Disa perla nga i madhi Faik Konica, një prej shqiptarëve më të shquar dhe më me kulturë.
–Dëshira për hakmarrje është susta më e fuqishme e shpirtit shqiptar. (Albania 4, 1907).
-Shqiptari e ka zakon që kundërshton para se të marrë vesh. (Vepra 1, f. 187).
-Mjerimi i shqiptarëve ka qenë në tërë kohërat të kapej pas individëve dhe jo pas ideve… Historia e Shqipërisë është e mbushur fund e krye me prova të tilla të përngjashme.
Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë – jo t’i bëjnë qejfin këtij apo atij shqiptari. (Albania 16, 15-30 korrik 1898).
-Shqiptarët nuk ndahen në të krishterë e në muhamedanë, po ndahen në dy anë: ana e kombëtarëve, në të cilën ka shqiptarë nga të gjitha besimet, dhe ana e zuzarëve. (Vepra 3, f. 75).
-Populli është i duruar, po gjer në një pikë: e kur kupton dhe e zë zenga, tërbimi i tij bën çudira të shëmtuara. (Vepra 3, f. 181).
-Kombi [iliro-shqiptar] i Diokletianit, i filozofit Julian, i Justinianit, është një komb i cili kishte një qytetari të tij kur stërgjyshërit e frëngjve dhe të anglezëve visheshin me lëkura bualli dhe rronin të futur në shpellat. (Vepra 2, f. 70).
-Zgjidhja ideale do të ishte për shqiptarët të zhduknin njëherë e mirë ndikimet orientale, duke shkëputur çdo lidhje, fetare, morale apo letrare, qoftë me bizantinët, qoftë me turqit. Mirëpo, gjë e bukur të ndodhte kjo në çast.
Zgjidhja do ishte e realizueshme po qe se stërgjyshërit tanë do ta kishin përgatitur me kohë për ne; atëherë neve do të na duhet ta përgatisim këtë zgjidhje për nipat tanë të ardhshëm. (Albania 2, 1907).
-“Shqipëria i ka dhënë Turqisë, me të cilën ish lidhur, jo më pak se tridhjet e pesë kryeministra në katër shekuj e gjysmë, dhe një numër të madh komandantësh ushtrie dhe diplomatësh; Shqipëria i ka dhënë edhe një kryeministër Italisë, një papë (Klementin XI) Romës, dhe një kryegjeneral së Shenjtës Perandori Romane.
Një e tillë pjesëmarrje në histori nuk mund të kuptohet pa rrënjë kulture në kohën e shkuar, kulturë nga e cila kanë mbetur edhe sot shenja të gjalla në Shqipëri- Faik Konica – 1933.
–Vetëm shqiptarët e kanë ndjenjën e së bukurës aq të fuqishme sa e paguajnë me jetën e tyre kënaqësinë për të qenë vetë rrufeja mes atyre furtunave njerëzore të luftës. (Albania 3, 1897).
-E ashpër, e vrazhdë, si populli i fuqishëm që e flet, por edhe plot shije e hijeshi, si frutat dhe lulet e malit ku flitet, gjuha shqipe – ndonëse e varfëruar nga një palëvrim shumë herë shekullor – është e aftë të shprehë, me një ndjenjë të mrekullueshme, nuancat, konceptimet më të holla e të mprehta të mendimit njerëzor. (Albania 1, 1897).
-Ndjenja kombëtare ka rrënjë të forta në zemrat shqiptare; dhe ndonëse më ndonjë rast, moskokëçarja dhe moskuptimi i shqiptarëve gati na shkurajojnë dhe shkurajojnë gjithë miqtë e tyre të vërtetë, duhet pranuar se ndjenja kombëtare atyre nuk u mungon, por u mungon ajo vetëdije e qëruar, aq e domosdoshme për përparimin. (Albania B, nr 2, 14, 15-30 qershor 1898).
-Shqiptarët honxhobonxho janë të tmerrshëm për mizori e kapadaillëk. (Albania10, 28 shkurt 1898).
-Sa e sa marrëzi, sa e sa poshtërsi e krime janë bërë në emër të së gjorës Shqipëri! (Albania 4, 1907).
-Një e thënë latine e Kohës së Mesme, e ndryshuar pak: Homo homini lupus – Njeriu për njeriun është ujk. Femina feminae lupior – Gruaja për gruan është më ujke. Albanus Albano lupissimus – Shqiptari për shqiptarin është fare ujk [ujk e shkuar ujkut]. (Albania, qershor 1902, nr.5).
-Turqit turq mbeten; të rinj a të vjetër, ata janë, siç thotë shprehja latine popullore eiusdem farinœ [të të njëjtit brum]. Në tërë perandoritë që kanë ekzistuar a ekzistojnë, janë gjendur në kombin sundues mendje bujare për të marrë në mbrojtje kombet e nënshtruara.
Po a mund të përmendet që prej katër shekujsh qoftë edhe një fjalë e vetme e një turku të vetëm në favor të Shqipërisë? Kjo fjalë vërtet do të meritonte në këtë rast të shkruhej e gdhendur mbi një pllakë bronzi dhe të varej në muret e klubeve tona popullore si një relikte kurioziteti.
Turqit na mohojnë edhe ato cilësi që vëzhguesit e huaj i pranojnë njëzëri… Turqit na mundën, por pa arritur të na mposhtin, edhe pasi na imponuan Muhametin e tyre. (Albania 121 , nr 12, 1909).
-Grekët e shpërdorojnë si shumë heshtjen përçmuese të shqiptarëve që nuk i hanë dokrrat e tyre bajate e boshe. (artikulli “Mbi Shqipërinë”, Libre Parole).
