Lëvizja Socialiste për Integrim ka firmosur koalicion paszgjedhor me Partinë Demokratike. Pasi janë sharë e akuzuar ndër vite, ata janë bërë bashkë me qëllim pushtetin.
Nuk është vetëm Ilir Meta, kryetari de facto i LSI, që ka qenë kundër Lulzim Bashës, por edhe Petrit Vasili, i cili në vitin 2017, arriti të mbijetonte vetëm dy muaj, si kreu i LSI-së.
Sot Vasilin e shohim në krah të Bashës, më mbështetje të tij për çdo deklaratë apo lëvizje të tij. Politika, konsiderohet “prostitutë”, por këta e kanë kaluar çdo limit.
Nuk mund të flasësh për integritet, besim apo virtyte të tjera, në një kohë që ndërrojnë “krevatet”, nga viti në vit, me plot sekrete për njëri tjetrin që i shpalosin më pas në media.
Në këtë vorbull “prostituimi politik”, është përfshirë edhe Petrit Vasili, i cili sot del dhe shitet si parimor, duke ndjekur shembullin e kryetarit të tij, Ilir Meta.
Në 2015, Petrit Vasili, që ishte kreu i Grupit Parlamentar të LSI, paralajmëroi publikisht hapjen e një prej skandaleve më të rënda në historinë e pluralizmit, i cili lidhej me emrin e Lulzim Bashës.
Petrit Vasili deklaroi, se çështja e vjedhjes së 230 milionë eurove me rrugën Durrës-Kukës, do të hapet shumë shpejt, pasi herën e parë Basha shpëtoi se ishte me diarre. Sipas Vasilit, dosja e aferave të Lulzim Bashës shkon deri në 1 700 faqe.
“Kërkesa e vazhdueshme dhe sigurisht qesharake e kreut të PD-së lidhur me dorëheqjen e kryetarit të Kuvendit, kërkesë kjo nga e cila kreu i PD-së do të bënte mirë të hiqte dorë sa më parë, për arsye se kreu i PD-së është i vetmi shqiptar që nuk mund ta bëjë një kërkesë të tillë, pasi të gjithë qytetarët e kanë në mendje se ky person është akuzuar për vjedhjen e 230 milionë dollarëve në mega aferën e rrugës Durrës-Kukës.
Akuzë e cila është aty sot e kësaj dite dhe për këtë akuzë ky person nuk e dha dorëheqjen nga pozicioni i ministrit. Me makinacione pa fund i shpëtoi gjykimit, duke vazhduar të mos jepte dorëheqjen ndërkohë që nuk pranoi që kjo çështje të gjykohej në themel për të zbardhur të vërtetën e vjedhjes së 230 milionë dollarëve.
Edhe sot e kësaj dite kreu i PD-së vazhdon të jetë i akuzuar nga organet më të larta të drejtësisë së këtij vendi, dhe si i tillë vazhdon të mbetet shembulli i politikanit më negativ për raportin e tij me ligjin. Kërkesa e tij e vazhdueshme vazhdon ta bëjë me qesharak atë dhe PD-në.”, shprehej Vasili në mars të vitit 2015.
Po çfarë ndodhi? Ku shkuan 1 700 faqet e Vasilit? Me kë fjeti Vasili, që heshti për skandalin e Bashës, me të cilin doli dhe e kërcënoi publikisht?/CNA.al