Kombëtarja shqiptare e futbollit ka mbërritur në Çeki, ndërsa ditën e martë do të luajë takimin miqësor ndaj përfaqësueses Çeke. Grupi i futbollistëve dhe stafi teknik u ulën në Pragë rreth mesditës. Në vazhdim edhe seancë stërvitore.
Gjendja e futbollistëve është e mirë, por tekniku italian duhet që të rregullojë disa probleme që ekipi shfaqi në sfidën ndaj Uellsit në Kardif. Ajo që shqetëson më shumë është fakti që kuqezinjtë e kanë të vështirë që të ndërtojnë aksione sulmuese dhe goditjet drejt portës kundërshtare.
Shqipëria nuk gjuajti asnjëherë në portën e Uellsit, pavarësisht se u dallua në mbrojtje dhe arriti të thyente sulmet e Gareth Bejlit me shokë. Reja duhet të gjejë zgjidhje në mesfushë, e gjithashtu të provojë në sulm.
Me ekipin do të bashkohet edhe talenti 19 vjeçar Armando Broja. Ai luajti me ekipin Shpresa kundër Andorrës, ku u dallua në fushë dhe shënoi edhe një gol. Një alternativë më tepër në ofensivë për italianin. Takimi Republika Çeke-Shqipëri do të luhet të martën në orën 20”15 në “Generali Arena”.