Nga Bedri Islami
Sot, në varrezat e Dëshmorëve të Atdheut, ndodhi njëra nga ngjarjet e pritura dhe trishtuese: falangat e reja shqupase, me ngjyrim të llojit fashist, rrahën, gjuajtën me gurë, gjakosën një grup veteranësh të luftës antifashiste.
Kryefalagisti Basha i mori në mbrojtje. Asgjë e jashtëzakonshme.
Një strukturë që nuk e njeh luftën, nuk njeh as heronjtë e saj.
Nuk çuditem për asgjë.
Çudia ime është tek një tjetër forcë e majtë, themeluesi i së cilës, Ilir Meta, ishte sot, në fakt ka qenë gjithnjë, në nderimin e të rënëve.
Pse kjo heshtje e LSI-së, në rradhët e të cilëve ka mjaft antarë , të afërmit e të cilëve kanë qenë pjesë e luftës nacionalçlirimtare?
Më është kujtuar menjëherë një deputete e re, e cila në seancën disi tragjike e disi komike të 18 dhjetorit të shkuar, tundte si flamur dorën e lënduar, duke akuzuar Policinë e Shtetit.
Cilin flamur do të tundtë sot kjo forcë politike?
Atë, të bardhin, që kishte në 18 dhjetor apo të duhurin, që e kanë mbështetur deri tani?
Një dorë e lënduar, megjithëse askush nuk e di se si, është krejt e padukshme ndaj dhunës së ushtruar ndaj disa veteranëve të luftës apo të afërmve të tyre, të cilët, edhe pse mund të jenë nostalgjikë, në fund të fundit kanë vlerën e tyre të së shkuarës.
Po LSI, që është shprehur si e të majtës, me cilët ështe; me falangistët, ku është koalicioni i sotëm opozitar, apo tek ajo që kanë deklaruar?