-Shqiptarët janë një komb të cilit i pëlqen të lëvdojë veten. Si thonë gojë-rrumbullët tanë, kombi shqiptar është i pari nga mendja, nga sjellja e nga trimëria. Sikur shqiptarët të qenë jo kombi më i mendshmi, por thjesht një komb i mendshëm, ata do të kishin dalë me kohë nga dita e zezë ku ndodhen. (Vepra 1, f. 271).
-Trimëria e shqiptarit nuk është e artë, është e teneqejtë… sado e madhe në vetvete, është e vogël në shkaqet që e ndezin. Për një kec të grabitur, për një fjalë të shtrembër, dhe shumë herë pa e ditur as vetë përse, shqiptarët marrin armët, hidhen, vriten.
Por, ata njerëz që vriten për interes e për përralla [dokrra], ftohen dhe frikësohen në u dashtë trimëri për ndonjë mendim të bukur, për ndonjë dobi të vërtetë e të përgjithshme…
Nuk kanë frikë nga plumbi, po dridhen nga Valiu! trimëria e vërtetë është ajo që vihet në shërbim të së Drejtës dhe Atdheut, në shërbim të dobisë së përgjithshme. Të tjerat punë janë punë egërsie e kafshërie, jo trimërie. (Vepra 1, f. 271-272).
-Ta dini se ne në sy të Evropës së qytetëruar, jemi të prapambetur, dhe asgjë më shumë; ca na shajnë, ca na përqeshin, ca të pakëve u vjen keq. Hiqni dorë ju them, se u bëmë palaçot e dheut. Heshtni, shtrohuni, bashkohuni. Udha që shpie në nder, në liri e në shpëtim, nuk është e shtruar me lule, po me ferra; kush arrin në kulm, arrin i grisur, i djersitur, i përgjakur; dhe kur arrin në kulm, bie i vdekur nga të lodhurit, por me vetëdijen që i hapi një udhë të re popullit. (Vepra, SH.B. N. Frashëri, f. 213).
-Bëhuni burra! Rrëmbeni kazmat! Puna është më e lartë se trimëria, kazma më fisnike se palla. E mbi të gjitha heshtni! Jo fjalë, por kazmën. Jo mbledhje, por kazmën. Jo misione, por kazmën! Dhe parmendën, dhe draprin, dhe shoshën, dhe furrën. Mjaft lëvdime. E kam zemrën aq të mbushur me lot sa s’qaj dot. (F. Konica, Vepra, SH.B. N. Frashëri, f. 214).
-Është një vend në faqe të dheut ku katilin e kanë për njeri të nderuar; hapen që t’i bëjnë udhë kur kalon; e fshehin nga i vetë-thëni gjyq, në iu tektë së vetë-thënës polici të bëjë sikur e kërkon; edhe në daltë ndonjë i çmendur për të marrë anën e kanunit [ligjit], e shajnë edhe e fëlliqin me një zell të çuditshëm.
Dhe prandaj ai vend ka fituar një famë shumë të shëmtuar në botë… Për cilin vend po flas, do ta kuptoni menjëherë kur t’ju them që nuk ndodhet në mes të Afrikës, po në Europë. (Vepra 3, f. 169).
-Armiqtë e Shqipërisë janë shqiptarët, jo të tjerë. Shqiptarët kanë shkruar me gjakun e tyre më tepër se një faqe në histori të Evropës. Nga më të voglat trazira gjer në luftërat më të gjakta, shqiptari ka hequr hark, vërvitur kordhë a zbrazur pushkë.
A ka gjë më të turpshme, më të ulët se historia e këtij kombi që, për pak të qelbur ergjent [të holla], shet mish njeriu në çdo luftë, edhe kujt s’i erdhi dëshirim nga aq qindra vjet që e shkelin dhe e kurvërojnë të huajt, s’i erdhi dëshirim të japë dy pika gjak për lirinë e vetvetes?
Të donin shqiptarët lirinë e Shqipërisë lehtazi e bëjnë; por rrinë të patundur dhe kështu dëftojnë që s’e duan Shqipërinë, dëftojnë që janë armiqtë e saj. (Albania 1, vëllim A, 1897).
-Duke parë dhe duke dëgjuar, bota mësojnë mend dhe ndërtohen. Ne shqiptarët, s’marrim dot mësime; malet të tunden dhe të rrëkëllehen, ne nuk këmbejmë mënyrën tonë. Mbani mirë këtë që po ju them: në njëqind vjet, në vafshim si po vemi, do të jemi aq poshtë sa edhe sot. (Vepra 3, f. 15).
-Ç’ka Italia që vlen të merret? Makaronat dhe kamorren, hiçgjë tjetër. Për makaronat, s’kemi nevojë, se kemi patatet tona; kamorren e kemi marrë dhe, shyqyr perëndisë, e kemi përmirësuar dhe rregulluar me një sistem më të mbaruar se italianët vetë. (Vepra 2, f. 111).
-Ati ynë që je në qiell, jepna fuqinë të mbajmë gojën të mbyllur kur s’kemi gjë për të thënë; falna durimin të thellojmë një punë me parë se të shkruajmë përmbi të: frymëzona me një ndjenjë të mprehtë të drejtësisë që jo vetëm të flasim me paanësi, por edhe të sillemi si të paanshëm; shpëtona nga grackat e gramatikës, nga shtrembërimet e gjuhës dhe nga lajthimet e shtypit. Ashtu qoftë! (Vepra 3, f. 421-422).