në hyrje të sallës kryesore. Ndërkohë që ishte krijuar edhe një juri, emrat e antarëve të së cilës ishin mbajtur sekret. Nata e parë u zhvillua krejt normalisht e ndërkohë pasi u transmetua në radio festivali zgjoi një interes të paparë.
Në natën e dytë u zgjua interesi për festivalin…
Të nesërmen në shkollë, unë e shoku im Kujtimi u bëm “heronjtë” e ditës nga që kishim qenë të pranishëm në festival. Në natën e dytë më dyert e teatrit pati një dyndje të pazakontë shikuesish. Sheshi “Nënë Tereza” thuajse qe mbushur nga admiruesit e këngës. Madje në çastin kur u mbyll dera dhe festivali filloi, trysnia e njerëzve mbetur jashtë qe aq e madhe sa u shpërthye dera dhe njerëzit vërshuan brenda në sallë. Si pasojë shfaqja u ndërpre për pak kohë dhe vetëm pasi u vendos rregulli e qetësia rinisi.
Cilët këngëtarë do të veçonit dhe për ç’arsye?
Padyshim të parën do të veçoja të madhen Vaçe Zela, që interpretoi tri këngë: “Këndoj” të Avni Mulës, “Erë pranverore” të Tish Daisë dhe “Lemza” të Agim Krajkës, e cila me zërin e saj që në atë kohë i ngjiti ato këngë në një nivel të tillë, sa edhe sot është vështirë të arrihet. Zëra të spikatur shpalosën në festival edhe këngëtarët: Qemal Kërtusha, Violeta Simoni, Avni Mula, Gjoni Athanas, Ibrahim Tukiçi(Trioja Mula-Tukiçi-Athanas), Gaqo Çako, Florinda e Ndrek Gjergji (Dueti Gjergji), Luiza Papa, Sulejman Çela etj. U dalluan gjithashtu edhe disa këngëtarë amatorë si Ing. Sami Kumi, Ylber Gimjani, Hiqmete Pazari, Sami Bakalli dhe Nikoleta Shoshi.
Dhe cila ishte kënga fituese?
Nuk pati çmim të parë edhe pse qe lajmëruar që do të jepej në i parë, dy të dyta dhe tre të treta, por në atë festival u dhanë dy çmime të dyta “Këndoj” e Avni Mulës dhe “Fëmija i parë” nga Abdulla Grimci dhe tre çmime të treta: “Lule të bukra sjell pranvera” nga Mark Kaftalli, “Vashëzo” nga Koço Uçi dhe “Mos më qorto” nga Vath Cangu. Çmimet u dhanë të plota vetëm për këngëtarët Vaçe Zela, çmimi i parë, Avni Mula e Qemal Kërtusha, çmimi i dytë, Violeta Simoni çmimi i tretë etj.
E keni ndjekur ndër vite më tej festivalin?
Vitet e tjera qe vërtet tejet e vështirë të sigurojë biletë, por në vitin 1972 nisa punë në Radio Televizionin Shqiptar, dhe aty në çdo festival për vite me radhë ne punonjësve na krijohej mundësia që në provën gjenerale, pra ku ekzekutoheshin të gjitha këngët të ishim të pranishëm. Madje në këtë prezencë kishim fatin të dëgjonim edhe ndonjë këngë që për arsye të ndryshme skarcohej, pra hiqej nga netët zyrtarë të festivalit.
Në çfarë situate jemi sot, sa i përket festivalit të këngës?
Unë nuk jam kritik muzike. Thjesht mbetem admirues i muzikës. Kënga jonë falë këtyre festivaleve ka ecur ndër vite e madje ka plot krijime që edhe pse kalojnë vitet të lënë mbresa. /tesheshi.com/