Nga Alfred Peza
Ekziston një qasje interesante gati gati në kufijtë e të pabesueshmes, ajo që i bën disa grupime brenda gardhit të opozitës shqiptare, që ti përjetojë fitoret e partive apo liderëve të djathtë kudo në botë, si të tyret. Rikthimin apo qëndrimin e tyre në pushtet, pothuajse me entuziazmin e rikthimit të atyre vetë në krye të qeverisjes së Shqipërisë. Duke krijuar në këtë mënyrë një mirazh, i cili sado pamje realiste dhe optimiste që të të ofrojë për momentin nga larg, rrezikon që të jetë po aq zhgënjyese nesër.
Me këtë qajse shpjegohet ndoshta edhe fakti se përse fitorja e Viktor Orban dhe e partisë së tij “Fidesz” në Hungari, u përjetuan me një entuziazëm të shtuar në radhët e një pjese të mbështetësve të opozitës në Tiranë. Fushata elektorale e Orban u përqëndrua në programin kundër emigrantëve dhe përsëritjen e teorisë konspirative se BE, OKB dhe filantropisti George Soros duan ta shndërrojnë Hungarinë në një “vend emigrantësh”.
Me sa duket qenia e tij kreu i një partie të djathë në Hungari, si edhe PD në Shqipëri dhe e një anti Sorosiani të deklaruar, ishin dy nga pikat kryesore të entuziazmit të shtuar opozitar në Tiranë. Nga ana tjetër, BBC shkruajti se “legjitimiteti i zotit Orban në një nivel Europian, ka gjasa që të forcohet pasi partitë nacionaliste në të gjithë kontinentin, marrin zemër nga fitorja e tij”.
Partia Demokratike e Shqipërisë e ka rreshtuar veten prej 27 vjetësh të ekzistencës, në anën e partive të qendrës së djathë, me grupime që kanë afishuar deri qasje neoliberale në krye të saj. Ndaj, konkluzioni i BBC nuk ka të bëjë në këtë rast me PD tonë, e cila nuk besojmë se e rreshton veten qoftë edhe sëfundi, tek partitë nacionaliste që kanë në themel të tyre programet e ekstremit të djathtë ku prevalojnë qëndrimet antieuropiane dhe antiintegruese.
Mos harrojmë se me një entuziazëm edhe më të madh se në rastin e Orban, u prit në Tiranë nga ana e mbështetësve të PD, fitorja e Presidentit Donald Trump në SHBA. Jo vetëm se ai i përket një partie të djathtë siç janë republikanët, por mbi të gjitha sepse atë e identifikojnë si njërin prej armiqve më të mëdhenj të miliarderit George Soros. Duke harruar se me Fondacionet e tij të Shoqërisë së Hapur, ai ka investuar përveç të tjerash për financimin e burasave të shkollimit të Viktor Orban në Hungari dhe të Lulzim Bashës në Shqipëri.
Donald Trump dhe Geroge Soros janë dy multimiliarderë të njohur herët fillimisht për pasurinë e tyre nga “Forbes”, e më pas për angazhimet politike dhe shoqërore. Rrënjët e “armiqësisë” Trump- Soros mediat amerikane i kanë kërkuar në klubin ekskluziv të miliarderëve dhe jo në programet e tyre politike dhe shoqërore.
Ndërkohë që Viktor Orban, ka një pikë takimi tjetër shumë të rëndësishme me George Sorosin: Të dy janë hungarezë. Ndaj kuptohet qartë, frika që mund të ndjejë një lider si Viktor Orban i cili ka përqafuar si filozofi kryesore mbylljen e shoqërisë hungareze nga Europa, ndaj një bashkatdhetari të tij që investon prej rrëzimit të Murit të Berlinit, për shoqëritë e hapura.
Për të kuptuar më mirë efektet që mund të ketë fitorja e Viktor Orban nesër në Shqipëri, mjafton që ti hedhim një vështrim ndikimit që ka patur prej më shumë se një viti, fitorja e Donald Trump. Një fitore që u festua me fishekzjarre në Tiranë, me ekstazën sikur gjëja e parë që do bëntë si President i SHBA sapo të futej në Zyrën Ovale, do të ishte “shkarkimi” i Edi Ramës dhe rikthimi i “miqve” të tij të djathtë, në pushtet.
Qasje të tilla, kuptohet që nuk janë aspak realiste dhe më shumë se i bëjnë mirë partive që i ushqejnë ato nëpër koridoret e tyre, i bëjnë dëm. Sepse sistemi politik i çdo vendi, specifikat demokratike dhe problematike social ekonomike, qasja elektorale e popujve dhe sjellja e votuesve ka veçoritë e saj në çdo vend demokratik të botës së lirë. Edhe Shqipëria nuk nuk bën përjashtim nga ky realitet.
Ndaj, opozita jonë ka vetëm një shans dhe një mundësi për tu rikthyer nesër në pushtet: Jo ti gëzohet sa më shumë fitoreve të të tjerëve, por ti fitojë sa më parë zemrat, mbështetjen dhe votat shqiptarëve. Ndryshe, rrezikon që nga një “ekip profesionist”, të shndërrohet në një “grupim tifozash” që i gëzohen vetëm fitores së atyre ekipeve, që mundin kundërshtarët e tyre direkt.