“Kryeministri i këtushëm bën deklarata të çuditshme dhe qesharake. Këta nuk kanë ujë dhe drita, ky u flet për komjutera dhe miliona ullinj”…
Në këtë kabllogram të zbuluar nga Wikileaks dhe të publikuar nga Dita, ndodhet një raport i firmosur nga ish-ambasadori amerikan në Tiranë për shefat e tij në Uashinton.
Gjuha e përdorur është “lisho”, mund të kuptohet se sa qesharak u dukej ambasadës amerikane, Berisha pavarèsisht qëndrimeve publike.
Më poshtë, pjesë nga kabllogrami:
Titulli: Ambasada e Tiranës, raporti javor
Dërguar: Nga Ambasada e Tiranës më 25 nëntor 2008
Merr: Departamenti Amerikan i Shtetit
Autori: Ambasadori
“…Kur kryeministri Sali Berisha nis të flasë, ai fluturon. Deklaratat e fundit që nisnin nga mbjellja e ullinjve deri tek platformat energjetike kanë lënë gojëhapur shumë shqiptarë. Edhe ata që janë mësuar me lulëzimet e shpeshta histerike të kryeministrit, kësaj here mendojnë se kryeministri i ka humbur lidhjet me realitetin.
Berisha habiti si FMN-në, ashtu edhe këshilltarët e tij ekonomikë kur tha se Shqipëria ka një rritje ekonomike “dyshifrore”,- dyfishin e asaj që mendojnë vetë këshilltarët e tij ekonomikë dhe FMN-ja. Në një tjetër dalje publike, Berisha detajoi planet e tij për të bërë Shqipërinë “superfuqinë energjetike të rajonit”, një deklaratë që për shqiptarët ishte gallatë duke pasur parasysh ndëprerjet e shpeshta të energjisë elektrike që ka ky vend.
Kryeministri u zotua në çojë Shqipërinë në epokën dixhitale duke vendosur kompjuterë në çdo shkollë dhe çdo familje, kur shumë nga këto shtëpi dhe shkolla nuk kanë ujë të pijshëm dhe energji elektrike. Në fund, deklarata më e çuditshme dhe qesharake ishte zotimi për ta bërë Shqipërinë “vendin më të bukur me ullinj në Mesdhe” duke mbjellë 20 milionë pemë ulliri në vitet e ardhshme.
Që nga viti 2005 (kush Berisha u rikthye në pushtet) shqiptarët janë mësuar të dëgjojnë fjalime të madhërishme mbi projektet gjigante që kryeministri ka ndër mend të bëjë njëri pas tjetrit. Kryeministri më duket se thjesht nuk është i aftë të mendojë për gjërat e vogla. Problemi vjen kur përplasen fjalimet e kryeministrit për Shqipërinë që lulëzon dhe ashpërsinë e jetës reale të shqiptarëve të thjeshtë.
Kjo u kujton shqiptarëve një barsoletë të vjetër të kohës së komunizmit kur një edukatore kopshti po i fliste fëmijëve për Shqipërinë e mrekullueshme. Kur ajo mbaroi së foluri rreth vendit që e përshkroi si një kopsht me lule, një vend të begatë ku njerëzit ishin më të lumturit në botë, një vend ku çdo fëmijë kishte gjithçka, një fëmijë në fund nisi të qante. Kur edukatorja e pyeti pse, djali që po qante nisi të bërtasë: “Dua të shkoj në Shqipëri, ju lutem më çoni atje, ju lutem”.